Përshkallëzohen protestat në Shkup kundër propozimit francez që i hap rrugë negociatave për anëtarësim në BE

Në ditën e katërt të protestave me moton “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes, protestuesit maqedonas kanë thyer xhamat e Ministrisë së Jashtme dhe kanë sulmuar policinë.
11 protestues të arrestuar dhe 47 policë të plagosur është epilogu i protestës, e cila u përshkallëzua pasi një grup i maskuar nga protestuesit nisën të gjuanin me gurë, sende te forta piroteknike dhe vezë në drejtim të godinës.
Nga MPB kanë thonë se janë lënduar 47 policë, 11 prej tyre rëndë, ndërsa dy me lëndime me serioze. Dëme ka në godinat e Qeverisë, Kuvendit dhe Ministrisë së Jashtme.
Protesta, e cila ka filluar para objektit të qeverisë, ka vazhduar më pas tek MPJ, ku protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike dhe objekte të forta, duke thyer xhamat e përparmë të Ministrisë.
Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen Kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit. Në pankartat e protestuesve emri i ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, ishte deformuar në Bugar Osmani.
Policia ka arritur që t’i shpërndajë protestuesit para Kuvendit rreth orës 22:00, duke vendosur situatën nën kontroll.
Protestuesit kërkojnë që autoritetet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut të refuzojnë propozimin e Bashkimit Europian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim. Sipas tyre, propozimi francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase.
Kovaçevski: E patolerueshme të protestohet me maska
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka thënë se protestat e dhunshme nuk i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Po, protestojnë njerëz që mbajnë maska të cilët godasin policinë. Kemi policë të lënduar. Mbrëmë e patë se policia u tërhoq. Këtu bisedohet për propozim të ofruar nga Bashkimi Europian” ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.
Përmes propozimi francez i cili arriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues.
Bullgaria prej dy vjetësh, përmes vetos, ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, duke penguar edhe Shqipërinë në rrugëtimin në procesin integrues në Bashkimin Europian.