Disa qëndrojnë në pushtet, sepse të tjerët nuk e dëshirojnë mjaftueshëm
Nga Erjon Uka/ Viti 1975, pranverë, Nicë. Një 20-vjeçar ftohet në kongresin e Union pour la défense de la République, partisë goliste në Francë, e cila po përpiqej të riorganizohej pas një humbje disi të sikletshme të një viti më parë. Pa ndonjë eksperiencë të mëparshme në politikë apo ndonjë synim të qartë, ai lëkundet mes dy frikave: frikës se mos mentori i tij politik nuk do ta mbajë fjalën për ta nxjerrë në podiumin e sallës së stërmbushur, apo nëse pikërisht do ta mbajë pramtimin e për pasojë do t’i duhet të flasë përpara një turme të ekzaltuar.
Bëhet fjalë për një frikë, një dridhje impulsesh nervore a fluks emocionesh fare i natyrshme për ata që mbajnë ndezur dëshirat e zemrës, e njëkohësisht nuk pranojnë të tërhiqen nga arsyetimet matematikore të logjikës. Kushti për një lojë të suksesshme është t’i mbash të aktive të dyja këto anë, t’i ushqesh vazhdimisht por t’u japësh përparësinë secilës në kohën e duhur. Dhe 20-vjeçari e mbajti atë fjalim, turma e duartrokiti, anëtarët e vjetër të partisë e dalluan, ndërsa drejtuesi i atij kongresi, njëfarë Jacques Chirac, e ftoi në kryeministri të hënën e parë pas eventit.
20-vjeçari i vitit 1975 është Nicolas Sarkozy dhe këtë ngjarje, si shumë të tjera, e rrëfen në librin “Pasione”, të botuar një vit më parë në Francë dhe së fundi edhe në Shqipëri (Botimet “Dudaj”). Simpatia për figurën e Nicolas Sarkozy ka qenë dhe mbetet, siç besoj për shumë prej nesh, në nivele nën-mesatare ose gati-gati indiference, megjithëse pa ndonjë shkak madhor. Ama rrëfimtaria me një gjuhë sa të drejtpërdrejtë aq edhe të mprehtë në përshkrimin e pushtetit, është një kënaqësi që askush me interes në këto tema nuk duhet t’ia mohojë vetes.
Siç e shkruan që në fillim, Sarkozy beson edhe vetë “se njeriu mund të jetë vëzhguesi më i mirë i veprimtarisë së vet”, si për ta bërë të qartë paktin fillestar se kronikani dhe personazhi në libër janë i njëjti person, ndaj është në dorën e gjithsecilit të zgjedhë masën e besueshmërisë. Por përtej ngjarjeve, ku pjesa më e madhe sigurisht të prezantojnë me kontektstin francez, deduksionet e tij kalojnë gati-gati në filozofi politike.
I rritur në një familje të thjeshtë, në mungesë të babait, i lidhur ngushtë me gjyshin, Sarkozitë ishin “tepër të kamur për të qenë të varfër, tepër të drejtë për të qenë të kamur”. Student dhe lulishtar deri në kohën e kongresit të Nicës, u bë herët pjesë e politikës i nxitur nga Jacques Chirac, me të cilin marrëdhënia përtej mirënjohjes fillestare, do të ishte gjithmonë e komplikuar dhe në majë të fijes deri në kalimin e pushtetit në vitin 2007: Në shkallët e Elizesë, ishte pikërisht Jacques Chirac, 32 vjet pas kongresit të Nicës, që i la vendin Nicolas Sarkozisë.
Tradhti? Vrasje politike? Mosmirënjohje? Ai shkruan edhe për ketë pjesë, duke çmitizuar tradhtinë dhe mosmirënjohjen nga ngjyrimet gjinore, nga mosha, nga periudha apo orientimi politik: Të gjithë mund të jenë mosmirënjohës dhe tradhtarë në një moment të jetës së tyre politike, ka ndodhur e do të ndodhë për shkak të konkurrencës, prej posteve të pakta dhe aksesit të kufizuar në pushtet, nga hipertrofia e egos në të gjitha profesionet publike, apo nga frika se “mos të shkon huq mundi për të pasur një karrierë të shkëlqyer”. Madje tradhtia mund të ndodhë nga ata që u ke dhënë gjithçka më shumë se prej atyre që nuk u ke dhënë asgjë: jo të gjithë janë gati të marrin përgjegjësi, të rrezikojnë, të ushtrojnë pushtet. E kur “i detyron” ta bëjnë këtë, inati nuk para shuhet kollaj.
Karriera e tij me luhatje ka kaluar nga majat e pushtetit në moshë shumë të re, në humbjet katastrofike politike. Nga përballja si njeri i urryer në krye të Ministrisë së Brendshme, në fitoren e zgjedhjeve të vitit 2007, nga divorci një muaj pas marrjes së pushtetit te martesa e beftë me Carla Brunin që theu çdo parashikim për një divorc tjetër të shpejtë pas humbjes së pushtetit.
Në fakt, një episod në zgjedhjet europiane të vitit 1999 tregon dallimin mes “kafshëve” politike. Philippe Séguin, partner i Sarkozy dhe kryetar i partisë Rassemblement pour la République, një muaj përpara votimeve, për shkak të problemeve të brendshme jep dorëheqjen, fik telefonin dhe thjesht zhduket! Ishte një impuls i çastit, por ishte edhe vetëvrasja e tij politike. Asnjëherë më pas nuk mori ndonjë post të qenësishëm. Ndërkohë, Sarkozy e gjeti veten kryetar të një partie, udheheqësi shpirtëror i së cilës dhe presidenti i vendit Jacques Chirac e urrente për vdekje. Zgjedhjet u humbën, rezultati ishte më i ulëti në histori, Sarkozy u përqesh publikisht. “Suksesi krijon smirë. Dështimi pjell vetminë”, do ta përshkruante ai këtë moment.
Por vetëm pak vite më vonë, u rikthye sërish në kabinetin e Chirac, dy herë në krye të Ministrisë së Brendshme dhe një herë në drejtim të Ministrisë së Financave, duke përgatitur ngjitjen e tij në Pallatin Presidencial.
Është ky momenti tregues se loja politike nuk është një “one-stop-shop”. Rrëfimi i Sarkozy sigurisht që injekton rëndësinë e nervave të ftohta dhe kristalizimin e qëllimit, por pa më të voglin ngurrim është një elozh për pasionin. Pa pasionin për politikën, për turmat, për fitoren, për revanshin politik, e sigurt se nuk do ta arrinte majën e pushtetit në Francë, edhe sikur rrugën ta kishte të parashtruar. Në dukje është një rrëfim për politikën, por në thelb është një leksion jete.