Majlinda Bregu mbyll mandatin në RCC: 6 vitet e bashkëpunimit rajonal si një leksion i mirë

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, përfundoi dy mandatet e saj pas emërimit në vitin 2019. Mandati i Bregut ishte i shenjuar nga një angazhim i palëkundur për forcimin e lidhjeve rajonale, avancimin e integrimit në BE, arritjen e sukseseve të mëdha dhe nxitjen e iniciativave kyçe për “Gjithë Ballkanin Perëndimor”.
“Gjashtë vjet më parë, e nisa këtë udhëtim me një vizion: “të afroj vendet e Ballkanin Perëndimor mes njëri - tjetrit dhe ta afroj atë më shumë me Evropën”.
Ka qenë më energjik e më sfidues se sa mund të kisha imagjinuar. Përpjekja për
arritje konkrete, nxitja e frymës së bashkëpunimit në një rajon që historikisht është orientuar drejt konfliktit dhe mbajtja e ndezur e dritës së shpresës për integrimin në BE gjatë pandemisë apo edhe në momentet kur fjala zgjerim nuk përmendej, – ishin vetëm disa prej tyre.
Sot, kthej kokën pas me krenari duke parë se sa gurë kemi lëvizur.
Së bashku, eliminuam tarifat e roaming-ut telefonik në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe i ulëm ato me BE-në deri në 97%.
Iniciuam hapjen e korridoreve të gjelbërta gjatë pandemisë dhe krijuam Planin e Tregut të Përbashkët Rajonal, një derë hyrëse në Tregun Unik të BE-së.
Lehtësuam njohjen e diplomave dhe 7 profesioneve për studentët dhe profesionistët: fuqizuam dhe krijuam platfoma për të rinjtë, dhe inovacionin, si Balkathon; ngritëm të parin rrjet rajonal për gratë në sipërmarrje, duke mos lënë pas dore dhe komunitetet e margjinalizuara . I dhamë Rajonit Agjendën e parë të Gjelbër me detyrime konkrete për luftën ndaj ndotjes e mbrojtjen e mjedisit etj etj.
6 vite dinamike, të ngarkuara me punë dhe me më shumë sfida sesa mund ta kisha imagjinuar.
Për të gjithë ata që më mbështetetën në të mirë e në të keq gjatë gjithë këtij udhëtimi,FALEMINDERIT!
Pas 6 vitesh mund të them me bindje se asnjëherë më parë ky rajon nuk ka qenë kaq i vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit sa ç’është sot.
Në një botë ku e vetmja siguri është pasiguria, bashkëpunimi është jetik!
Në fund, por mbi të gjitha, një falënderim të veçantë për familjen e mrekullueshme të #RCC.
Në çdo sfide dhe çdo gëzim, në ditë me shije të hidhur dhe në ngjarje të ëmbla, kemi qenë bashkë.
Mirënjohje për secilin prej jush dhe për momentet e paharrueshme që kemi ndarë.
Mirupafshim!
Vidimo se!
Goodbye!
Nga 1 janari 2025, Amer Kapetanoviç do të marrë detyrën si Sekretar i ri i Përgjithshëm i RCC. Diplomati i karrierës për 25 vitet e fundit, i cili ka shërbyer në pozita të larta diplomatike në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kapetanoviç ka shërbyer si Drejtor Politik i RCC për gjashtë vitet e fundit.