Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë zhvilluar sot takimin e përbashkët në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Prezantohet draft-statuti për Asociacionin
Në takimin mes Kurtit dhe Vuçiqit është paraqitur draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ekipi Menaxhues i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë paraqiti draft-statutin për formimin e këtij asociacioni.
Danijella Vujiçiq, nga ky ekip, ka thënë se hartimi i draftit ka zgjatur katër muaj nga prilli 2018 deri në gusht 2018. Sipas saj, ka 9 kapituj dhe 67 nene.
“Sot, pas pesë vjetësh, patëm rastin ta prezantojmë draftin e përfunduar në vitin 2018", u tha ajo gazetarëve.
Prezantimi i draft-statutit për Asociacionin ka qenë në pikën e dytë të rendit të ditës të takimit në Bruksel. Pika e parë, Deklarata për të Zhdukurit, u miratua nga Kurti e Vuçiç.
Miratohet Deklarata për të Zhdukurit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.
Kjo ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin e zhvillar në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
BE-ja ka publikuar se çka përmban Deklarata për të Zhdukurit, ku përfshihen edhe të zhdukurit me dhunë.