Qyteti

Tirana 11 netë protagoniste e artit! Cloud Festival elektrizoi metropolin me muzikë tradicionale e moderne

Tirana 11 netë protagoniste e artit! Cloud Festival elektrizoi metropolin

Për 11 netë radhazi Tirana u shndërrua në oazin e muzikës tradicionale e bashkëkohore duke dhënë një atmosferë të jashtëzakonshme në kuadër të festivalit të përvitshëm, Cloud Festival. Edhe këtë vit, mbi 150 artistë pushtuan skenën e hapur në qendër të metropolit, duke u dhënë entuziastëve të muzikës, por edhe kalimtarëve ‘të dehur’ po ashtu nga çasti, një shfaqje të larmishme ku dominoi arti.

Festivali u çel më 16 maj dhe vijoi deri në fillim të muajit qershor. Me pjesëmarrjen e artistëve të huaj e vendas, vitrina te “Reja” elektrizoi dhe solli një ekspeditë mbresëlënëse duke përcjellë tingujt e sazeve, rapsodëve, koreografi, intepretim poezish, muzikë të zhanerëve të ndryshëm si xhaz, punk, epiko-lirik, etj.

Tirana hapi krahët e mikpriti me qindra artistë, për të ofruar një përvojë mbresëlënëse për publikun duke promovuar më së miri diversitetin dhe pasurinë artistike në vend. Me mbështetjen e institucioneve kyçe në vend, Bashkia Tiranë, Ministria e Kulturës, Ekonomisë e Inovacionit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Raiffaisen Bank dhe Shoqata Kreo, Tirana u transformua në protagonistën e talenteve vendase e ndërkombëtare në 11 netë të mrekullueshme ku gërshetimi i kulturës tradicionale e moderne magjepsi dëgjuesit.

Interesi për Cloud Festival ishte i jashtëzakonshëm, të rinj e të moshuar shijuan të gjithë së bashku në ambientet e hapura te “Reja”, duke u argëtuar me të papriturat dhe surprizat e rezervuara vetëm për ta. Asnjë prej netëve në Cloud Festival nuk ishte e njëjtë, secila ofroi një përvojë unike dhe emocionuese për audiencën të ngjitur “mbi re”. Festivali multikulturor jo vetëm që dëfreu, por bëri publikun të ndjejë, duke lënë një gjurmë të paharrueshme në zemrat e të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij udhëtimi artistik.

Edicioni i tetë i Cloud Festival nisi fillimisht me Blenard Azizaj i cili solli një performancë risi me kërcim bashkëkohor, ndërsa Džambo Aguševi Orchestra na udhëhoqi në një rrugëtim muzikor të Ballkanit. Jonida Prifti dhe Saz’iso ofruan performanca emocionale dhe melodi komplekse në mbrëmjen e dytë, ndërsa Merita Bunjaku & Rapsodët e Deçanit e na zgjuan nostalgjinë me këngë tradicionale që bëri audiencën të ishte në sinkron me skenën.

Kora Connection dhe Ansambli Baladi shtonin një ndjesi të re muzikore nën tingujt e tyre unikë. Liljana Kondakçi dhe Djemtë e Liqenit na mrekulluan me tingujt e muzikës së lehtë shqiptare. Performancat nga Mats Erlandsson dhe Berti & Miqtë nga Shkodra eksperimentuan me tinguj të ndryshëm dhe forma të pazakonta artikstike.

Mbrëmjet me Meri Dishnicën dhe Korin e Resë ofruan një eksperiencë ndryshe, ndërsa Dobrila & Dorian dhe Viktor Szeri me Rozi Mákó përfunduan me një kombinim të shkëlqyer të traditës dhe aktuales. Nata e nëntë na dhuroi një demonstrim risi me marioneta, ritme spanjolle dhe muzikë punk. Nata e 10-të u bë simbol i ngjyrave, me marshimin e Tirana Pride dhe performancat artistike të Mary Kate Sheehan, Enris Qinami & Alexia Traore dhe Klod Dedja, na inkurajuan të reflektojmë mbi diversitetin dhe frymën e dashurisë. Cloud Fest u përmbyll mrekullisht me një atmosferë euforike me Ansamblin Tirana dhe Teatrin Metropol ku të gjithë e “dogjën” shaminë e Beqarit.

Surpizues ka qenë edhe impakti social që Cloud Festival ka dhënë, qindra qytetarë që shijuan mbrëmjet elektrizuese në këtë ekspozitë të larmishme artistike shprehën vlerësimet e tyre duke veçuar natën që i la më tepër mbresë. Kjo është magjia e Cloud Festival, që bashkon të madh të vogël të njihen, shijojnë dhe eksplorojnë fluiditetin e artit! Qëndroni në pritje, me pritshmëritë mbi re për atë që Cloud Festival do dhurojë në vitet pasardhëse.