Grazie Mamma Erasmus, për Europën e studentëve!
Erjon Uka/ Kur unë përjetova gjashtë muaj Erasmus, pra një semestër universitar nga Tirana në Bolonja, as nuk e dija kush e kishte krijuar programin.
Thuhej “program europian” dhe kaq mjaftonte për t’i dhënë prestigj. Gjërat e bukura mjaftohesh t’i shijosh dhe s’e çan shumë kokën me pyetje. Pyetjet janë për më vonë, ose kur diçka nuk shkon.
Dhe shumë më vonë mora vesh se edhe Erasmusi kishte një “mama”. Sofia Corradi ishte "zysha" italiane që ngjizi në vitin 1969 konceptin e parë, i cili në vitin 1987 u shndërrua në Erasmus.
Me siguri, po të ishte burrë, do të ishte përpjekur më fort t’i vinte programit emrin e saj. Vështirë se ka diçka që e konkurron dëshirën e burrave për të shenjuar idetë, programet a bizneset me emrat e tyre, siç fundja janë “Plani Marshall”, “Deklarata Schuman” e dhjetëra të tjerë.
Në vend të kësaj, programit iu gjet emri i një tjetër burri, Erazmit të Roterdamit, humanistit mesjetar holandez, që fjalën e lirë në epokën e turrës së druve, e ktheu në motiv jete. Simbol i qëlluar, nuk ke ç’të thuash!
“Studenti, edhe nëse nuk i përket një familjeje me banim jashtë vendit, mund të kërkojë të zhvillojë një pjesë të programit të tij të studimeve në një universitet të huaj, duke ia paraqitur kërkesën për miratim paraprak Këshillit të Fakultetit. Këshilli i Fakultetit mund të deklarojë ekuivalencën e studimeve, e cila do të bëhet përfundimtare pasi studenti të ketë paraqitur dokumentacionin përkatës që vërteton studimet e kryera jashtë vendit”, shkruante Sofia Corradi në memorandumin prezantuar Ministrisë së Arsimit të Italisë në vitin 1969.
Ideja, siç ndodh përgjithësisht me ato që shkaktojnë ndryshime të mëdha, i erdhi nga një vështirësi personale. Pas studimeve në Shtetet e Bashkuara, në Romë u përball me një pengesë të pamenduar: “La Sapienza” nuk ia njohu diplomën e marrë jashtë vendit, duke i kërkuar të ndiqte sërish programin e rregullt të studimeve në atdhe. Dhe nga shkëndija e inatit përzierë me dëshirën për ndryshim, lindi kjo ide e programit Erasmus, një vizion që do t’u hapte rrugën brezave të ardhshëm për të studiuar lirshëm në universitetet e Europës.
Pjesa tjetër dihet.
Në katër dekada, ajo e pa krijesën e vet të ndikonte në jetën dhe botëkuptimin e 10 milionë studentëve që ndoqën programin Erasmus duke formësuar, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, ndjenjën e përkatësisë europiane pikërisht tek ata që Europën e kuptonin më pak se çfarë ishte. Është e vërtetë, thoshte, se Erasmusi nuk ka prodhuar profesionistë më të mirë, por e sigurt që ka krijuar njerëz më të mirë.
Nuk e di ndjesinë që ka provuar, por besoj se shumë pak njerëz arrijnë që në të gjallë të shohin frytet e vizionit të tyre të ndikojnë për mirë në miliona jetë. Në njoftimin e “La Repubblica” për ndarjen nga jeta të profesoreshës, lexoja komentet që nuk ishin ngushëllim, por falenderim. Dikush e falenderonte për bashkëshortin të cilin e njohu në program Erasmus; Një tjetër për eksperiencën më të bukur të jetës; Një vajzë e shkruante komentin e saj nga Lisbona, ku po ndiqte semestrin Erasmus; Kurse një djalë tjetër, i thoshte me shpoti se ishte “përgjegjëse” për tradhtitë që çiftet i bënin njëri-tjetrit në qytetet ku studionin përkohësisht.
Sot “Mamma Erasmus” nuk është më. Por Erasmusi dhe Europa, ende.