Rajoni

Shpërthime në Mitrovicë të Veriut

Shpërthime në Mitrovicë të Veriut

Në Mitrovicë të Veriut mbrëmjen e 20 dhjetorit kanë ndodhur dy shpërthime, që dyshohet të jenë shkaktuar nga hedhja e bombave trulluese.

Sipas Policisë, njësitet patrulluese policore kanë raportuar se shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 20:45 dhe 21:20 në Lagjen e Boshnjakëve dhe te Tre Rrokaqiejt.

Nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale.

Që nga fillimi i dhjetorit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe bomba trulluese.

Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë: Jarinjë dhe Bërnjak.

Ngritja e barrikadave u bë në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici të Kosovës.

Burimi: REL