Rajoni

Vuçiç refuzon të takojë Kurtin në Forumin e Paqes në Francë

Vuçiç refuzon të takojë Kurtin në Forumin e Paqes

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka refuzuar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.

Kurti dhe Vuçiç po marrin pjesë pjesë në Forumin e paqes që po zhvillohet në Francë, por ky i fundit nuk ka pranuar ta shfrytëzojë këtë moment për të biseduar në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, Vuçiç u shpreh për gazetarët në Paris: “Nuk ka arsye për të qenë optimist me Prishtinën. Macronit i thashë se ne po kërkojmë vetëm targa neutrale ndaj statusit, siç është në marrëveshje”.

Vuçiç refuzon të takojë Kurtin në Forumin e Paqes

Ai po ashtu ka deklaruar se i ka treguar presidentit francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por nuk ka treguar detajet.

Albin Kurti përpara nisjes drejt Parisit la të hapur mundësinë për një takim me Presidentin serb për zgjidhjen e situatës së krijuar për shkak të vendimit për targat në veri.

“Përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë, i cili po ashtu është ftuar atje. Jam i gatshëm dhe gjithnjë i interesuar për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne,” u shpreh Kurti.