Shëndeti

Konfirmohet rasti i parë me fruth në vend. Fëmija erdhi nga Anglia

Konfirmohet rasti i parë me fruth në vend. Fëmija erdhi nga

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Shqipëri është konfirmuar rasti i parë me fruth. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një fëmijë të pavaksinuar, i cili është paraqitur për ndihmë mjekësore më 22 dhjetor dhe pas ekzaminimeve është diagnostikuar me këtë sëmundje infektive.

Nga të dhënat rezulton se fëmija kishte ardhur së fundmi nga Britania e Madhe, ndërsa rasti është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme nga Instituti i Shëndetit Publik. Autoritetet shëndetësore sqarojnë se situata konsiderohet e kontrolluar dhe se nuk ka indicie për përhapje të infeksionit.

Aktualisht, fëmija ndodhet nën kujdesin e mjekëve në shërbimin e pediatrisë infektive, ku po merr trajtimin e nevojshëm. Ndërkohë, ISHP ka përfunduar hetimin epidemiologjik dhe deri tani nuk janë identifikuar raste të tjera të dyshuara apo të konfirmuara.

Instituti i Shëndetit Publik vijon të monitorojë nga afër situatën dhe u bën apel prindërve të respektojnë kalendarin e vaksinimit, si një masë thelbësore për parandalimin e sëmundjeve infektive, përfshirë fruthin.