Rajoni

Vuçiç: Nuk mendoj se do të ketë shumë sukses zgjidhja e çështjes së targave

Vuçiç: Nuk mendoj se do të ketë shumë sukses

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç ka deklaruar se marrëveshja për targat me Kosovën nuk shanse të arrihet para 1 shtatorit.

“Nuk mendoj se do të ketë shumë sukses në këtë çështje. Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në Bruksel se do të jetë i suksesshëm dhe se serbët do të jenë të interesuar që t’i ndryshojnë targat. Le të shohim, është një proces që do të zgjasë. Nuk ka asnjë shans që kjo çështje të zgjidhet para 1 shtatorit”, deklaroi Vuçiç të martën, më 30 gusht.

Pas ndërmjetësimit të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, më 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për çështjen e dokumenteve të identitetit.

Vendimi i Prishtinës për riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Qeveria e Kosovës ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.