Shënime në Blog

Kurthi i punës fleksibël

Kurthi i punës fleksibël

Nga Erjon Uka/ Megjithëse frika nga epidemia është e madhe dhe masat janë shtuar ndjeshëm, ekonomia me luhatjet e natyrshme duket se nuk ka pësuar ndonjë tronditje domethënëse. Kompanitë, edhe në Kinë, Kore të Jugut apo në Itali që momentalisht janë vendet me më shumë të prekur, vijojnë punën. E gjitha kryesisht falë punës që mund të zhvillohet nga shtëpia.

Kjo metodë e të punuarit është parë për shumë kohë si aset. Momentalisht në Kinë kompanitë po u kërkojnë punonjësvë të punojnë nga shtëpia, e gjithashtu edhe në Itali për mbi 570 mijë njerëz “smart working” është kthyer në normalitet. Teksa “teleworking” thjesht zhvendos detyrat e punonjësve nga tryeza e zyrës në tryezën e shtëpisë duke ruajtur të njëjtat orare, “smart working” ofron më shumë fleksibilitet, duke qenë një mënyrë e ekzekutimit të marrëdhënies së punës sipas fazave dhe objektivave të vendosura, me pretendimin se arrihet një ekuilibër më i madh kohë-jetë për të rritur produktivitetin.

Me siguri që kjo mënyrë të punuari pas ngjarjeve të fundit do të jetë edhe më shumë e përdorshme. Mjaft kompani e përdorin dhe shumë të tjera do të kërkojnë ta implementojnë për shkak të reduktimit të kostove të zyrave, por edhe të punonjësve. Por një zhvillim i tillë shihet si kërcënues i jetës private dhe i ndërtimit të marrëdhënieve shoqërore dhe familjare. Grupe në Whatsapp, biseda në Slack apo videokonferenca kohë pa kohë në Skype krijojnë vazhdimisht një gjendje tensioni dhe stresi, i cili po kthehet në arsyen kryesore të mungesave të punonjësve në kompani duke zëvendësuar shumë prej sëmundjeve tradicionale. 57% e punonjësve sipas një studimi të vitit 2019 rendisin stresin dhe depresionin si problemet kryesore nga puna. Jo më kot para tre vitesh Franca ndaloi me ligj postën ektronike pas pune duke zbatuar të drejtën “e shkëputjes”; për administratën zvicerane llogaritet si kohë pune edhe rruga nga shtëpia në zyrë apo në Japoni është barazuar leja e lindjes mes meshkujve dhe femrave. Pikërisht sepse në kohën e algoritmeve dhe automatizimit, po shihen të domosdoshme marrëdhëniet familjare.

Sociologu Richard Sennett në librin e tij “Njeriu fleksibël” kushtuar pikërisht punëve të tilla, hedh poshtë bindjen se fleksibiliteti në sferën profesionale do të përmirësojë cilësinë e jetës. Duke marrë shembujt e Uber apo Deliveroo, ai thotë se punë të tilla prodhojnë njerëz pa shtyllë kurrizore, njerëz të cilët nuk arrijnë të ndërtojnë bashkësi harmonike eksperiencash njerëzore. “Ne kemi nevojë për historitë tona personale, kemi nevojë për një shtyllë kurrizore”, shkruan ai. Dhe në të vërtetë organizatat po kalojnë nga një strukturë piramidale organizimi në menaxhime rrjetash, që do të thotë se edhe avancimi apo regresi në karrierë bëhet në bazë të disa kritereve të paqarta. “Kompanitë shkatërrohen ose bashkohen së bashku, vendet e punës siç krijohen ashtu edhe zhduken si ngjarje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Shkatërrimi kreativ kërkon që njerëzit të mos llogarisin pasojat e ndryshimit, ose të mos dinë se çfarë vjen më pas”, shkruan Sennett.

Dhe është e vërtetë se sot punët nuk janë më stabël. Profesionet klasike si inxhinier, mësues, mjek apo avokat kanë kaluar në minorancë, duke u zëvendësuar nga punë të reja dhe profesione që për brezat e mëparshëm ndoshta as nuk llogariteshin si punë. Nëse gjyshërit tanë punësoheshin në një fabrikë, me shumë gjasa do të dilnin në pension po në atë fabrikë. Shanset që kjo gjë të ndodhë sot janë shumë të ulëta. Prandaj në këto kushte pasigurie, ndihmuar nga teknologjia, të gjithë mund t’i arrish kurdo. Të qenit “online” është kthyer në detyrë, të gjithë duhet të jenë të disponueshëm, sepse gjasat që të jenë të zëvendësueshëm janë të larta. Platformat që ofrojnë punë “freelance” po i konkurrojnë që tani kompanitë tradicionale, në të ardhmen do të jenë dominuese. Por me çfarë kostoje?