Shënime në Blog

Kështu koronavirusi po zhvendos pasurinë

Kështu koronavirusi po zhvendos pasurinë

Nga Carlo Rovelli/ Masat e marra për të ngadalësuar përhapjen e epidemisë po i krijojnë probleme ekonomike shtresave të ndryshme të popullsisë. Kush jeton falë një lokali është në vështirësi nëse asnjë nuk shkon në lokal. Por të mos harrojmë se paratë e kursyera nga lokali nuk janë të djegura: ato ndodhen në xhepin e atij që nuk i ka shpenzuar.

Nëse njerëzit nuk shkojnë me pushime, vuan i gjithë sektori që varet nga turizmi, por jo sepse sasia e parasë që i shkon zakonisht këtij sektori asgjësohet. Ajo sasi parash qëndron në xhepat e atyre që nuk kanë shkuar me pushime, e për pasojë ka më shumë para në xhep ose i shpenzon në një mënyrë tjetër, duke pasuruar tjetërkënd.

Sigurisht që ka një varfërim të përgjithshëm, i fotografuar nga rënia e GDP-së, pakësimi i konsumit ul prodhimin, kapitalizmi jeton me rritjen dhe rritja ngadalësohet kur konsumi ulet. Por mbetet diçka e rëndësishme: një efekt më i madh i frenimit të disa konsumeve është një riorientim i përfitimeve dhe një zhvendosje e pasurisë nga një anë në anën tjetër të shoqërisë.

Shumë të dhëna e konfirmojnë këtë vëzhgim të thjeshtë. Ka sektorë që në këtë kohë janë pasuruar shumë. Në botë, bursat janë mbajtur në nivele të larta. Të ardhurat e shumë kompanive janë në një rritje të shkëlqyer. Vlera e aksioneve të Amazon, për të dhënë vetëm një shembull, prakitikisht është dyfishuar këtë vit. Në vetëm një ditë, arriti një rritje me 7,9% që i solli Jeff Bezosit një rritje prej 13 miliardë dollarësh.

Nuk është e vështirë të shohësh se cili, përgjithësisht, është pasuruar dhe cili është varfëruar. Të dhënat në nivel botëror janë transparente: shtresat e varfra dhe të mesme të popullsisë po varfërohen, ndërsa shtresat më të pasura po pasurohen më tej. Po përforcohet trendi i përqëndrimit të pasurisë që vazhdon të paktën prej dhjetë vitesh. Edhe me gjithë “nëse” apo “por” të këtij rasti, një fakt më duket i vështirë për t’u diskutuar: peshën ekonomike për të shpëtuar jetën e bashkëqytetarëve tanë po e paguan shumica, ndërsa një shtresë më e pasur po pasurohet edhe më shumë.

Butësisht po përpiqem t’ju sugjeroj: a ju duket e drejtë?

Mua më duket se sfida e vështirë e pandemisë duhet përballuar së bashku. Më duket se gjithkush duhet të bëjë pjesën e tij. Nuk e vëmë maskën për të mbrojtur vetveten, e mbajmë sepse këtë gjë e bëjnë të gjithë, infektimet ulen dhe të gjithë jemi më të sigurt. E mbajmë për të tjerët dhe fakti që të tjerët e mbajnë, na mbron edhe ne. Marrim vendime shumë të vështira, që ngadalësojnë aktivitetet ekonomike për të shpëtuar jetët njerëzore, në një periudhë ku ka qindar të vdekur çdo ditë. Mua nuk më duket e drejtë që koston ta paguajnë disa, teksa shtresa të privilegjuara marrin avantazhet e kësaj krize.

Mendoj se është koha për gjënë publike, pra për Shtetin, të mendojë për interesin e përgjithshëm dhe të ekuilibrojë çekuilibrat. Mendoj se është momenti për të rifolur për rishpërndarjen.

Rishpërndarja ka qenë gjithmonë funksioni primar i shtetit. Në dhjetëvjeçarët e fundit, shumë shtete kanë abdikuar nga kjo gjë, shteti ynë në veçanti, duke parë rritjen e pabarazisë sociale. Në dhjetëveçarin 2007-2018 pasuria mesatare e italianëve është ulur ndërsa pasuria mesatare e 10 italianëve më të pasur është dyfishuar (nga të dhënat e Forbes). Në vitin 2018 pasuria e 21 italianëve më të pasur ishte e barabartë me pasurinë totale të 20% më pak të favorizuar të popullsisë. Emergjenca aktuale po e thekson këtë involucion. Janë fragmente të dhënash, por të gjitha shkojnë në të njëjtin drejtim.

Argumenti tradicional i së djathtës ka qenë gjithmonë se duke pasuruar më të pasurit pasurohen të gjithë. Nuk e di nëse ka qenë e drejtë në të shkuarën. Por kur të pasurit pasurohen teksa të tjerët varfërohen, sepse mbi këta të fundit përqëndrohen kostot që duhen paguar për shpëtimin e jetëve njerëzore, më duket se zemra e Kontratës Sociale është vënë në dyshim dhe ndodh pikërisht në kohën kur duhet solidaritet maksimal.

Me këtë pandemi që po ndodh, rritja e mëtejshme e pabarazisë nuk më duket më e mbrojtshme si çështje. Masat e mbështetjes ndaj ekonomisë tani për tani i paguan borxhi publik, pra në të ardhmen i paguajmë ne. Herët a vonë vendoset se kush e paguan llogarinë.

Nuk po flas për revolucione bolshevike: po flas që butësisht të rifillojmë t’i çojmë detyrimet në drejtimin që ishin vetëm pak dhjetëvjeçarë më parë. Në Itali ekzistonin taksa mbi trashëgiminë me norma progressive, në Francë ekzistojnë ende, dhe jo norma të parëndësishme për rezultatin final si ato të tanishmet; taksa mbi pasurinë, në Francë ekzistojnë ende, deri në normat 40-50%. Sistemi kishte efekte rishpërndarëse, ishte qetësisht i pranuar në shoqëri, i konsoliduar në nivel politik dhe teknik duke i hapur rrugë normave të larta të rritjes dhe të punësimit, me një rritje ekonomike të dallueshme dhe relativisht të ekulibruar në të gjitha shtresat e shoqërisë.

E di që nuk është e lehtë. Pasuritë e mëdha nuk dëshirojnë të bashkëndahen, kanë influencë direkte te pushteti dhe mund të drejtojnë opinionin publik. Por pjesa më e madhe e qytetarëve nuk bën pjesë te pasuria e madhe, nuk është budallaqe dhe voton. Nëse e majta nuk rimerr rolin e saj tradicional të garantimit të ekuilibrave, nuk mbeten tjetër veçse sirenat e së djathtës për të mbledhur pakënaqësinë, duke salduar mashtrimin e aleancës politike mes kësaj pasurie të madhe, e njëjta që solli në pushtet Trumpin dhe Mussolinin.

Ka qindra të vdekur  çdo ditë. Njerëzit kanë probleme ekonomike. Por ndërkohë bursa rritet dhe miliarderët ngrenë dolli. Mua nuk më pëlqen dhe ndoshta nuk jam i vetmi.

Gjithkush duhet të bëjë pjesën e tij, duke kontribuar si të mundet. Kush mundet më shumë, sipas meje, duhet të kontribuojë më shumë. Të vendosim maskën, të qëndrojmë në shtëpi nëse është e mundur edhe kur dalja nuk ndalohet. Ky më duket se është momenti i vështirësive, e për pasojë edhe i solidaritetit. Politika të rigjejë kurajon për të balancuar sërish pasurinë, sepse kjo është Kontrata Sociale.

*Carlo Rovelli është fizikan dhe shkrimtar italian, i cili prej vitit 2000 jeton në Francë. Fushat e tij të studimit përqëndrohen te graviteti kuantik, ndërsa është njohës i mirë i historisë dhe filozofisë së shkencës. Kontribuon me artikujt e tij në media të ndryshme europiane. U përkthye në shqip nga Erjon Uka.