Shënime në Blog

Boshllëku i krijimtarisë prej ekonomisë së kërkesave të shpejta

Boshllëku i krijimtarisë prej ekonomisë së kërkesave

Zëri i Éric Sadin bëhet gjithnjë e më gjëmues me kalimin e viteve. Shkrimtari dhe filozofi francez, ndër më të ndjekurit ndërkombëtarisht, studiues i industrisë dhe teknologjive dixhitale, përshkruan një botë në të cilën inteligjenca artificiale përfaqëson një kërcënim për qytetërimin, siç e njohim deri më sot. Një sistem i qeverisur nga industria, që kushtëzon sjelljet, zakonet, madje edhe ndjenjat.

Profesor Sadin, pozicioni juaj është shumë drastik. S’mund të shpëtojmë asgjë nga zhvillimi i inteligjencës artificiale?
Në njëzetë vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të një sërë shpërthimesh. Për shembull, në vitin 2010 u bë prezantimi i parë me inteligjencën artificiale më të sofistikuar dhe atë që quhet “machine learning”, ku u shënjua një ndryshim epokal. Sot, inteligjenca artificiale është në gjendje të analizojë sasi gjithmonë e më të mëdha të të dhënave në kohë reale, na sugjeron blerjen e produkteve, punëson një kandidat të caktuar për një pozicion të caktuar pune, mund t’i kërkojë korrierit të dërgojë aksh gjë në filan vend duke i diktuar edhe shpejtësinë, i trajton njerëzit si robotë prej mishi e gjaku. Shpërthimi i fundit ndodhi në 30 nëntorin e kaluar, me versionin e fundit të ChatGPT, ose në të vërtetë një lloj të ri të inteligjencës artificiale që jo vetëm i organizon gjërat në mënyrë të gjithëdijshme, por po ashtu ushtron presion mbi vendimet njerëzore, mbi aftësitë tona themelore.

Që do të thotë?
Të prodhosh simbole, gjuhë, të krijosh vepra muzikore, letrare, kinematografike. Sot po kërcënohet krijimtaria, ajo që Paul Valéry e quan “vepra e shpirtit”. Dhe kjo jo vetëm është e banalizuar, por mbështetet edhe nga një klasë politike dhe një sistem ekonomik. Nga pikëpamja antropologjike, ky është një fakt jashtëzakonisht i rëndësishëm, të cilin do ta kuptojmë me kalimin e kohës. Disa studentë përdorin ChatGPT për disertacionet e tyre, të tjerë e përdorin për studime të rëndësishme konsulence dhe gazetarët e përdorin për të krijuar tekstet e tyre. Botuesi i revistës “Bild” në Gjermani deklaroi se brenda pak muajsh do të pushojë një të tretën e punonjësve për shkak të këtij programi.

Libri juaj i ardhshëm, “La vie spectrale” do të trajtojë temat e inteligjencës artificiale si gjeneruese tekstesh, imazhesh, videosh dhe metaverse. Cila është teza juaj?
Zhvillimi i metaversit nënkupton që pjesa më e madhe e veprimeve të jetës sonë filtrohet përmes ekraneve dhe sistemve, siç po bëjmë edhe ne të dy. Kjo gjendje u konsolidua gjatë pandemisë dhe ka të bëjë me blerjet, jetën sociale, barnat, takimet në Whatsapp dhe mbledhjet mes krerëve të shteteve. Gjendemi në një fazë të re të dixhitalizimit të ekzistencës sonë, që pati një hov kur Mark Zuckerberg njoftoi lindjen e Metaverse në tetor 2021. Është një kapitalizëm i ri, ai i “palëvizshmërisë së trupave”, sepse është bota që vjen gjithnjë e më shumë drejt nesh. Me inteligjencën gjeneruese artificiale, shfaqet po ashtu një ekonomi e re, ekonomia "e shpejtë", e aftë për të gjeneruar tekste, imazhe, video, muzikë ose media të tjera në përgjigje të kërkesave. Unë nuk jam profet, por në dy dekadat e ardhshme do të jemi dëshmitarë të epokës së "shpejtësisë" së përgjithshme, humbjes së aftësive tona njohëse dhe krijuese. Njerëzimi do t'i drejtohet gjithnjë e më shumë "kërkesave": "Më shkruaj një fjalim", "Më shkruaj një letër pushimi nga puna", "një letër dashurie", "një tekst për t'u përdorur në shkollë".

Kohët e fundit Elon Musk dhe Sam Altman, bashkëthemeluesit e OpenAI, kompania që krijoi ChatGPT, thanë se ishin të shqetësuar për përdorimin pa kriter të inteligjencës artificiale. A mos janë penduar?
Për asgjë nuk pendohen. José Ortega y Gasset thoshte: “Për të qenë inxhinier, nuk mjafton të jesh inxhinier”. Duhet ndërgjegje, thoshte. Sipas analizës sime të kryer në këta pesëmbëdhjetë vite, inxhinierët janë të nënshtruar, nuk reagojnë më në bazë të dëshirave të tyre, të interesit për të zbuluar, por i nënshtrohen interesave të jashtme dhe nuk kanë vetëdije për pasojat. Për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh me inteligjencën artificiale, ka ardhur koha të mos pyesim më inxhinierët dhe në vend të tyre të flasim me ata që vuajnë pasojat e teknologjisë. Në librin tim të radhës analizoj rastin e Geoffrey Hinton (një nga kumbarët e inteligjencës artificiale) i cili në moshën 75-vjeçare, me shumë guxim, dha dorëheqjen nga Google pasi kuptoi se inteligjenca artificiale kishte shkuar shumë larg. Si nuk e kuptuan këta njerëz se çfarë po ndodhte? Si ia dalin Sam Altman dhe Elon Musk të artikulojnë fjalime të tilla skizofrenike, ndërkohë që publikojnë peticione duke thënë: ky sistem po shkon shumë larg. Ama marrin pjesë në të prej pesëmbëdhjetë vitesh. Nuk mund t'i marrim seriozisht.

Më 14 qershor, Parlamenti Europian miratoi pozicionin mbi “AI Act”, rregulloren europiane mbi inteligjencën artificiale. U votua kundër përdorimit të sistemeve biometrike të identifikimit në hapësirat publike, siç është njohja e fytyrës në kohë reale. Çfarë peshe ka ky vendim?
Tani për tani është vetëm një hap, por ka një turbullim të madh mbi këtë temë. Dhe është tragjikomike të shohësh Thierry Breton, komisionerin evropian për tregun dhe shërbimet e brendshme, i cili ishte CEO i “Atos” (kompania e madhe e shërbimeve IT) që për dhjetë vjet investoi miliarda në kompjuterët kuantikë, të cilët përshpejtojnë mekanizmat për të cilët po flasim. Tani ai është sherifi i madh që paralajmëron opinionin publik për rreziqet që lidhen me industrinë dixhitale dhe deklaron se, më në fund, Europa do të ndërtojë një mur për të mbrojtur veten. Por me kë po tallen? Sa i përket “AI Act”, pika më e rëndësishme është se nuk do të ketë ekseset që ekzistojnë në Kinë: analiza e sjelljes, ndalimi i disa personave që të kryejnë veprime të caktuara nëse kanë një reputacion të keq. Akti thotë vetëm se Europa do të kujdeset për të dhënat personale, do të mbrojë të drejtat e autorit, do të parandalojë diskriminimin. Po për çfarë shërben kjo, kur në realitet mbështet zhvillimin e industrisë, inteligjencës artificiale dhe inteligjencës gjeneruese artificiale. Megjithatë, sot ka ardhur koha për të miratuar ligje të rënda që respektojnë ligjin natyror, si ligjet kundër dënimit me vdekje, racizmit dhe diskriminimit.

*Éric Sadin është një shkrimtar dhe filozof francez, i njohur për analizat e tij kritike ndaj zgjerimit të teknologjisë. Ai kontribuon në media të tilla si “Le Monde”, “Libération”, “Les Inrockuptibles” dhe “Die Zeit”. Ndër veprat e tij të fundit është “Silikonolizimi i botës”, ku thekson kontrollin që ushtrohet mbi njerëzit nga Silicon Valley bazuar në të dhënat që ne gjenerojmë.