Shëndeti

OBSH zyrtarizon përdorimin e medikamenteve të diabetit për obezitet

OBSH zyrtarizon përdorimin e medikamenteve të diabetit për

Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi të hënën udhëzime të reja për përdorimin e barnave GLP-1 tek të rriturit me obezitet, duke rekomanduar përdorimin e tyre afatgjatë dhe të vazhdueshëm kur ka arsye klinike për këtë.

Udhëzimi përfshin barna si semaglutide (Wegovy), liraglutide (Saxenda) dhe tirzepatide (Zepbound).

Rekomandimet, të publikuara në revistën mjekësore JAMA, nënvizojnë se këto medikamente nuk janë zgjidhje e vetme për krizën globale të obezitetit. Obeziteti është një sëmundje kronike që kërkon kujdes gjatë gjithë jetës dhe trajtimi më efektiv arrihet përmes përdorimit afatgjatë të GLP-1 krahas një programi të strukturuar që përfshin ushqyerje të shëndetshme, aktivitet fizik të rregullt dhe mbështetje të vazhdueshme për të humbur dhe ruajtur peshën, sipas OBSH-së.

Udhëzimi thekson edhe sfidat e mëdha që shoqërojnë këto barna: kosto e lartë, furnizim i kufizuar dhe akses i pabarabartë në vende të ndryshme. OBSH u ka bërë thirrje shteteve të krijojnë sisteme të drejtë dhe të përballueshme, që trajtimi t’u ofrohet fillimisht pacientëve me nevojën më të madhe mjekësore.

Në dokument nënvizohet se këto barna duhet të përzgjidhen dhe përdoren në kontekstin e duhur klinik.

Dr. Arrone shpjegoi se barnat GLP-1 ndihmojnë shumë njerëz të ndjekin më lehtë rekomandimet për ushqyerje, sepse ulin ndjesinë e urisë.

Arrone, i cili ka udhëhequr studime të shumta mbi GLP-1 dhe terapitë kundër obezitetit, theksoi edhe rëndësinë e aktivitetit fizik për të mbrojtur masën muskulore gjatë rënies në peshë, pasi humbja e muskujve është e shpeshtë kur njerëzit hanë shumë pak dhe bien shpejt në peshë.

“Barnat funksionojnë më mirë kur ecin paralel me ndryshime në mënyrën e të ushqyerit dhe sjelljen e përditshme,” tha ai.

“Kur ndjenja e urisë ulet, njerëzit më në fund mund të ndjekin hapat e shëndetshëm që u janë rekomanduar prej vitesh.”

Më shumë se 1 miliard njerëz në botë jetojnë aktualisht me obezitet dhe kjo shifër pritet të arrijë në 2 miliardë deri në vitin 2030.

OBSH tha se udhëzimet e ardhshme do të fokusohen në identifikimin dhe prioritetizimin e individëve me nevojat më të mëdha.