Shëndeti

Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron raportimet: Nuk ka shpërthim fruthi në kopshtet e Tiranës

Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron raportimet: Nuk

Ministria e Shëndetësisë, përmes Institutit të Shëndetit Publik, ka reaguar zyrtarisht duke përgënjeshtruar lajmet e publikuara në disa media, sipas të cilave ishte raportuar për një shpërthim fruthi në kopshtet dhe institucionet parashkollore në Tiranë.

Në njoftimin për publikun, autoritetet shëndetësore theksojnë se nuk ka asnjë rast të tillë dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të informohen vetëm nga burime zyrtare, duke shmangur përhapjen e informacioneve të pasakta që mund të krijojnë panik të panevojshëm.

Instituti i Shëndetit Publik iu bën apel prindërve të respektojnë kalendarin kombëtar të vaksinimit dhe të sigurojnë vaksinimin në kohë të fëmijëve, duke e cilësuar këtë si masën më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit individual dhe publik.

Sipas autoriteteve, vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e sëmundjeve infektive, ndërsa institucioni garanton se do të vijojë të informojë qytetarët në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.