Qyteti

Veliaj: Në buxhetin e 2025-ës, ushqim falas për nxënësit e shkollave të Tiranës

Veliaj: Në buxhetin e 2025-ës, ushqim falas për

Nga 2025-sa, çdo nxënës në Tiranë do të ketë një trajtim të barabartë, duke iu ofruar ushqim falas.

“Ajo që kemi parë në shumë prej shkollave tona është se në lagje të ndryshme të Tiranës, fëmijët ushqehen ndryshe. Qartazi ka mungesa të kalorive dhe vitaminave. Prandaj, Bashkia e Tiranës po sjell një filozofi solidare. Ajo që ne themi, si të majtë, është se të gjithë duhet ta kenë fillimin e barabartë. Ndaj, vendimi më i rëndësishëm i bashkisë për 2025-ën, për të këtë buxhet, është ushqimi falas për të gjithë nxënësit e Tiranës, si një mundësi për t’i dhënë të gjithë fëmijëve një fillim të barabartë”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se buxheti ka në fokus njerëzit që kanë më shumë nevojë për mbështetje, duke nisur nga fëmijët, studentët dhe të moshuarit. Veliaj shtoi se, edhe gjatë këtij viti, Bashkia e Tiranës do të vijojë të subvencionojë 100% abonenë për studentët, ashtu sikurse edhe për pensionistët.

“Më shumë nevojë kanë fëmijët dhe nxënësit, prandaj e kemi fokusin te shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Po ashtu, kanë nevojë studentët, prandaj do ta subvencionojmë sërish 100% abonenë e studentit. Madje, ky është buxheti i parë që subvencionon me 192 mijë lekë në vit, 16 mijë lekë në muaj, abonenë e përgjithshme të transportit për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet tona. Do të duam që me ushqimin falas, abonenë falas dhe konviktet gjysmë të paguara nga bashkia, të sjellim një frymë të re solidare, mbështetje, të majtë dhe të bukur, për bashkinë tonë dhe për qytetin tonë”, u shpreh ai.