Tip Talk

Basha humbi se besoi që i erdhi radha! Ambasadorja amerikane s’më bezdis se nuk jam snobe që mos ta di sa vend i vogël jemi

Basha humbi se besoi që i erdhi radha! Ambasadorja amerikane

Bisedë në “Arnautistan”, një emision nga Mustafa Nano. Mira Kazhani i është përgjigjur 5 pyetjeve nga Mustafa Nano dhe siç e do rregulli i emisionit tek gazetari, dhe ajo i ka dërguar 5 pyetje.

Kazhani u pyet nga Nano për Humbjen e Bashës, për Protagonizmin e ambasadorëve amerikane si konkretisht Yuri Kim, dhe disa pyetje të tjera që zbuluan jo pak qëndrime të gazetares Mira Kazhani në lidhje me median, analistët që sipas gazetares kanë humbur vlerën në treg dhe njerëzit nuk po i miratojnë më si dikur.

Pse pushtetet e emëruara apo të trashëguara janë të destinuata të mos kenë sukses?

Çfarë i duhet shoqerisë një Nenë Terëzë apo një Angela Merkel ?

Lexo te plotë intervistën:

Nano: Shumë faleminderit që je këtu Mira Kazhani!

Mira: Mirë se të gjeta!

Nano: Merr zgjidh një nga pyetjet që unë kam bërë për ty! (pyetjet jane sekret dhe duhet te zgjedh ne nje vazo disa pergamene të lidhur me fjongo)

Mira: Kënga me çifteli më emocionon më shumë, sepse më çon në prejardhje dhe është gjithmonë, sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë bëhet nostalgjik njeriu. Jo se unë jam... unë jam vajzë e re, por kënga me çifteli më jep një emocion tjetër. Më pëlqen shumë polifonikja, më jep një emocion tjetër, ka ca tekste dhe aty gjej atë ironinë e vërtetë të jugut dhe të Labërisë, është e bukur shumë, por në përgjithësi them rëndësi ka të na pëlqejë muzika

Nano: Ti me këngë me çifteli, je rritur mes tyre?

Mira: Jo, jo, jo. Me këngët e Parasqevi Simakut jam rritur unë. Edhe Anita Bitrin, edhe më këngët e dajës tim, Hysni Milloshit.

Nano: Edhe sot këtej nga veriu... në fakt unë kam shkuar në shtëpi kosovarësh dhe në shtëpi kosovarësh, pothuajse tek të gjitha kam gjetur një çifteli. Po kam shkuar dhe në vitet ’95-’96, atëherë gjeja dhe fotografinë e Rugovës. Këtej nga veriu jonë, nuk ka qenë traditë nëpër shtëpi kjo, jo?

Mira: Jo.. do të më pëlqente të ishte, sepse traditë e bukur është dhe njerëzit duhet të kenë simbole. Simbolet na evidentojnë, nga simbolet është krijuar bota dhe janë domethënëse. Unë i dua simbolet. Por, jo në qytetin tim... të butë shumë matjanët, shumë të qetë.

Nano: Për ne toskët, çfarë mendon?

Mira: Por, si mund të mendosh për ju diçka nënvlerësuese, ju jeni rilindasit e vërtetë.

Pyetja e Mirës Për Nanon: Kujt pronari të mediave në Shqipëri do ja lije çelësat e shtëpisë?

Nano: Tani t’i kujtoj njëçikë... kam pasur Koço Kokëdhimën, i pari... pastaj kam punuar me Marsel Skëndon, pastaj kam punuar në Top Channel me Dritan Hoxhën. Pastaj kam punuar me Aleksandër Frangajn, me Ylli Ndroqin. Çelësin e shtëpisë unë jau lë pa problem, se nuk mund të bëjnë ndonjë dëm. Por, unë me ata pronarët, me një pjesë të tyre nuk do të doja të ndërtoja ndonjë gjë me ta, ndonjë biznes, sepse më duken..

Mira: Pyetja është pak simbolike, ose më qartë cili nga këta meriton të ketë besimin e publikut?

Nano: Mes... hmmm epo këtu më ngatërrove me publikun, sepse ndoshta ata që më kanë ngjallur besim mua, ndoshta publikut nuk i kanë ngjallur besim. Unë nuk e di çfarë mendon publiku për Koço Kokëdhimën, por unë kam pasur një marrëdhënie timen dhe Koços mund t’i besoj çdo gjë dhe sot, në marrëdhënien time personale.

Mira: Këtë duhet të bëjnë gazetarët dhe analistët! Të mos i thonë publikut, gjërat që ata mendojnë që i pëlqen publikut, ta ndihmojnë publikun t’i thonë të vërtetat e tyre. Është shumë e rëndësishme kjo, sepse njerëzit mirë apo keq na besojnë edhe pse kohët e fundit kam kuptuar që nuk u besojnë me analistëve në fakt. Po që e di që më vjen mirë shumë!! Them sa të zgjuar që janë (qytetarët) o Zot!

Nano: Në fakt edhe unë provoj një lloj kënaqësie, kështu mazokiste.

Mira: Shumë, më bëjnë krenare.

Nano: Dëgjo, Marsel Skëndon do ta veçoja, Është një nga zotërinjtë e rëndësishëm të qytetit. Një nga pak zotërinjtë e qytetit që kam njohur si zotëri. Pastaj këta pronarët e tjerë, Frangaj, Ndroqi dhe me radhë janë të viteve të mëvonshme dhe janë pronarë të vitit 2021, janë ndryshe, janë të lidhur shumë me biznesin dhe me paranë dhe kanë ndërtuar gjëra të rëndësishme të mëdha.

Mira: Shkojmë tek pyetja tjetër, se pronarët flenë gjumë top, s’janë si puna jonë.

Nano: Pronarët nuk flenë gjumë asnjëherë.

Mira: S’e di a shohin ëndrra, por për të fjetur, flenë.

Nano: Mira, pse humbi Lulzim Basha?

Nano: Nuk e doje këtë pyetje?

Mira: Jo, e dua, s’ka problem se i janë përgjigjur të gjithë, përveç Bashës. Humbi se nuk e bën dot atë punë dhe më saktë pyetje duhet të ishte, jo pse humbi por pse humb Basha! Do të ishte një pyetje më e saktë, sepse ka humbur disa herë. Thjesht nuk bën. nuk bëhesh kryeministër se të vjen rradha dhe nuk rrëzohet nga qytetarët një pushtet përtokë, nëse nuk ka një version më të mirë të pushtetit matanë.

Nano: Një nga arsyet kryesore Kazhan, që mua më pëlqeu që ndodhi kështu si ndodhi është fakti që njerëzve u hoq iluzioni, se të vjen rradha. Jo nuk të vjen radha, duhet të jesh gati.

Mira: Po! Edhe diçka tjetër dua ta shtoj, se e kam menduar dhe ndodh ndonjëherë në transmetime, harron gjëra të rëndësishme. Është për mua shembulli klasik që asgjë e emëruar, asgjë e dhuruar nuk funksionon. Duhet të rikthehet gara në partitë tona. Koha tregoi që ç’të vjen llokum nuk të çon përpara. Duhet të lodhesh në jetë për disa gjëra. Vetëm kështu mund t’ia dalësh. Duhet të lodhesh, më pëlqejnë njerëzit që ja arrijnë me djersë edhe me pak zemër të mirë, se plus kishte shumë urrejtje kjo fushatë dhe unë them më shumë sesa programet që nuk i pamë shumë të fliteshin, dmth gjëra të përgjithshme, por jo programe mirëfilltazi, njerëzit u bezdisën nga gjuha e urrejtjes. Unë besoj që shqiptarët na kanë dhënë një mesazh, e kam pëlqyer shumë këtë fakt. Shqiptarët na dhanë një mesazh shumë të madh, ata janë përpara nesh që mendojmë sikur po i pararendim dhe po i japim ide dhe analiza. Janë mbi të gjitha normalë, kanë treguar një qetësi dhe një maturi befasuese.

Nano: Për ta mbyllur diskutimin me Lulzim Bashën, nuk të erdhi keq fare për Lulzim Bashën që humbi?

Mira: Mua më vjen shumë keq për humbësit. Por nuk është koha për të të ardhur keq, apo për mos të të ardhur keq. Në këtë kontekst diskutohet Shqipëria, flitet e ardhmja jonë.

Nano pyet Mirën: Është më e dobishme për njerëzimin një jetë e harxhuar në mënyrën e Nënë Terezës, apo një jetë e harxhuar në mënyrën e Angela Merkelit?

Mira Kazhani: Tani është e vështirë t’i krahasojmë njerëzit me jetën dhe figurën e Nënë Terezës.

Nënë Terezën e kemi edhe shqiptare, dalim tek simbolet, se po flisnim për simbolet, është një simbol që na bën krenarë, është një grua e jashtëzakonshme. Unë kam lexuar dhe disa shënime të At Zef Pllumit, dhe ai e përshkruan shumë bukur atë vizitën e parë të saj në Tiranë, bashkë me sekretaren e saj dhe bisedat që bëri dhe pritshmëritë që kish patur. Një nga ato personazhe që do doja ta kisha parë nga afër. Por, nëse më bën pyetjen dhe pyetja ishte, cila do ishte një jetë më e dobishme për shoqërinë, përtej adhurimit dhe përuljes përpara një figure si Nënë Tereza, unë do zgjidhja një politikane si Angela Merkel, sepse bamirësia nuk e shpëton botën. Po të ishte për atë vendet e varfëra, nuk do të ishin më të varfëra do të ishin të pasura. Botën e shpëtojnë politikanët e mirë...

Nano: Ose e varrosin të këqinjtë...

Mira: Dhe po ta vesh re Angela Merkel qëndroi në pushtet nga 2004 në 2021, është ende në pushtet, sigurisht e ka dorëzuar aty do të zhvillohen së shpejti zgjedhje, janë të Gjelbrit atje që po përparojnë, ka zhvillime, sepse është e tillë atje shoqëria, por do kisha zgjedhur gjithmonë një politikane aq të mirë sa Angela Merkel. E kam njohur veçanërisht, në vitin e pandemisë, ishte e zonja të bënte gjithmonë, atë që nuk e bënte asnjë lider tjetër. E kam adhuruar ashtu si një gjyshe e embël

Nano: Tani në fund i doli situata nga kontrolli...

Mira: Shiko, politikanët.. edhe herë të tjera i kanë dalë jashtë kontrolli situata të ndryshme, ajo është gjykuar edhe për marrëdhënien e saj me babain e saj, liderin e partisë Helmut Kohl, të cilin metaforikisht e vrau apo jo?!

Po dalim tek kjo që nuk vihet në pushtet pa bërë një akt të madh dhe pa u lodhur, por ishte grua dhe politikane që e bëri Gjermaninë vetëm më të mirë. Dha dhe një model dhe na mësoi dhe ne çfarë është e mira. Se ne duke jetuar këtu mes njëri-tjetrit fillojmë po ta vesh re, jemi imunizuar nga disa cene, nga disa huqe dhe papritur kur shikon dikë tjetër që po bën diçka që ti as nuk e mendon, kupton që e ke gabim që as e ke idenë si është e mira. Dhe Angela është një leksion i përhershëm. Pastaj më pëlqeu dhe ai fjalimi që mbajti për Helmut Kohl, kur vdiq në 2017-ën.

Nano pyet Mirën:

Te njerëzit u tërheq më shumë inteligjenca, apo ndershmëria?

Mira Kazhani: E tani, të dyja bashkë bëjnë njeriun perfekt ndërsa njeriun e duhur e bën ndershmëria. Kështu që edhe po nuk je inteligjent, për mua nëse jam e detyruar të bëj një zgjedhje, do kisha zgjedhur gjithmonë, mes një inteligjenti dhe një të ndershmi, të ndershmin, se ka shumë inteligjentë që bëjnë dëme të mëdha dhe një inteligjencë e udhëhequr nga një shpirt i zi, mund të rezultojë fatale.

Nano: Po, tek një njeri publik që nuk e njeh, çmon më shumë njeri inteligjent apo një njeri që është i ndershëm?

Mira: Të dyja bashkë.Një njeri publik nuk mund të jetë jo-inteligjent, kur i ka të dyja bashkë është mirë. Kur nuk është njeri i mirë edhe të jetë inteligjent, me rezerva e kam, varet deri ku e ka malinjitetin.

Nano pyet Mirën:

Nuk ju bezdis pushteti dhe protagonizmi publik i ambasadorit amerikan?

Mira Kazhani: Nuk më bezdis, se do isha snobe, ose e paditur të mendoja se do të më shqetësonte mua protagonizmi i një ambasadori amerikan në Shqipëri, kur është për të mirën e shqiptarëve. Folëm bashkë per Ismail Qemalin pak më parë, dhe po thoja që ky vend nga fuqitë e mëdha i është përcaktuar fati. Të mos bëhemi snobë tani dhe të fillojmë të shesim dëngla, për fuqi që nuk i kemi, për mundësinë që s’e kemi. Çfarë kemi ne? Kush jemi ne, pa ata? Ku do ishte Kosova pa ata? Ku do ishte Shqipëria pa ata? A, sigurisht nëse një ambasador do bënte një gjë kundër Shqipërisë, padyshim do të ishte famëkeq, asnjë nuk do e donte, por njerëz që përveshin mëngët dhe që mahniten me këtë vend dhe duan të japin një kontribut, unë i respektoj, i dua dhe them që është më e mira e mundshme. Dua ta mbyll vetëm me një gjë, se unë e kuptoj, përse ma bën pyetjen se është krijuar një modë këtu të tregojmë mëvetësi dhe sikur ne këtu, s’kemi nevojë, ç’është kjo që rendim pas ambasadorëve, se ky vend nuk bëhet nga ambasadorët... sigurisht, ky vend bëhet nga ne! Problemi është që mund të ishim më keq, nëse s’do kishin qenë ata. Po dëgjoja gjatë fushatës, se sigurisht si në Tiranapost, më duhet të ndjek njëçikë edhe ekranet, jo se kam ndonjë pasion të madh të ndjek debatet televizive dhe ishte një analist që nuk do ja them emrin, që vazhdimisht thoshte: “Po, ç’është kjo punë, ç’na duhen? Ç’punë ka ambasadorja amerikane që shkon këtu, çfarë janë ambasadorët? jemi ne!”

Kur seç ndodh një situatë dhe i njëjti njeri e dëgjoja në sfond që zihej me dikë seriozisht dhe vetëm këtë frazë i kapa ku thoshte “Ku ështëëëëëëë ambasadorja amerikane? Pse nuk reagon për x çështje?” Qesha. Kështu që edhe vetë ata e dinë që e thonë për snobizëm dhe harrojnë pastaj.

Mustafa Nano: Ishte shumë kënaqësi, po shumë kënaqësi që të pata këtu në program.

Mira: Faleminderit shumë

Zbardhje e Tiranapost.al/ Nuk lejohet ribotimi pa lejën e editorit