Qyteti

Nis ndërtimi i korsive të dedikuara për autobusët në Njësinë 7, në Tiranë. Çfarë risie do të kenë?

Nis ndërtimi i korsive të dedikuara për autobusët në

Bashkia e Tiranës e ka nisur nga Njësia 7 projektin për korsitë e dedikuara për autobusët, duke u përqendruar fillimisht në segmentet: “Rrethrrotullimi Zogu i Zi - 21 Dhjetori”, “21 Dhjetori - Vasil Shanto”, “Vasil Shanto” - kryqëzimi i Brrylit dhe “rruga e Kavajës - kryqëzimi 21 Dhjetori”. Projekti i realizuar me ndihmën e GIZ dhe KfW gjermane, synon krijimin e infrastrukturës për shtrirjen e korsive të dedikuara për shërbimin e transportit qytetës në disa rrugë kryesore të Tiranës, optimizimin e stacioneve të autobusëve dhe informatizimin e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi gjatë mbrëmjes nisjen e punës.

“Ne kemi parë disa eksperimente shumë të suksesshme te ‘Rruga e Durrësit’, te Rr. ’Dritan Hoxha’, ku korsia e autobusëve është ekspres dhe komode. Autobusi ngadalësohet kur futet në trafik me makinat e tjera, prandaj projektin pilot që kemi zbatuar te ‘Dritan Hoxha’ dhe ‘Rruga e Durrësit’, ta vazhdojmë edhe përgjatë ‘Unazës’. Në këtë fazë të parë do të kemi disa ndërhyrje. është pjesë e një studimi që kemi bërë me qeverinë gjermane, GIZ-in dhe KfW, por përpara se të blejmë autobusët e rinj, do duhet të ndërtojmë infrastrukturën”, tha Veliaj.

Nis ndërtimi i korsive të dedikuara për autobusët në

Kreu i Bashkisë u ndal edhe te zgjidhja e problemit te vendi i njohur si nyja e “Kastriotëve”. Veliaj u shpreh se aty do të ndërhyhet duke krijuar një rrethrrotullim, si nyje lidhëse e rëndësishme për qytetarët e Kodër-Kamzës, për të lehtësuar ndjeshëm lëvizjen në këtë zonë.

“Një nga ndërhyrjet kryesore ka të bëjë me nyjen e ‘Kastriotëve’. Aty do të punojmë për një rrethrrotullim të madh, që do të jetë një shpëtim për të gjithë ata qytetarë që shkojnë e vijnë nga Tirana. Lidhet një lagje shumë e rëndësishme e Tiranës, që është pjesa e Njësisë 11 përtej lumit, si Kodër-Kamza, dhe sigurisht është lehtësim për të gjithë qytetarët fantastikë të Kamzës, një krah pune i jashtëzakonshëm që vjen çdo ditë në Tiranë, por edhe për studentët e mrekullueshëm të Kamzës, që vijnë për të studiuar në Universitet e Tiranës”, tha ai.

Veliaj u shprehu mirënjohjen qytetarëve për durimin, gjatë punimeve në zonë. “Mirënjohje qytetarëve që na kanë mirëkuptuar, që kanë zhvendosur makinat teksa ne punojmë. Mbarojmë 3-4 ditë këtu, zhvendosemi në një stacion tjetër, që pastaj shtatori të na gjejë me një Tiranë të sistemuar, me korsi biçikletash për të gjithë Unazën, korsi të dedikuar autobusësh dhe një hartë moderne të ‘Urbanit’”, përfundoi ai.

Prioritet i këtij projekti infrastrukturor në Njësinë 7 janë korsitë e dedikuara të autobusëve, si edhe tabelat informuese, që do të vendosen në çdo pikë stacion autobusi. Tabelat do kenë një rëndësi të veçantë, pasi do të kenë një informacion më të detajuar për vendndodhjen dhe kodin unik të zonës, itinerarin dhe numrin e itinerareve, si edhe një diagramë horizontale, ku do të shpjegohen edhe gjithë ndalesat, por edhe shpeshtësia e autobusëve, jo vetëm në ditët e javës, por edhe në ditë festash kombëtare dhe në ditë pushimi.