Romancë në Trup

Zemra e një gruaje

E premtja është e poezisë! Ndaj në Tiranapost prezantojmë blogun më të ri "Romancë në Trup" ku çdo javë, Klara Koli, një vajzë e re, por e talentuar, do postojë krijimet e saj

Zemra e një gruaje

Nga Klara Koli/ Një zemër është tkurrje dhe lëshim nga çdo trysni e papërmbajtshme emocionale.

Çdo gjë prej së cilës ndjen…e ndonjëherë ndjen aq shumë sa të gdhendësh një basoreliev mbi sipërfaqen e saj të butë.

Zemra e një gruaje ç’nuk ruan. Është diçka jashtëmase e papërmasë. Diçka tërësisht e pamjaftueshme nga katër dhomëzat e saj, diçka e pazbërthyeshme. Zemra e një gruaje banon në qiell dhe gjurmët i ka gjithnjë nëpër sëndukët me aromë dehëse lulesh e nëpër sirtarë me aromë të vjetër drurësh jetëgjatë. Zemra e një gruaje vetëtin nga dashuria, vetëtin nga sakrifica dhe durimi. Ajo ruan çdo gjë që nuk do t’i ikë nga duart dhe nga sytë.

Të gjitha llojet e dashurisë në të gjitha stinët e saj. 101 fjalët që do të donte t’i dëgjonte sërish, dëshirat, ëndrrat, të gjithë llojet e njerëzve më të dashur në të gjitha stinët e kujtesës dhe vetminë e saj poetike. Zemra e një gruaje është furtunë e nxehtë midis qiellit e tokës, është diçka pa të cilën njerëzimi nuk do udhëtonte dot drejt dashurisë sublime. Po zemra e një gruaje drithëron nga sonetet, nga vargjet, nga pasioni, nga intuita e pagabueshme e saj, nga instikti i saj ndjesor, nga këngët e mallit dhe të dashurisë. Zemra e një gruaje është kulti i dashurisë së pakushtëzuar për krijesën e saj, është një zemër që vetëmohohet, është diçka plotësisht njerëzore…diçka që nuk ka fund.

Zemra e një gruaje është trishtueshmërisht e hareshme për gjith’ momentet e saj të palumtura nga të cilat ajo përpiqet të vjedh lumturi. Diçka ambicioze, e pafre për të qënë e plotësuar dhe e lirë. Zemra e një gruaje do siguri që të bëj paqe, por edhe nëse nuk ka siguri ajo do shtrydh gjithçka që mund t’ja jap sadopak asaj. Ajo fantazon çdo gjë që lexon. Dhe çdo gjë që e ëndërron merr revanshin ta bëj të sajën për të mirën e saj dhe të të gjithëve. Është një diamant i gjaktë i mbushur me fije sensuale, nuhatshmëri, me sharm dhe zgjuarsi.

Në zemrën e një gruaje ruhet çdo detaj që e bën të ndihet mirë, çdo kënaqësi shpirtërore, çdo merak i saj. Çdo çast që bëhet i përjetshëm dhe një mision shpirtëror. Zemra e një gruaje është një përjetësi ngashërimesh, psherëtimash malli e ndjeshmërie. Zogjtë e parë të pranverës asaj i kujtojnë ikjen ndër të tjera shtigje dhe veten e dënon natyrshmërisht me braktisje. Ruan aroma të ndryshme, fytyra njerëzish, detaje të imëta, pengje…sidoqofshin ata, mundimin, diçka të lënë përgjysmë, përqafime, çdo gjë të lexuar, pritjen. Zemra e një gruaje do vëmendje, do të vërtetën, do një delikatesë përkëdheljesh, do të bukurën, do të panjohurën, do shpirtin e kulluar.

Zemra e një gruaje është gjëja më e fortë që njoh. Ajo është e bardhë posi pomadë shëruese. Balsam për shpirtin e gjithkujt. Është diçka e shkrifët deri në pakonceptim. Është e bukur për nderin, sedrën e saj të çiltër, për naivitetin infatil dhe faljen e saj.

Zemra e një gruaje ruan brenda vetes një zemër tjetër. Ruan një njeri nga fillimi në pafundësinë e tij. Po. Ajo ruan një pafundësi, ruan një familje, ruan thesare. Ajo ruan çdo gjë qëkurse nis të rrahi…!

Zemra e një gruaje nuk i përket askujt përveçse vetes sepse askush veç asaj nuk e përballon dot pafundësinë.