Ekonomia e Rusisë nuk ka këllqe t’i rezistojë çmendurisë së Putinit
“Sulmi mbi Ukrainë e izolon Putinin nga të gjitha frontet: në OKB, në Europë e madje edhe në Kazakistan, një prej aleatëve më të fortë të Moskës që tani refuzon të dërgojë trupa në Ukrainë. Por ka telashe edhe në shtëpi: e pamë në Këshillin e Sigurisë se si presidenti hoqi sysh edhe njerëzit e afërt që përpiqeshin ta bindnin për t’u dhënë një shans negociatave. Unë vetë nuk e besoja se në Moskë dhe në Shën Petërburg do të organizoheshin protesta kaq të mëdha nga rusët, pavarësisht shtypjes së rëndë të popullit. Por përtej dënimit që është duke i bërë bota, Putini po kryen të njëjtin gabim që bëri edhe Bashkimi Sovjetik 40 vite më parë: një përpjekje luftarake që është në disproporcion me fuqinë ekonomike të vendit. Sot mund ta djegë Ukrainën, por në fund nuk do të dalë fitimtar nga kjo sfidë që ka nisur”.
Autor i shumë eseve, duke nisur me të famshmen “Ngritja dhe rënia e fuqive të mëdha” me të cilën në vitet ’80 parashikoi shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik, tre muaj më parë historian Paul Kennedy siguroi se Kina nuk do ta merrte me forcë Tajvanin, por ndërkohë u shfaq i shqetësuar për situatën në Europë: “Putini ka një fiksim ideologjik me Ukrainën, do të mbrojë kulturën ruse në ish-Bashkimin Sovjetik dhe është i bindur se mban mbi shpatulla një rol të veçantë në fatin e Rusisë. Kombinim shumë i rrezikshëm.”
Tre muaj më vonë, kur profecia iu realizua, i rikthehemi bisedës me historianin e Yale.
Sot Putini po administron me vendosmëri të egër një sulm që ai e ka përgatitur me përpikëri: po sfidon një mozaik perëndimor të demokracive me interesa shpesh herë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe një NATO të ndryshkur dhe burokratike. Sanksionet, nëse funksionojnë, do të japin rezultate pas disa muajsh: tani kemi vetëm rezistencën heroike të ukrainasve.
Putini na duket i fortë sepse ka shpenzuar 70% të parave ruse për të ndërtuar armë të reja, anije dhe avionë. Por ekonomia ruse ngrihet mbi themele shumë të brishta. Ndoshta kjo gjë nuk duket qartë sot, kur Moska po jeton më shumë falë karburantit dhe gazit, përveçse mbi rezervat e grurit. Prandaj është i vështirë aplikimi i sanksioneve me efekt të menjëhershëm. Por ato sanksione që janë vendosur, gjithsesi do t’i japin rezultatet në muajt e ardhshëm. Tani për tani, sulmi ndaj Ukrainës vazhdon, por Putini ndoshta po hedh 80% të forcave të tij efektive ushtarake në të. Nuk e di sa e qëndrueshme është. Plagët e sanksioneve do të nisin të japin dhimbjet e para shumë shpejt. Duke pushtuar një vend sovran, ai në fakt po i jep energji të re NATO-s dhe Bashkimit Europian. Po i nxit të rinovohen.
A mundet që një si Putini t’i bëjë llogaritë gabim?
Ka ndryshuar shumë. Njihnim një lider autoritar, por edhe pragmatik. Ndoshta brutal, por me aftësi të mëdha politike. Një Bismark. Por ai që kemi përballë sot s’është veçse një lider dogmatik, gjithmonë e më shumë i fiksuar pas çështjes ukrainase, që ndihet i tradhtuar nga Perëndimi. Shihni distancën që mban kur takohet me liderët e tjerë apo kur mbledh ministrat. Shihni pamjet e ceremonisë së “Luftës Patriotike”, në ditën e parë të sulmit. Më shumë se Bismarku, duket më shumë si Charlie Chaplin te “Diktatori i madh” në vitin 1940.
Jeni ende i bindur që Kina nuk do ta sulmojë Tajvanin? A s’do të përfitonte Pekini nga kriza ukrainase për të imponuar shkartisjen e letrave në ekuilibrat botërorë?
Nuk e besoj. Xi Jinping nuk e ka me nxitim si Putini, koha luan në favor të tij. Ai është më i vëmendshëm për reputacionin e Kinës dhe nuk do të prishet me Perëndimin. Mbrëmjen e kaluar, ne pedagogët e Yale u takuam në Zoom me kolegë të një universiteti të madh kinez, në prezencë edhe të dy anëtarëve të Byrosë Politike, për të kremtuar 50 vjetorin e vizitës së Richard Nixon në Pekin, ngjarje që i hapi Kinës dyert e botës. Kinezët, përfshi anëtarët e Byrosë Politike, kanë qenë të palëkundur në dënimin që i kanë dhënë Rusisë për sulmin e pajustifikuar ndaj një vendi sovran. Pastaj, natyrisht, ata theksuan se Tajvani është tjetër rast, sepse ligjërisht ishulli është pjesë e Kinës, nuk është një komb tjetër. Por pa tone kërcënuese. Nuk mendoj se Kina dëshiron ta bëjë këtë krizë edhe më shpërthyese.
Pyetjes nëse Kina do të merrte pjesë në përpjekjen për të izoluar Rusinë, Biden iu përgjigj se nuk ishte në gjendje të thoshte ndonjë gjë.
Dhe mirë bëri. Nuk ka dyshime se Xi s’mund të bëhet marionetë e rrethimit që do t’i bëhet Rusisë me regji të Shteteve të Bashkuara. Por nëse institucionet ndërkombëtare do t’i vendosin sanksione Moskës, mendoj se Pekini nuk do të kundërshtojë.
Anne Applebaum (historiane dhe gazetare amerikane) i druhet edhe kërcënimit që Rusia mund t’i bëjë Gjermanisë. Disa vite më pare, ministri i jashtëm rus Lavrov argumentoi gjatë një konference ndërkombëtare se ribashkimi i Gjermanisë ishte bërë në mënyrë të paligjshme.
Anne është shumë e mprehtë. Për Putinin, Gjermania është një plagë e hapur ashtu siç është edhe Bashkimi Sovjetik. Kur ra muri i Berlinit, ai ishte një funksionar i ri i KGB-së në Dresda, i gjendur papritmas pa mbrojtje, ndaj dogji dokumentet sekrete dhe u largua për në Moskë. Ka qenë një poshtërim që ende i djeg dhe e shtyn të kundërshtojë një bashkim i cili është kryer edhe në mungesë të ndonjë firme në dokumentet formale, që duhej të ishin nënshkruar nga katër fuqitë e traktatit të Potsdamit – SHBA, BRSS, Britani e Madhe dhe Francë – por që në fakt është ratifikuar dy herë nga ana e Moskës zyrtare: fillimisht në 1989 dhe më pas në 1991, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik. Pra bëhet fjalë për një fiksim, që sigurisht është i rrezikshëm, por siç thashë më parë, nuk besoj se Putini ka mjete ushtarake për të shkuar shumë më larg se Ukraina. Mund të tundohet nga një përballje me shtetet e vogla, si republikat baltike. Do të ishte një veprim i çmendur, me efekte katastrofike për të gjithë.
Shumë nga e djathta ia atribuojnë krizën dobësisë së Bidenit dhe egërsisë së Putinit. E cila, megjithatë, dobësohet nga Trump që vazhdon të mohojë legjitimitetin e zgjedhjes së Biden dhe të lavdërojë diktatorin rus: për të ai është një gjeni dhe një njeri i mençur.
Trump e admiron Putinin: ai do të donte të ishte një autokrat si ai. Lavdërimi i tij mund të jetë një lajm i mirë në planin afatgjatë: mund të jetë tronditja që do të shkundë ndjekësit republikanë të ish-presidentit. Shumica e amerikanëve e urrejnë Putinin dhe izolacionin e së djathtës ekstreme amerikane.
*Paul Kennedy është historian britanik, me fokus marrëdhëniet ndërkombëtare, fuqinë ekonomike të shteteve dhe strategjitë diplomatike. Prej vitit 2003, është pjesë e Akademisë Britanike. Intervista për Massimo Gaggi u përkthye në shqip nga Erjon Uka.