Synimi ynë të heqim Roaming mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së! Ja kur nis procesi

#folsinship i krijoi mundësinë gjithë Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Kosovë, Bosnje & Hercegovinë, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbi) të flasin kudo që ndodhen me tarifa si në shtetin e tyre. Pra nëse dikush nga Shqipëria shkon në Serbi, flet pa Roaming, por me tarifa normale. E njëjta gjë vlen edhe për shkëmbimin e mesazheve apo lundrimin në internet.
Po sikur të flisnim njësoj edhe kur dalim nga Rajoni? Kur vizitojmë për pushime apo punë edhe vendet e BE-së?
Ky është plani i ardhshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), udhëhequr nga Majlinda Bregu. Pas heqjes së Roaming në Rajon, nga korriku i kaluar, po punohet edhe për heqjen e Roaming me mes BP (Ballkanit Perëndimor) dhe vendeve të BE-së. Procesi nis në 8 qershor.
“Rritje prej 500% të përdorimit të datave telefonike pas “Roam Like at Home” nuk mund të neglizhohet. Kishte një vlerë tregu të qartë në realizimin e Roam like at Home, komuniteti i biznesit ishte i etur të përdorte këtë politikë, qytetarët e meritojnë këtë dhe më shumë. Prandaj ne kemi nisur seriozisht, dhe jo pa kosto, punën për të zvogeluar tarifat e roaming mes vendeve të Ballkanit dhe Europës. Me 8 qershor, Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian, fillojnë procesin e përafrimit të politikave dhe praktikave rregullatore për të konverguar drejt Tregut të Përbashkët Dixhital”, tha Bregu sot.
Në Tiranë u mbajt takimi ndërministror, ku mblodhi ministrat përkatës të turizmit dhe jo vetëm, në rajon. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.