Kjo është kriza e mendimit
“Dua ta them qartë: nuk po përjetojmë vetëm krizën e së majtës që po rrënohet, krizën e demokracisë në mbarë botën, krizën e një shteti gjithmonë e më burokratik, krizën e një shoqërie të dominuar nga paraja, krizën e një njerëzimi të dërrmuar nga urrejtja dhe dhuna, krizën e një planeti të shkatërruar nga fuqia e përfitimit, krizën shëndetësore të shkaktuar nga epidemitë. Po përjetojmë mbi të gjitha një krizë më tinëzare, të padukshme dhe radikale: krizën e mendimit”.
Edgar Morin është një prej intelektualëve më të rëndësishëm të këtyre dy shekujve. Pamfleti i tij i fundit është një ulërime alarmi, ashtu siç tregon edhe titulli: “Të zgjohemi!”. Tashmë 101 vjeçar, të mbushura më 8 korrik, filozofi francez ka mbledhur forcat për të ftuar lexuesit që të rizgjojnë ndërgjegjen. Bëhet fjalë për një degradim që prek fusha të ndryshme dhe që rrjedha e një jete të tensionuar, në të cilën reflektimi është një luks, nuk na ndihmon ta kuptojmë. Nga politika (klasa drejtuese gjithmonë e më pak të përgatitura, më pak të arsimuara, të angazhuar në një fushatë të vazhdueshme elektorale), tek ekologjia (një Tokë e grabitur prej kapitalizmit grabitqar që këmbëngul në mosnjohen e fenomeneve ekstreme dhe anomalive klimatike), tek arsimi (shkolla dhe universitete të konceptuara si kompani në shërbim të tregut dhe prodhimit), te tregu i punës (ku humbja e qëndrueshmërisë shoqërohet me humbjen e të drejtës për të pasur të drejta), duket se nuk ka më “alternativa”, siç thoshte slogani i famshëm i Margaret Thatcher.
Por jo. Për Morin, teoricien i kompleksitetit, alternativat ekzistojnë: duhen menduar dhe ndërtuar. Gjatë vitit të kaluar, me rastin e festimeve për 100-vjetorin e tij, e ka thënë pa pushim. Pritja në Elize e organizuar nga Macron dhe nderimet në Europë dhe në Amerikën Latine ishin fort të këndshme. “Kanë nderuar”, tha sociologu, “humanistin që njohin tek unë. Por fatkeqësisht ky aspekt ka nxjerrë në hije reflektimet e mia mbi kompleksitetin që besoj se janë kontributi më i vyer që kam bërë për të kuptuar botën në të cilën jetojmë”. Pas një pushimi në Kanarie, dhe kur bëhet gati të bashkohet me gruan e tij në Marrakech, me sociologen Sabah Abouessalam, Morin bashkëbisedon për këto tema.
Libri juaj është një manifest. Analiza nis nga Franca, por në fakt, propozon elementë reflektivë më të gjerë. Ju keni sugjeruar për një dallim mes Francës humaniste dhe Francës reaksionare. Çfarë kuptoni me Francë humaniste?
Elementët kryesorë të Francës humaniste gjenden në rikthimin e parimeve të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë: le të themi në parimet e vitit 1789, nga deklarata e të drejtave të njeriut, i heqjes së privilegjeve. Kjo është ana politike. Por ka edhe një anë filozofike, që i takon Montaigne i cili ka shkruar “i konsideroj të gjithë njerëzit si bashkëpatriotët e mi”. Montaigne ka qenë antikolonialisti i parë, sepse ka mbrojtur të drejtat e amerikanëve autoktonë, që u trajtuan si barbarë. Po flas për një traditë franceze që nga Montaigne kalon te Montesquieu, Diderot, Voltaire, Rousseau, Hugo, Zola. Një traditë e rrënjosur gjatë Republikës së Tretë, në një luftë kundër pushtetit të Kishës që atëmot kontrollonte arsimin dhe kundër ndjenjave filomonarkike. Kjo Republikë favorizoi krijimin e një Shteti dhe të institucioneve të bazuara në laicitet. Çështja Dreyfus, me kontributin e guximshëm të Émile Zola, u kthye në një shembull të përplasjes mes Francës humaniste dhe forcave reaksionare.
Dhe kjo na sjell në Francën reaksionare…
Fushatat elektorale të këtij viti – presidencialet dhe legjislativet – kanë treguar se si ka marrë hov Franca reaksionare. Nacionalizmi i mbyllur (si i kundërti i patriotizmit), ksenofobia, ringjallja e antisemitizmit, armiqësia ndaj arabëve dhe emigrantëve janë shenja shqetësuese. Ekziston edhe fiksimi i “zëvendësimit të madh”, frika se mos francezët dëbohen nga të huajt, dhe kjo është një ide që zbulon injorancën totale ndaj historisë franceze. Ky vend është ndërtuar ndër shekuj pikërisht mbi përbashkimin dhe integrimin e popujve jashtëzakonisht heterogjenë, me një kulturë specifike (bretonët, alsatët, flamandët). Franca ka njëkohësisht një natyrë unike dhe të shumëfishtë. Shumëfishësi kjo që reaksionarët e injorojnë.
Përse nacionalizmi është një formë e degraduar e patriotizmit, siç thoni edhe ju në libër?
Ka një ndryshim thelbësor. Patriotizmi, mbi të gjitha ai që është shfaqur gjatë Revolucionit Francez, nuk ishte armik i popujve me të cilët ishte në konflikt, por merrej parasysh si çlirimtari i tyre. Patriotizmi është një ndjenjë e thellë, si atërore ashtu edhe mëmësore (thuhet atdhe, por edhe mëmëdhe). Ndërsa nacionalizmi nuk e merr hiç parasysh këtë lidhje dashurie, ai bazohet vetëm në urrejtje dhe në refuzimin e ndryshimeve.
Koha jonë dallohet nga pranimi në mënyrë pasive i gjendjes aktuale të gjërave. A mos është kjo ndoshta pjellë e paaftësisë sonë për të ushqyer shpresa dhe utopi?
Franca, ashtu si shumë vende të tjera, e ka konsideruar progresin si një ligj të pashmangshëm historik, bazuar në bindjen se e nesërmja do të jetë gjithmonë më e mirë se e sotmja. Por ky besim ka nisur të shkërmoqet qysh në shekullin e kaluar, pas tragjedisë së Hiroshimës. E pastaj, në vazhdën e ngjarjeve të tjera - siç janë tronditja ekologjike, përhapja e regjimeve represive dhe regresive, hegjemonia e financave dhe e parave - e ardhmja u shfaq gjithmonë e më e paqartë dhe shqetësuese. Nëse për një minorancë të vogël të privilegjuar, e ardhmja “trans’humaniste” që vë në pikëpyetje gjithë natyrën njerëzore dhe vetë shoqërinë, përfaqëson një perspektivë euforike, për pjesën më të madhe të njerëzve i jep jehonë një të ardhmeje jo të sigurt dhe shqetësuese. Dhe forcat regresive bëhen më të forta pikërisht përballë krizave të mëdha ekonomike dhe politike. Në të shkuarën ishin forcat progresiste, të mishëruara në parti të ndryshme të së majtës, që ishin në gjendje të ngjallnin shpresë për të ardhmen. Këtu kam parasysh propozimin iluzionar dhe mitologjik të komunizmit, dhe degradimin e mëpasshëm të socialdemokracisë. Degradim që lind nga një tjetër degradim: ai i mendimit. Për shembull, reflektimet e Marksit mbi njeriun, mbi natyrën, mbi historinë e mbi botën ishin të sakta. Ky mendim mbart ende elementë shumë të drejtë.
Për cilët elementë në veçanti e keni fjalën?
Mendoj për parashikimin e globalizimit, edhe pse sot paraqet boshllëqe të thella: një besim të tepruar në këmbënguljen dhe përparimin historik. Vetë ideja e njeriut-prodhues nënvlerësoi anët emocionale të qenies, të lidhura gjithashtu me ëndrrat dhe mitologjitë. Sigurisht që ka shumë elementë të tjerë thelbësorë që i kam ripunuar në librat e mi.
Si ndërtohet një ide tjetër për të ardhmen?
Në punimet e mia si “La méthode” apo “La voie” jam munduar të rimendoj njeriun, historinë, botën dhe shoqërinë. Por bëhet fjalë për një përpjekje intelektuale që e kam bërë i vetëm dhe pa ndonjë jehonë të veçantë. Do të ishte e rëndësishme që ky lloj mendimi i ri, në të cilin pikëtakohen dijet shkencore dhe filozofike, të konkretizohej në një forcë, në një lëvizje (dhe këtu s’kam parasysh partitë tradicionale, të cilave u ka kaluar koha!) në gjendje për të promovuar kurajën dhe shpresën. Ajo që mungon sot është qartësia për të treguar një rrugë: jo një shteg të shkelur më parë, por një rrugëtim që të paktën tregon një drejtim. Është kjo mungesë që karakterizon degradimin e partive të së majtës. Por e majta nuk përfaqësohet nga partitë, ajo është më së shumti një gjendje shpirtërore.
Mes të tjerash, cila është ideja juaj e së majtës?
Ajo liridashëse (që nxit zhvillimin e gjithanshëm dhe të plotë të individit), ajo socialiste (që synon të reformojë shoqërinë), ajo komuniste (që këmbëngul në idetë e komunitetit dhe vëllazërisë) dhe sot ajo ekologjike (që na fton të reflektojmë për marrëdhënien me natyrën). Për të kapërcyer krizën që po përjetojmë, shpresoj për një rikthim në pikënisje dhe në krijimin e një mendimi të ri. Ne nuk mund të pranojmë më pasivisht strategjitë e reja të nënshtrimit. Kjo shoqëri represive, në krahasim me totalitarizmat e vjetër, bazohet në mundësitë e paprecedenta të kontrollit elektronik dhe teknologjik (njohja përmes fytyrës, mbikëqyrje e përditshme përmes telefonit dhe internetit) që janë shumë më të rrezikshme.
Në gjithë këtë përpjekje për të rishpikur një mendim, e në veçanti një mendim që i takon të majtës, çfarë roli mund të luajnë, për shembull, disa vende të Amerikës Latine që sot konsiderohen si laboratorë të rëndësishëm ku eksperimentohen rrugë të reja?
Amerika Latine është një shembull i mirë. Kemi Kolumbinë, Kilin dhe ndoshta së shpejti edhe Brazilin. Po korren fitore të kandidatëve të majtë, ndonjëherë të shoqëruara edhe nga revolta të mirëfillta popullore si në Kili. Por nuk duhet të harrojmë kushtet në të cilat punojnë presidentët e rinj. Kuadri ekonomik është i shkatërruar (që mund të çojë në kompromise të rënda) dhe në disa vende, koalicionet e brishta që kanë sjellë marrjen e pushtetit, mbartin probleme me të cilat duhen bërë llogaritë në një moment a në një tjetër. Para ca vitesh ushqeva shumë shpresa në atë që ishte thuajse-revolucion nga Rafael Correa në Ekuador: Përpjekjet për t'u emancipuar nga dollari kishin krijuar shpresën për lindjen e një shoqërie të re, më të drejtë dhe më të barabartë. Por ky eksperiment, për fat të keq, zgjati vetëm disa vjet. Shpresoj që fitorja e Gustavo Petro-s, një kandidat të cilin e kam mbështetur me një mesazh të fortë gjatë fushatës elektorale, mund t’i japë jetë një procesi të rëndësishëm rinovimi në Kolumbi. Ka padyshim shumë tharme pozitive në Amerikën Latine, por do të duhet të presim edhe pak për të parë rezultatet. Dhe mbi të gjitha do të na duhet të përballemi me rezistencën e forcave të fuqishme reaksionare. Të njëjtat mendime vlejnë për pranverën arabe: lëvizje të mrekullueshme në fillimet e tyre, kundër të cilave më pas shpërthyen reagime të dhunshme.
Ju na ftoni të përqëndrohemi mbi probleme konkrete, në vend se të bëjmë kundërshtime ideologjike.
Nuk mund të bëhet politikë vetëm me objektivin e refuzimit të partive të djathta. Duhet propozuar një shndërrim konkret progresist i shoqërisë. Në libër kam folur për tema që duhet të jenë në qendër të këtij programi. Për shembull, ekologjia dhe përkeqësimi i planetit kërkojnë një sfidë në planin e përgjithshëm dhe lokal po ashtu, që investon vetë të ardhmen e civilizimit tonë. Bujqësia industriale po ashtu, e cila, duke ndjekur përfitimin maksimal, shkatërron tokën me kultivimin intensiv të produkteve të pashëndetshme dhe pa shije: një bujqësi që inkurajon konsumimin e pakufishëm dhe ushqimin e dëmshëm. Në Francë, subvencionohen prodhuesit e mëdhenj dhe jo të vegjlit, duke futur në krizë të korrat e fermerëve dhe biodiversitetin. E njëjta gjë vlen edhe për blektorinë intensive, e cila operon në kushte jo të mira jetese për miliona pula, derra dhe lopë.
Edhe gjatë kësaj interviste, ju flisni shpesh për rreziqet e trans’humanizmit dhe për inteligjencën artificiale…
Në Silicon Valley dhe në shumë qarqe ekonomike qarkullon një mit: në të ardhmen çdo gjë do të kontrollohet nga Inteligjenca Artificiale (IA). Por jemi pak të vetëdijshëm për faktin se nëse IA-ja do të udhëheqë të gjitha aspektet e jetës sonë, do të na dominojë edhe vetë ne. Nëse nuk e vëmë në kontroll IA-në, ajo do të na vënë nën kontroll ne. Trans’humanizmi jetëzon një metamorfozë antropologjike në të cilën njeriu bëhet në të njëjtën kohë gjysmë-njeri, mbi-njeri dhe post-njeri. I bazuar në mundësitë e reja të ndërhyrjes biologjike (qeliza staminale, modifikime të AND-së, organe artificiale), trans’humanizmi parashikon zgjatjen e jetës pa plakje. Në fakt transhumanizmi është një mit i elitave të pasura. Problemi i vërtetë sot nuk është fuqizimi i mëtejshëm i njeriut (që tashmë po shkakton degradimin ekologjik dhe rrënimin tonë), por forcimi i marrëdhënieve njerëzore. Kundër ëndrrës së dominimit, bëhet fjalë për të dominuar dominimin.
Profesor, për ta përmbledhur: Si mund të dalim nga kriza e mendimit?
Kjo është zemra e krizës dhe kriza ndodhet në zemër të njerëzimit. Nuk duhet ta kundërvëmë universalen ndaj atdheut, por të lidhim vendlindjet tona (familjare, rajonale, kombëtare, europiane) dhe t’i integrojmë në atdheun tonë të përbashkët tokësor.
*Edgar Morin është filozof dhe sociolog francez, i lindur në Paris më 1921. Vepra e tij voluminoze përbëhet kryesisht nga analiza e fenomeneve kulturore në marrëdhënie me mjetet e komunikimit masiv dhe nga epistemologjia e shkencave humane, që ka kulmuar me veprën “Metoda”. Intervista pwr Nuccio Ordine u përkthye në shqip nga Erjon Uka.