Falë zhvillimeve shkencore, grupi i gjakut s'do jetë më problem në transplantet e veshkave

Shkencëtarët kanë arritur të krijojnë për herë të parë në botë një veshkë “universale”, duke përdorur enzima që heqin shënjuesit e grupit të gjakut.
Kjo risi mund t’i japë fund pritjes shpesh fatale për një donator organesh të përshtatshëm.
Në një provë mjekësore revolucionare, studiues nga Kanadaja dhe Kina përdorën enzima të specializuara për të hequr shënjuesit e grupit të gjakut nga një veshkë e dhuruar e tipit A, duke e shndërruar praktikisht atë në një organ “universal” të tipit O. Veshka e modifikuar u transplantua, me pëlqimin e familjes, te një pacient me vdekje cerebrale dhe funksionoi me sukses për disa ditë.
Ky eksperiment shënon një moment historik, duke ndërtuar një urë mes shkencës laboratorike dhe praktikës klinike. Ai dëshmon se është e mundur të “maskohet” identiteti biologjik i një organi për të shmangur refuzimin e menjëhershëm nga sistemi imunitar, që zakonisht ndodh për shkak të mospërputhjes së grupeve të gjakut.
Ndikimi i kësaj arritjeje për mungesën globale të organeve është i jashtëzakonshëm.
Aktualisht, në SHBA, 11 persona humbin jetën çdo ditë duke pritur për një transplant veshke. Personat me grup gjaku O përballen me pritjet më të gjata, pasi mund të marrin veshkë vetëm nga donatorë të të njëjtit grup. Edhe pse studimi vërejti se shënjuesit e grupit të gjakut filluan të rishfaqeshin pas ditës së tretë, reagimi imunitar ishte dukshëm më i ulët, duke hapur një rrugë të re për të ardhmen.
Përsosja e kësaj teknologjie mund të eliminojë nevojën për terapi të kushtueshme imunosupresive dhe muaj të tërë përgatitjeje, duke e kthyer çdo veshkë të dhuruar në një kandidat të mundshëm për çdo pacient në listën e pritjes.