Sekretet e Ildës

Unë seksere?! Paragjykimi që duhet vrarë dhe rëndësia e agjentit imobiliar kur dikush blen një pronë

Unë seksere?! Paragjykimi që duhet vrarë dhe rëndësia e

Ilda Zaloshnja

"E çfarë jeni ju, sekserë jeni.

Në Itali unë shkoj vetëm për të firmosur, agjensia i bën të gjitha"

"Edhe unë si në Itali punoj, pse nuk ma jep mua? Eee, po këtu shes vetë unë..."

Duke lenë mënjanë qëndrimin e përgjithshëm të ne shqiptarëve ndaj të huajve, shpesh herë edhe të justifikuar, sipas të cilit ata dinë çdo gjë dhe e bëjnë vezën të artë, kurse ne asgjë, ky pohim më vuri në mendime. Kam shumë vite që luftoj kundër termit "sekser" dhe ngjyrimit thellësisht negativ me të cilin ky term ka veshur këto 3 dekada thelbin e industrisë sonë dhe të punës sonë të përditshme.

Por, çfarë është sekseri?

Në përfytyrimin tim është një burrë në njëfarë moshe, veshur me kostum të vjetëruar nga koha dhe me një kapelle (jo kapele) në kokë, në rastin më të mirë me një çantë në krahë, në rastin më të keq me një fletore në sqetull, ku ka mbajtur shënim emra pronarësh, prona afër kësaj apo përballë asaj, e që sillet nëpër rrugë e kafenera, në përpjekje të shesë diçka. Çdo përpjkje e ndershme për të bërë biznes është mëse e respektueshme, por kjo figurë tanimë është e kapërcyer në kohë sepse prej shumë kohësh, po trajtëzohet gjithmonë e më e fortë e me profil më të përcaktuar, një figurë tjetër profesionale në real estate, ajo e konsulentit imobiliar. Dikush do të thotë po vetëm emri ndryshon!

Në fakt jo! Nuk është thjesht çeshtje termash më të bukur apo bombastikë, sa për t'u ndjerë mirë.

Nuk është as çeshtje e të pasurit të një zyre dinjitoze ku ti zhvillon biznesin tënd dhe ofron një shërbim në respekt të klientit dhe të parave të tij.

Nuk është çeshtja as te të pasurit të një faqeje ëeb, ku çdokush, që nga divani i shtëpisë, mund të fillojë kërkimin e tij për të gjetur shtëpinë që i duhet...për kujtesë, deri 10 vjet më parë asgjë e tillë nuk ekzistonte!

E nuk e kam fjalën as te taksat që paguhen rregullisht, si biznes i regjistruar e i njohur ligjërisht!

Jo, të gjitha këto janë dytësore, përpara asaj që realisht bën një konsulent imobiliar.

Jo më larg se disa ditë më parë, gjatë një trainimi që po zhvilloja për "sekserët" e mi të rinj, folëm gjatë për ndryshimin midis të qenit thjesht shitës shërbimi dhe konsulent.

Ne ju edukojmë mbi hapat e një procesi të cilët nuk i keni shkelur ndoshta kurrë më parë. Ne ju këshillojmë mbi zgjedhjet që duhet të ndërmerrni. Ne ju ofrojmë zgjidhje dhe po ashtu zgjidhim për ju shumë probleme të vogla e të mëdha që lidhen me transaksione të këtyre niveleve e përmasave.

E për të bërë këtë, ne kemi përvetësuar disa njohuri, që bëjnë të mundur të japim ekspertizën tonë, me bindje dhe vetëbesim, çdokujt që ka nevojë për të. Ne e njohim tregun imobiliar në majë të gishtave, njohim zonat, çmimet, problematikat e çdo pallati apo ndërtuesi, zhvillimet më të fundit në zona të cilat i shtojnë apo heqin vlerë një prone ekzistuese, duke na dhënë kështu mundësinë të këshillojmë klientët tanë blerës në mënyrën e duhur.

Ne jemi nga pak juristë, edhe kur nuk e kemi një diplomë të tillë, pasi njohim thellësisht çdo aspekt ligjor që lidhet me pronën dhe ju ruajmë nga gabime fatale, të cilat kanë ndodhur pafundësisht në të kaluarën, pikërisht sepse i keni besuar një sekseri, apo sepse e keni kryer një hap të tillë totalisht vetëm, pa asnjë ndihmë apo njohuri.

Ne jemi analistë financiarë që, duke e njohur tregun mirë si dhe tendencat e tij për të ardhmen, ju këshillojmë në kryerjen e investimeve të mundshme me fitim dhe rritje vlere, siç do ta bënte më i miri i ekonomistëve.

Në fund fare jemi psikologë dhe mbi të gjitha, profesionistë me një durim shumë të madh, sepse ju qëndrojmë pranë me buzëqeshje dhe mirëkuptim, duke e ditur që bindja juaj për të hedhur hapin përfundimtar drejt shitjes apo blerjes, është e lidhur me emocione personale, plane jete e projekte rritjeje, që në fund fare jemi të gjithë njerëz, secili me tiparet dhe natyrën e vet e kush ka nevojë për më shumë kohë, kush për më shumë siguri financiare, kush për më shumë mbështetje...ne nuk mërzitemi, as kur për të justifikuar një gabim tuajin, na fyeni, meqë mënyra më e mirë e mbrojtjes është sulmi, ne jemi gjithmonë aty, të gatshëm për t'ia filluar çdo ditë nga e para, në një treg ku s'ka asnjë rregull, ku gjithkush njeh gjithkënd e sa kthejmë ne shpinën, rend prapa blerësit tonë e mundohet të na shmangë për të kursyer atë të shkretë komision...i kuptojmë të gjitha dhe prapë vazhdojmë me bindje të udhëheqim çdo ditë e hap pas hapi, klientë që pastaj bëhen miq të mrekullueshëm, drejt një procesi të vështirë e më të panjohura për ta, siç është blerja e një prone të paluajtshme.

Asnjërit nga ne nuk i është dhënë realisht mundësia për ta bërë punën e tij ashtu siç duhet, ndoshta për shkak të mungesës së besimit, ndoshta për shkak të rrethanave, ndoshta e më shumë për arsye financiare por çfarë s'do të jepja për një mundësi si asaj agjensisë në Itali..., qoftë edhe për të provuar që di ta bëj si ajo, ndoshta edhe më mirë!