Shënime në Blog

Lehtësia e padurueshme e së keqes

Shkrimtari i madh çek, prej kohësh i tërhequr nga skena letrare dhe publike, në këtë tekst të pabotuar më parë flet për librin e Willem F. Hermans “Dhoma e errët e Demokleut”: një trillim mbi paqartësinë e moralit.
Lehtësia e padurueshme e së keqes

Nga Milan Kundera/ Historia, kështu siç është ruajtur në kujtesën e përbashkët, i ngjan shumë pak asaj që njerëzit kanë përjetuar në të vërtetë. Pa e kuptuar, njerëzit gjithmonë përfundojnë duke i përshtatur kujtimet e tyre të së kaluarës me atë që thuhet për të në të tashmen. Pastaj vjen një ditë kur një shkrimtar (një shkrimtar i vërtetë) zbulon jetën reale të një periudhe historike në dukje të njohur, dhe gjithçka duket ndryshe. Gjithmonë ky lloj zbulimi mbart në vetvete diçka tronditëse. Prandaj romanet e mëdha, ngjarjet e të cilave zhvilloheshin në periudhën e luftës së fundit europiane (dhe ditëve që e pasuan atë), fillimisht ishin goxha të padëshiruara. Kam ndër mend këtu “Lëkura” të Malaparte. Ose “Tworki ” të Marek Bienczyk. Dhe sot “Dhoma e errët e Demokleut” të Willem F. Hermans.

E di, nuk keni dëgjuar kurrë të flitet për të. Fundja fundit, unë vetë nuk do të dija më shumë se ju nëse një mik holandez nuk do të më kishte folur për këtë roman të madh, deri në pranverën e vitit 2006 kur më sinjalizoi botimin e tij në Francë. Si ka mundësi që nuk dija gjë për të? Përgjigja është e thjeshtë. Atëmot, në tërë shtypin francez, libri nuk krijoi asnjë, realisht asnjë jehonë: as edhe një rresht të vetëm.

U zhyta në roman, fillimisht i frikësuar nga madhësia e tij prej gati pesëqind faqesh, por më pas i mahnitur duke e lexuar me një frymë. Ky roman, në fakt, është një triller: një seri e gjatë ngjarjesh që të mbajnë pezull. Faktet (që ndodhin gjatë luftës dhe vitin pas saj) përshkruhen në mënyrë të saktë dhe autentike, të detajuara, por njëherazi të shpejta: ato janë tmerrësisht reale, megjithëse në kufi me të vërtetën. Kjo estetikë më magjepsi. Një roman i dashuruar me realitetin dhe në të njëjtën kohë i joshur nga e pamundura dhe çudia. A ndikohet kjo nga thelbi i luftës, e cila është pashmangshmërisht e mbushur me ngjarje të papritura dhe ekzagjerime? Apo është shenjë e një qëllimi estetik që dëshiron të dalë nga e zakonshmja dhe të prekë, për të përdorur një fjalë të dashur për surrealistët, të mrekullueshmen ("realitetin e mrekullueshëm", siç do ta kishte thënë Alejo Carpentier)?

Një bashkim i këtillë i reales dhe fantastikes (në të cilën e pamundura nuk është kurrë e pamundur dhe ku e vërteta nuk është asnjëherë e zakonshme) bazohet në personazhin kryesor Osewoudt, një djalosh i lindur shtatanik të cilin e ëma e humbi “në tualet, së bashku me jashtëqitjet”. Pa mjekër, i vogël, një centimetër më i shkurtër për t’u thirrur në ushtri, ndjek rregullisht një klub xhudoje dhe nuk pranon të heqë dorë nga jeta burrërore. Në ditët e para të pushtimit gjerman takon Dorbeck-un, një tjetër djalë që ngjan si sozia e vet, vetëm se ka një perfeksion të hatashëm fizik. (“I ngjan aq sa një puding i bërë keq i ngjan një pudingu të bërë mirë”, i thotë Osewoudt-it gruaja e tij e tmerrshme). I nënshtruar nga sozia e tij, Osewoudt përfshihet në Rezistencë. Zbaton me besnikëri urdhrat që i vijnë me telefon, me postë, nëpërmjet emisarëve të panjohur ose që, shumë rrallë, vetë Dorbeck-u ia komunikon gjatë takimeve të tyre të shkurtra.

Pra, perspektiva është kjo: i gjithë veprimi shihet përmes syve të një njeriu që nuk është në gjendje të kuptojë as logjikën dhe as arsyet e asaj që është i detyruar të bëjë, dhe që bie në kontakt me njerëz që u rekomandohen, por për të cilët ai nuk di asgjë. Në rrjedhën e reflektimeve të heshtura dhe të pafundme, ai përpiqet të kuptojë se çfarë po ndodh dhe të kontrollojë frikën e të ngecurit në grackë. Me të vërtetë, si të dallojmë një partizan nga një spiun? Si të sigurohemi që një porosi është e vërtetë apo e rreme? E gjithë lufta e tij është një udhëtim në errësirë, ​​ku kuptimi i gjërave zhduket.

Por edhe ku gjithçka është e paqartë: vrasjet që ata e urdhërojnë të kryejë janë mizore; i kryen, me duart që i dridhen, me dhëmbët që i kërcasin, por pa pendim. Në fakt, ai nuk ka dyshim se ajo që e urdhërojnë është e drejtë. Mirëbesimi i tij nuk bazohet në arsye politike apo ideologjike, por në një bindje të thjeshtë: "Unë jam kundër gjermanëve sepse ata janë armiqtë tanë. Ata na kanë pushtuar dhe unë po luftoj për të mbrojtur veten". Por qartësia që i buron nga kjo sjellje nuk mund t’i ndryshojë kurrësesi paqartësitë morale të ngjarjeve që përjeton dhe të akteve që kryen.

Poezia e zezë nuk e braktis kurrë botën e Hermans-it. Për të ekzekutuar një bashkëpunëtor të Gestapos që gjendet në kasollen e një ferme, së pari Osewoudt detyrohet të vrasë dy gra krejt të pafajshme (mesa duket fjala “pafajësi” gjen vend në universin e Hermans-it), pra gruan dhe një të re që vjen në fermë për të shoqëruar në Amsterdam një fëmijë, pikërisht djalin e kolaboracionistit. Osewoudt ia del të mbajë jashtë masakrës të voglin, por më pas për të mbrojtur veten, duhet të kujdeset për të. E merr me vete në stacion, qëndron me të në tren dhe nëpër rrugët e Amsterdamit. Qurraveci, jashtë mase i llastuar, vërtitet në një bisedë të kotë dhe të pafundme, në të cilën Osewoudt-i detyrohet të marrë pjesë. Ja, këtu është një shembull i "poezisë së zezë": takimi midis një vrasjeje të trefishtë dhe belbëzimeve të një fëmije ekzibicionist.

Me afrimin e amerikanëve, Dorbeck-u i jep Osewoudt-it (që nuk do ta shohë më kurrë) një uniformë infermiereje për të qëndruar i sigurt në ditët e fundit të luftës. Osewoudt, i maskuar, tërheq vëmendjen e një oficeri gjerman që përpiqet ta miklojë. Gjermani është homoseksual dhe Osewoudt-i i shfaqet si e para grua e dëshirueshme në jetën e tij... Por kaq mjafton, nuk dua t'ju tregoj gjithë pasurinë e këtij romani. Do t'ju them vetëm thelbësoren: kur liria, aq shumë e pritur, mbërrin me tanke në Holandë, atmosfera e zymtë e romanit bëhet edhe më e zezë.

Osewoudt-i arrestohet nga çliruesit. Policia sekrete e merr për spiun. Ai mbrohet: A nuk flasin në favor të tij javët e gjata që iu desh të qëndronte në një burg gjerman? Jo, madje përkundrazi: gjermanën donin ta fshihnin dhe ta mbronin. Osewoudt-i rendit vrasjet mrekullisht mizore që kreu. A nuk janë ato prova më e mirë e pafajësisë së tij? Jo: askush nuk beson se ai i ka kryer ato. Gjatë muajve të pafundme të marrjes në pyetje, kërkon dikë që të dëshmojë në emër të tij.

E kotë. Të gjithë dëshmitarët kanë vdekur. Dhe Dorbeck-u, i vetmi që mund ta shpëtojë? Ai këmbëngul për praninë e tij. Por agjentët nuk ia dinë as emrin. Mbrojtja e Osewoudt-ut mbetet pa prova. Është e vërtetë që as akuzuesit e tij nuk kanë asnjë të tillë, por dyshimet e fitimtarëve, edhe pa prova, kthehen shpejt në të vërteta.

Jeta e Osewoudt-ut u përpi nga paqartësia fatale morale. Ja si qëndrojnë gjërat: gjer sa lufta vazhdon, kjo paqartësi djallëzore është e padukshme për njerëzit, që siç e kanë në natyrë përfshihen nga pasionet, por pastaj, kur vjen koha e larjes së hesapeve dhe ndëshkimeve, helmon jetën e kombeve për shumë vite, si tymi pas zjarrit, një tym i pashuar. Po Osewoudt? Si përfundoi? Keq. E qëlluan.

Me të mbyllur librin, do të më pëlqente të dija më shumë për autorin e tij. Cili ka qenë itinerari i tij si artist? A ka ndoshta një damar surrealist pas "poezisë së zezë"? Mos ka arsye politike antikonformizmi i tij? Po marrëdhëniet me atdheun? Nuk mund të them veçse disa data: i lindur më 1921, publikon në vitin 1958 “Dhoma e errët e Demokleut”, iku nga Vendet e Ulëta më 1973, qëndroi njëzetë vite në Paris, për të shkuar më pas në Belgjikë. Që nga vdekja e tij më 1995, holandezët e nderojnë atë si romancierin e tyre më të madh modern dhe sot Europa po fillon dalëngadalë ta njohë atë.

Nuk di gjë tjetër për të. Për sa mbetet, lavdërimi i romanit është i kotë. Veprat e artit përhumben në një tufë komentesh, informacionesh, gjykimesh të pushtuara nga djajtë, zhurma e të cilave e bën të padëgjueshëm zërin origjinal të një romani ose poezie. E mbylla librin e Hermans-it me një ndjenjë mirënjohjeje ndaj injorancës sime: ai më dhuroi një heshtje falë së cilës dëgjova zërin e këtij romani në gjithë pastërtinë e tij, me gjithë bukurinë e së pashpjegueshmes, të së panjohurës po ashtu.

*Milan Kundera është shkrimtar çek. Prej vitit 1975 jeton në Francë. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.