Pas marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive në nëntor të vitit 2021, Shqipëria dhe Kosova kanë tashmë një pikë tjetër të përbashkët kufitare. Ajo në Shishtavec-Krushevë. Pritet që shumë shpejt banorët e zonave të brezit kufitar të lëvizin lirshëm në të dy shtetet. Në ceremoninë e inaugurimit kanë marrë pjesë Ministrat e Brendshëm të të dy vendeve, Bledi Çuçi e Xhelal Sveçla, si dhe drejtuesit e policisë në Shqipëri e Kosovë.
“Në axhendën tonë të përbashkët të filluar me nënshkrimin e tre marrëveshjeve, ky është një nga hapat e rëndësishëm të jetësimit të këtyre marrëveshjeve. Duhet ta konsiderojmë një vend, jo të huaj, por një vend që përkohësisht kemi disa regjime që na e ndërlikojnë pak lëvizshmërinë, por shumë shpejt ne do t’i heqim dhe jam besimplotë se brezi jonë do ta jetojë dhe do ta shijojë këtë vizion që kemi në mendje dhe në vullnetin e dy qeverive në Shqipëri dhe Kosovë”, tha ministri Çuçi.
Në vijim të fjalës së tij ministri Çuçi theksoi gjithashtu se hapja e kësaj pike të përbashkët kufitare do të çlirojë potencialet e zhvillimit turistik të zonës.
“Të dyja anët e kufirit janë zona me potenciale të jashtëzakonshme të zhvillimit të turizmit, që mund të frekuentohen nga turistë të të dy vendeve, por edhe nga turistë të huaj që nuk janë të paktë në këtë zonë”, tha Çuçi.