Shënime në Blog

Kërkimi i lumturisë, sipas studimit më të gjatë të kryer ndonjëherë

Kërkimi i lumturisë, sipas studimit më të gjatë të

Nga Robert Waldinger/ Dua që të mendoni edhe një herë se sa herë keni përsëritur fraza si kjo: “Ah sikur të fitoja një lotari, të gjitha problemet e mia do të mbaronin”. Unë e kam menduar shpesh për një kohë të gjatë të jetës sime. Por ndoshta ka një gabim në këtë përllogaritje dhe nuk e them thjesht për retorikë.
Dua të tregoj një sekret: shpesh ngatërrojmë lumturinë me rehatinë.

Një kërkim i fundit mbi Gjeneratën Y (për personat që kanë lindur nga vitet ’80 deri në 2000) mori për bazë përgjigjet e tyre mbi gjërat që konsideronin më të rëndësishme në jetë. Mbi 80% u përgjigjën se objektivi më i rëndësishëm në jetë ishte të bëheshin të pasur. Pjesa e mbetur prej 20% u përgjigj se objektivi madhor në jetë ishte të bëheshin të famshëm. Duket e pabesueshme, por ndoshta nuk duhet të habitemi edhe aq shumë.

Vazhdimisht na thuhet se duhet të angazhohemi në punë, të japim më të mirën dhe të marrim gjithmonë e më shumë. Kemi përshtypjen se duhet të shqetësohemi pikërisht për këto gjëra për të pasur një jetë të bukur. Po nëse do të kishim mundësinë të vëzhgonim jetët e plota teksa jetohen? Nëse do të mund të studionim njerëzit nga adoleshenca deri në një moshë të pjekur, për të parë se çfarë i bën të lumtur dhe çfarë i mban të shëndetshëm? Epo ne e kemi bërë!

Studimi i Harvardit mund të jetë studimi më i gjatë i kryer ndonjëherë. Për 75 vjet kemi vëzhguar jetët e 724 njerëzve, vit pas viti, duke i kërkuar informacione për punën e tyre, për përditshmërinë, për shëndetin, për rrugëtimin e gjatë të jetëve pa e ditur se si do të zhvilloheshin historitë e tyre.

Studime si ky janë jashtëzakonisht shumë të rralla. Por falë një kombinimi të favorshëm dhe falë këmbënguljes së disa gjeneratave të kërkuesve, ky studim mbijetoi. Rreth 60 prej 724 njerëzve tanë janë ende gjallë. Dhe sot kemi nisur të studiojmë jetët e mbi 2000 fëmijëve të këtyre njerëzve. Unë jam drejtori i katërt në historinë e këtij studimi.

Që prej vitit 1938 kemi vëzhguar jetët e dy grupeve njerëzish. Grupi i parë mori pjesë teksa ishin të regjistruar në Harvard, të gjithë përfunduan studimet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shumica prej tyre mori pjesë në luftë. Grupi i dytë përbëhej nga të rinj të periferive të varfra të Bostonit.

Ishte e pabesueshme të ndiqje jetët e tyre. Këta adoleshentë u bënë të rritur, u bënë punëtorë, avokatë, muratorë dhe mjekë, madje njëri prej tyre arriti të bëhej President i Shteteve të Bashkuara. Disa u bënë të alkoolizuar dhe një pjesë e vogël skizofrenë. Disa kaluan përmes piramidës sociale nga poshtë për të mbërritur në majë, disa të tjerë bënë të njëjtin rrugëtim, por në drejtim të kundërt.

Për të pasur kornizën më të qartë të mundshme të jetëve të tyre, nuk mjaftohemi vetëm me dërgimin e pyetësorëve. Flasim me ta, shohim kartelat e tyre klinike, analizojmë gjakun dhe trurin e tyre, flasim me fëmijët e tyre. I filmojmë teksa flasin me bashkëshortet e tyre për shqetësimet më të mëdha.

Dhe çfarë mësuam? Mësimet nuk kanë të bëjnë me pasurinë, me famën apo me faktin e të punuarit gjithmonë e më shumë. Mesazhi më i qartë që marrim nga ky studim 75 vjeçar është ky: janë marrëdhëniet e vërteta ato që na bëjnë më të lumtur dhe na mbajnë më të shëndetshëm.

Kemi kuptuar tre mësime të mëdha përsa i përket marrëdhënieve.
Mësimi i parë është se lidhjet shoqërore na bëjnë shumë mirë, ndërsa vetmia vret. Na rezulton se personat që janë më të lidhur me familjen, me miqtë, me komunitetin janë më të lumtur, më të shëndetshëm fizikisht dhe jetojnë më gjatë. Vetmia është toksike. Shëndeti përkeqësohet më shpejt, truri nis të bjerret dhe jetët bëhen më të shkurtra.

I dyti mësim më i madh është se ajo që ka rëndësi është cilësia e marrëdhënieve të ngushta. Të jetosh mes konflikteve është shumë e dëmshme për shëndetin tonë. Martesat grindavece apo ato pa përkujdesjen e mjaftushme, më shumë se shkak për divorc, janë shkak kryesor për përkeqësimin e shëndetit.

Mësimi i tretë ka të bëjë me faktin se marrëdhëniet nuk mbrojnë vetëm trupin, por edhe trurin tonë. Njerëzit që kanë marrëdhënie të mirëndërtuara dhe kanë besimin se mund të mbështeten te të tjerët në rast nevojë, jetojnë më mirë dhe kanë më pak sëmundje. Njerëzit që vuajnë nga marrëdhëniet ku nuk mund t’u besojnë të tjerëve, rrezikojnë një rënie të hershme të cilësisë së funksionimit të trurit.

Pra, mesazhi është se marrëdhëniet e mira janë thelbësore për shëndetin dhe mirëqenien. Po atëherë pse i injorojmë marrëdhëniet kur na pyesin se çfarë do të na bënte të lumtur? Epo jemi njerëz. Na pëlqen zgjidhja e shpejtë, diçka që mund ta arrijmë lehtësisht dhe që të jetë nën kontrollin tonë. Marrëdhëniet, nga ana tjetër, janë të rrëmujshme dhe të komplikuara. Është punë e vështirë të kujdesesh për familjen dhe miqtë, nuk është as seksi dhe as popullore. Zgjat përgjatë gjithë jetës, nuk mbaron kurrë.

Më shumë se një shekull më parë, Mark Twain thoshte se jeta është kaq e shkurtër sa nuk ka kohë për zënka, për urrejtje apo për luftëra. Ka kohë vetëm për të dashur, dhe kjo kohë zgjat sa një çast. Jam plotësisht dakord.

*Robert J. Waldinger është psikiatër amerikan dhe profesor në Harvard Medical School. Ky artikull u përkthye nga Erjon Uka.