Nëse e pyet Fernando Aramburun se cili është identiteti i tij, ai nuk përgjigjet “jam shkrimtar bask”. As nuk e tund gjuhën e vendit të tij si flamur që i kundërvihet të tjerave. Nuk vetëpërcaktohet bazuar në një sërë të dhënash biografike. Edhe pse ka lindur në San Sebastián, është rritur në një tokë të copëtuar nga fanatizmi dhe ka bërë për vete miliona lexues duke treguar historinë e vendit bask dhe plagët e shkaktuara nga shtypja dhe dhuna e ETA-s si askush tjetër, fjala “identitet” për të meriton një reflektim më të përpunuar.
Dhe në fakt thotë: “E konsideroj veten një njeri centrifugal. Me çdo libër që lexoj, me çdo film që shoh dhe me çdo udhëtim që bëj, përpiqem të ndryshoj ose të thyej diçka brenda meje, gjithmonë me synimin për të braktisur atë që është statike apo e njohur dhe për t'iu drejtuar në mënyrë miqësore të tjerëve, atyre që janë përballë meje dhe nuk janë si unë, por janë po aq njerëz sa unë. Nuk ndihem si ajo pema që rritet dhe jeton gjithë jetën aty ku i mbi fara. Po, unë kam origjinën time, ndjenjat e mia, preferencat e mia, por shumë kohë më parë, kur isha i ri, nuhata se bota nuk mbaronte në fund të rrugës sime, e prandaj u largova dhe takova njerëz të tjerë, kultura të tjera, gjuhë të tjera dhe më dukej se kjo ishte gjëja më interesante që mund të bëhej”.
Aramburu, çfarë kuptoni ju me fjalën identitet?
Vetëdijën që një individ ka për veten bazuar te lidhja me grupet apo komunitetet ku ai e konsideron veten pjesë.
Si e konceptoni marrëdhënien midis identitetit dhe tjetërsisë?
Nuk mendoj se mund të vendoset një ndarje e qartë. Ne vazhdimisht e përkufizojmë veten në marrëdhënie me të tjerët, duke u konsideruar si ata apo kundër atyre. Kur pyesim dikë se cili është, qartësisht përgjigja e tij nuk do të mjaftohet vetëm duke treguar se si e sheh reflektimin e vetes në pasqyrë, por do t’i referohet vetëdijes që ka për përkatësitë e tij të shumta: vendit, gjuhës, skuadrës së futbollit, bindjeve politike apo fetare, gastronomisë së vendlindjes së tij. Po ashtu do të na thotë se cili nuk është apo cili nuk do të jetë.
Kur pushon identiteti së qeni një pyetje personale dhe shndërrohet në çështje politike?
Identiteti gjithmonë është një çështje politike sepse lind si pasojë e lidhjes së qytetarit me polisin. Unë jam ai që jam sepse e gjej përkufizimin tim në bazë të një realiteti shoqëror. Shihni amerikanët. Shkelin në Hënë dhe gjëja e parë që bëjnë është të ngulin flamurin e tyre, pikërisht për të riprodhuar komunitetin politik dhe kulturor që i lejon ata të jenë pikërisht ata që janë.
A mund të flasim për një identitet europian?
Është e pamohueshme që pas Luftës së Dytë Botërore kombet europiane janë afruar gradualisht. Përkatësia e një strukture mbikombëtare, bashkëndarja e së njëjtës monedhë, integrimi në zonën Shengen dhe respektimi i një sërë marrëveshjesh krijon një komunitet që padyshim kontribuon në nxitjen e ndjenjës së identifikimit kolektiv te qytetarët, në atë masë që na bën të vetëdijshëm për gjithçka që ata ndajnë me njëri-tjetrin. Unë nuk jam italian, por sa herë që vizitoj Italinë kam ndjenjën e këndshme të të qenit në shtëpi ose të paktën në shtëpinë e miqve dhe të afërmve, gjë që nuk ndodh nëse vizitoj, për shembull, Japoninë, Burkina Fason ose Kanadanë.
Në disa prej partive që fituan mbështetje të madhe në zgjedhjet e fundit europiane, mbrojtja e identitetit përkthehet në legjitimim të racizmit dhe ksenofobisë. Ç’shpjegim i jepni kësaj?
Kjo nuk është diçka që u përket vetëm njerëzve. Bëhet fjalë për mbrojtjen e territorit, të hapësirës së banimit që rezervohet për të lindurit aty. Shimpanzeja, ujku apo hipopotami nuk përdorin gjysmë fjalët apo devijimet kulturore. Ata e sulmojnë menjëherë mësymësin i cili sfidon dominimin e tyre duke shkuar aq larg sa të lërë gjurmë gjenetike dhe të vjedhë ushqimin. Ksenofobia gjithashtu e konsideron të huajin një anomali dhe sheh atë si prani gjithmonë shqetësuese të së panjohurës dhe për rrjedhojë të rrezikshme.
Çfarë efekti mund të ketë ngritja e nacionalizmit? A mund ta dobësojë demokracinë?
Nacionalizmi është taksativ. Të vendos përballë një liste kërkesash të detyrueshme për t’u plotësuar, prandaj përshtatet me shumë vështirësi me demokracinë në mënyrën se si e njohim sot. Ndonjëherë lind si një reagim i dhimbshëm dhe jo si patriotizëm i thjeshtë dhe i natyrshëm, një ndjenjë që unë e konsideroj të respektueshme. Në tokën time përjetova një nacionalizëm agresiv, të postuluar nga qytetarë që i konsideronin shenjat e tyre identitare në rrezik zhdukjeje. Personalisht sa herë dëgjoj dikë të thotë se “Atdheu duhet shpëtuar”, ia mbath.
Cila mund të jetë një përgjigje e vlefshme ndaj atdheut të vogël, ndaj nacionalizmave mbizotërues?
Ekzistojnë atdhe të vegjël. Pse të mos i respektojmë? Pse të mos u ofrojnë qytetarëve të tyre garanci se hapësira e dashurisë së tyre nuk rrezikon të zhduket dhe se në komunitetin global është rezervuar një vend për ta?
Jetojmë në kohë luftërash. Cili duhet të jetë roli i Bashkimit Europian?
Bashkimi Europian nuk ka arritur të ndërtojë një entitet ekonomik dhe ushtarak në gjendje për t’u bërë ballë bindshëm kombeve të mëdha grabitqare të cilat konkurrojnë për të mbizotëruar planetin. BE-ja ka arritur të krijojë një hapësirë vlerash dhe të drejtash, dhe më e keqja që mund të ndodhë është të ndalojë së besuari në këtë hapësirë. Roli kryesor që mund dhe duhet të luajë në këtë kohë është t'i tregojë pjesës tjetër të botës se demokracia vazhdon të jetë jo vetëm një sistem i vlefshëm, por një sistem i dëshirueshëm.
Cili mund të jetë roli i letërsisë në krijimin e një ideje të bashkëjetesës?
Besoj se letërsisë i mjafton të jetë letërsi e mirë, kuptimplotë dhe ndoshta emocionuese dhe e bukur për ata që marrin mundimin t'i afrohen. Që të mund të kishte një ndikim social, do të duhej të lexohej nga miliona qytetarë dhe, me sa di unë, kjo rrallë ndodh.
*Fernando Aramburu është shkrimtar spanjoll, autor i romanit të njohur “Atdheu” i cili është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Autor i disa romaneve dhe poezive, ai është nderuar me çmime të rëndësishme letrare si “Tusquets”, “Çmimi Vargas Llosa”, “Çmimi Kombëtar i Kritikës” etj. Intervista për Stefania Parmeggiani u përkthye në shqip nga Erjon Uka.