Qyteti

Rëndësia e Këshillimit të Karrierës në Shqipëri dhe mbështetja përmes portalit Karriera.Tirana.Al

Rëndësia e Këshillimit të Karrierës në

Këshillimi i karrierës është kthyer në një nevojë thelbësore për të rinjtë dhe profesionistët në Shqipëri. Mungesa e informacionit të duhur për mundësitë e punësimit, zhvillimin e aftësive dhe ndërlidhjen me tregun e punës është një sfidë e madhe, e cila shpesh çon në zgjedhje të gabuara profesionale dhe zhgënjim në karrierë.

Portali Karriera.Tirana.Al është platforma që synon të plotësojë këtë boshllëk duke ofruar informim dhe orientim profesional për të gjithë të rinjtë dhe të rriturit që kërkojnë të zhvillohen profesionalisht në vendin tonë. Kjo platformë pasqyron në mënyrë të qartë mundësitë për ndërtimin e një rrugëtimi profesional sa më të suksesshëm. Qëllimi i këtij portali është edukimi mbi karrierë, duke pasqyruar informacion rreth 100 profesioneve të ndryshme me përshrime me video për secilin prej tyre. Gjithashtu, platforma ndihmon duke ofruar informacion rreth gati 900 tituj trajnimesh që ofrohen në qytetin tonë, gjimnazet publike apo private qofshin këto të përgjithshëm apo profesional, si dhe listën e detajuar të universitetve me secilin fakultet e program të tyre. Duke e bërë kështu një platformë të dobishme për cdo grup moshe që kërkon të zhvillojë potencialet e tij akademike apo profesionale.

Nëpërmjet këtij portali , përfituesit mund të logohen për të përdorur instrumentat bashkëkohorë për të hulumtuar fushat e interesit të tyre dhe për të analizuar nevojat për këshillim e orientim, sikurse dhe vështirësitë në vendimmarrjet në karrierë që të rinj e të rritur hasin në rrugëtimin e tyre profesional. Këto teste të standardizuara plotësohen me rekomandimin e këshilluesit të karrierës, i cili gjithashtu ndihmon ne interpretimin e rezultateve.

Me zhvillimet e shpejta të tregut të punës dhe kërkesën gjithnjë në rritje për aftësi të specializuara, këshillimi i karrierës duhet të bëhet një pjesë integrale e edukimit dhe zhvillimit profesional në Shqipëri.

Kjo platformë është një hap i rëndësishëm për të ndihmuar të rinjtë dhe te rriturit në Tiranë të marrin vendime më të informuara për të ardhmen e tyre profesionale, duke kontribuar në një treg pune më të strukturuar dhe më të orientuar drejt nevojave reale të ekonomisë.

Të gjithë të interesuarit mund ta marrin këtë informacion cilësor dhe të standardizuar nëpërmjet vetëshërbimit në faqen online karriera.tirana.al por gjithashtu mund të vizitojnë zyrën e Këshillimit të Karrierës pranë Bashkisë Tiranë ku këshilluesit e karrierës do ti orientojnë drejt informacionit të nevojshëm.