Ja, edhe këtë nuk e kishim menduar ndonjëherë… që një ditë do të na duhej të kalonim 24 orë, madje shumë 24-orësha me radhë, në shtëpi, brenda 4 mureve te asaj që po rezulton foleja më e shtrenjtë në kuptimin e vërtetë të fjalës…!
Ilda Zaloshnja
COVID 19 është bërë kryefjala e ditës e cila kalon shumë ngadalë brenda mureve të shtëpisë…më falni strehëzës së ngrohtë, të sigurt, të dashur, si kurrë ndonjëherë. Këto ditë, më shumë se kurrë nuk ka vend si shtëpia. Brenda saj koha ndalet, ndjesitë pluskojnë në ajër ndërsa mendimet lëvizin me shpejtësinë e dritës, midis kujtimeve të së shkuarës dhe pasigurisë së të tashmes….
Një nga shqetësimet që na kalojnë nëpër mend në këto kohë të vështira, si pronarë të plotë apo të pjesshëm të shtëpive tona (kjo për shkak të kredive që vazhdojmë të paguajmë), por edhe si operatorë në sektorin e ndërmjetësimit të pronave është çfarë vlere do të ketë prona jonë kur gjithçka të mbarojë.
Pritshmëritë janë negative. Në vende si SHBA, Britania e Madhe që tani po flitet për rënie të ndjeshme të çmimeve për sa i përkët pronave komerciale apo edhe atyre rezidenciale. Në SHBA pritet që çmimet e pronave komerciale të bien me 24% ndërsa për pronat rezidenciale me gati 35%. Sipas ekspertëve dhe analistëve kjo rënie shkaktohet nga dy faktorë kryesorë: pamundësia e lëvizjes, pra pamundësia efektive për të vizituar një pronë si nga agjentët ashtu edhe nga blerësit e mundshëm, dhe e dyta e më e rëndësishmja, pasiguria ekonomike për të ardhmen.
Në Shqipëri është vështirë të bësh të tilla parashikime. Informaliteti, mungesa e bursës dhe titujve financiarë janë të paktën 2 nga arsyet pse nuk mund të themi cili do të jetë fati ynë në këtë drejtim. Shqipëria është vendi që shpesh herë është kthyer në përjashtimin e shumë rregullave ekonomike që ndikojnë tregjet e shumë vendeve të tjera. Në 2008-2009, kur kriza financiare dhe imobiliare pllakosi në SHBA dhe vende të tjera mjaft të zhvilluara europiane, pritshmëria e të gjithëve ishte që çmimet e blerjes së pronave të binin edhe në Shqipëri. Nuk ndodhi kurrë! Çmimet u rritën vit pas viti dhe shitjet po ashtu.
Këtë herë mendoj se gjithçka varet nga faktori kohë.
Sa kohë do të zgjasë kjo gjendje? Sa kohë do të rrimë mbyllur nëpër shtëpitë tona, duke mos prodhuar asgjë? Sa kohë do të na zgjasin rezervat apo kursimet, nëse i kemi?
Kjo është pyetja që na mundon të gjithëve në këto ditë që kalojnë njëra pas tjetrës me ankthin dhe pasigurinë që shtohet. Jemi një vend i varfër me të ardhura të pakta dhe sigurisht që kjo reflektohet edhe ne gjendjen financiare të familjeve shqiptare apo të bizneseve tona. Nëse kjo situatë do t’i kapërcejë 3 muajt që secili nga ne parashikon me vete, duke dëgjuar lajme e duke u përpjekur të lexojë nëpër rreshta, efekti domino i krizës do të jetë i pashmangshëm. Shumë do të humbasin vendin e punës apo mbyllin bizneset mbi të cilat kanë mbështetur të ardhurat e tyre, për pasojë do të humbasin aftësinë paguese, për pasojë do të humbasin pronat e blera me kredi apo jo. Gjasat janë që çmimet të bien nga shitjet e shpejta për të dalë nga situatat e vështira e të paparashikuara. Për fat të keq, analizat financiare të sakta mbeten të pamundura. Një gjë është e sigurt: duhet të përgatitemi për gjithçka, të planifikojmë lëvizjet tona financiare me kujdes dhe t’u kërkojmë ndihmë ekspertëve. Kontaktoni oficerin e kredisë së bankës tuaj! Kontaktoni agentin imobiliar të besuar! Jemi të gjithë të gatshëm të vazhdojmë t’ju shërbejmë. Mundohuni të kuptoni në kohën e duhur çfarë po ndodh dhe edukoni veten duke folur me ata që dinë më shumë se ju e duke qenë të përditësuar me çdo ndryshim apo zhvillim të mundshëm. Po e jetojmë jetën ditë pas dite, në pamundësinë e plotë për të bërë plane afatgjata. Por kjo nuk duhet të na ndalojë të kujdesemi për shëndetin edhe të ekonomisë sonë familjare. Jeta duhet të vazhdojë edhe brenda mureve të shtëpisë sonë të shtrenjtë!