Na pëlqen ose jo, kjo është zgjidhja për paqen në Europë
Nga Edgar Morin/ Teksa shkruaj, më kujtohet ankthi që më zuri kur ndodhi kriza e raketave në Kubën e vitit 1962. Gjendesha i shtruar në një spital të Nju Jorkut dhe miku im Stanley Plastrick më përditësonte vazhdimisht duke më thënë ditë pas ditë që Nju Jorku rrezikonte të bëhej tym e hi pre një bombe atomike. Pastaj u arrit një marrëveshje dhe Hrushovi tërhoqi raketat. Sot, në tjetër mënyrë, shoh se jemi prapë në zgrip të humnerës dhe në pasigurinë më të plotë për të nesërmen.
E thjeshtë dhe e ndërlikuar
Le të përpiqemi të shohim qartë dhe të kuptojmë që njëkohësisht gjithçka është e thjeshtë dhe e ndërlikuar. Thjeshtësia qëndron në faktin që kemi një agresor dhe një viktimë, që agresori është një fuqi e madhe dhe viktima është një shtet paqësor. Por ndërlikimi qëndron në faktin se problemi ukrainas nuk është vetëm tragjik dhe tronditës, por ka edhe implikime të lidhura mes tyre dhe shumë të panjohura. Pra të përpiqemi të kuptojmë se cila mund të jetë zgjidhja paqësore pa e kthyer paqen në varrezë ukrainase.
Le të kujtojmë se Ukraina u nda nga Polonia në fund të shekullit XVIII, nga perandoria ruse dhe nga ajo austriake. U bë e pavarur përmes dy luftërave që ndoqën revolucionin e vitit 1917, por u rimor dhe u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik në vitin 1920. Popullsia e saj rurale e vuajti shumë mizorisht kolektivizimin dhe urinë e madhe të vitit 1931. Disa ukrainas përjetuan një fazë iluzionesh të shkaktuar nga Wermacht: në vitin 1941 indipendentisti Bandera, i kthyer në bashkëpunëtor nazist, shpalli një pseudo-republikë të pavarur nën pushtimin gjerman. Por ukrainasit morën pjesë aktive në rezistencën kundër nazizmit.
Kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik, Ukraina dhe Bjellorusia në marrëveshje me Rusinë e drejtuar nga Jelcini, fituan pavarësinë. Situata në Ukrainë u përkeqësua me të njëjtin ritëm me të cilin përkeqësoheshin marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Jo vetëm një pré tërheqëse për Rusinë dhe Amerikën, por Ukraina është po ashtu një pré e rëndësishme në planin ekonomik. Është furnizuesja e parë europiane e uraniumit, e dyta e titanit, magnezit dhe mërkurit. Ka sipërfaqen më të madhe të tokës së punueshme në Europë, 25 për qind të tokës së zezë në planet, prodhon dhe eksporton elb, misër dhe produkte të tjera të panumërta bujqësore.
Pas një revolucioni demokratik, Ukraina iu nënshtrua një presioni që sa vinte e shtohej nga ana e Rusisë dhe në vitin 2014 tentoi të bëhej pjesë e Bashkimit Europian. Përgjigja e Putinit ishte aneksimi i Krimesë dhe luajti rolin e tutorit në kërkesat për autonomi të rajonit rusofon të Donbasit. Ai pranoi se Krimea ishte një provincë tartare e rusifikuar, por jo ukrainase, dhe se Ukraina mund ta mbante Donbasin përmes një sistemi politik federative. Putini justifikoi kështu veprimet më 18 mars 2014: “Na kanë gënjyer vazhdimisht. Kanë marrë vendime pa dijeninë tonë. Na vunë përpara faktit të kryer. E gjitha kjo u bë me zgjerimin drejt lindjes së NATO-s, Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, dhe me vendosjen e strukturave ushtarake në kufijtë tanë.” Por në fakt sapo kishte shpërthyer një luftë në Donbas, pavarësisht marrëveshjeve të Minskut. Dhe prej atëhërë lufta nuk pushoi.
Në një artikull në “Le Monde” më 3 maj 2014 e kisha parashikuar rrezikun: “Për fat të keq, pafuqia e Perëndimit nuk ka vetëm karakter ushtarak, për aq sa i përket Europës, por është edhe pafuqi vullneti. Është një pafuqi mendimi politik. Një pafuqi e mendimit në përgjithësi. Do të ishte e udhës që Hollande, Fabiut dhe Manuel Valls të ndërgjegjësoheshin për rreziqet e shumëfishta dhe mizore, e të propozonin një plan koherent paqeje, atë të një Ukraine federale, urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit. Nuk jemi më në kushtet kur duhet të synojmë më të mirën. Jemi në kushtet që na duhet të shmangim më të keqen.”
Prej vitit 2014 marrëdhëniet e ferrit konfliktual mes lindjes dhe perëndimit janë thelluar dhe më e keqja erdhi në shkurt të vitit 2022.
Ingranazhi
Ky proces është provokuar njëkohësisht nga ambicia në rritje e Putinit, i etur për të gllabëruar pjesën sllave të perandorisë ruse nën sferën e tij të ndikimit, si edhe nga zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s pranë Rusisë. Përgjithësisht është ndikuar nga konfliktet e interesit që janë shtuar mes dy superfuqive pas periudhës së marrëveshjeve Bush-Putin të vitit 2001.
Rusia u rindërtuar si superfuqi ushtarake dhe krijoi zonat e saj të ndikimit në Siri dhe në Afrikë. Pati një riintegrim të përgjakshëm të Çeçenisë me dy luftëra (1994-1996 dhe 1999-2001); ka pasur ndërhyrje ushtarake në Gjeorgji (2008); në fund, pati edhe një presion në rritje ndaj Ukrainës. Në të njëjtën kohë, në vitin 2003, pa një mandat nga OKB, filloi pushtimi i dytë i Irakut nga Shtetet e Bashkuara, ngjarje katastrofike për të gjithë Lindjen e Mesme, i ndjekur nga luftëra të brendshme të paktën deri në vitin 2009. Ndodhi pushtimi i Libisë në vitin 2011. E po ashtu Shtetet e Bashkuara filluan luftën në Afganistan nga viti 2001 deri në vitin 2021.
Në vitin 1991 presidenti amerikan i premtoi sy për sy Gorbaçovit se NATO nuk do të zgjerohej drejt vendeve të ish-demokracive popullore, por në vitin 1999 NATO përfshiu në gjirin e saj Poloninë, Republikën Çeke, Hungarinë, pastaj republikat baltike, të ndjekura nga Rumania, Slovenia dhe pastaj nga Shqipëria e Kroacia, duke krijuar faktikisht një rrethim të Rusisë (me vetëm dy hapje, në Gjeorgji dhe në Ukrainë). Ky rrethim "objektiv" i kujtoi Kremlinit rrethimin e BRSS nga vendet kapitaliste midis dy luftërave dhe "frenimin" e Luftës së Ftohtë. Nga kjo situatë, në mënyrë subjektive, te Putini u zhvillua vërtetë një fiksim dhe regjimi i tij autoritar u ngurtësua edhe më shumë.
Me pretekstin e luftës kundër Afganistanit, Shtetet e Bashkuara ngritën disa baza ushtarake në ish-republikat sovjetike të jugut, në Uzbekistan, Taxhikistan dhe në Kirgistan dhe faktikisht kanë rrethuar Siberinë. Nuk mund të fshihet roli gjithmonë e më i madh kundërshtues që dy fuqitë e mëdha kanë pasur në zgjerimin apo në ruajtjen e zonave të influencës, dhe po ashtu s’mund të fshihet rrethimi që ka bërë NATO. I rëndësishëm është fakti se që prej tërheqjes nga Afganistani, Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të mos u përfshirë në konflikte larg shtëpisë, ndërsa qeveria ukrainase shpreson të mbrohet nga Bashkimi Europian dhe nga NATO.
Duhet pasur parasysh po ashtu se Vladimir Putin ndikohet gjithmonë e më fort prej asaj ç’ka tolerohet nga Shtetet e Bashkuara: ndërhyrja ushtarake në vendet sovrane dënohet nga Rusia. Nuk toleron që Ukraina të lëvizë drejt perëndimit. E di se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërhynin ushtarakisht nëse do të vendoste të pushtonte Ukrainën. Mendon një pushtim të shpejtë dhe i ka organizuar rezervat në rast të sanksioneve të forta ekonomike, pasojat e së cilave i nënvlerëson në afatgjatë, por ndoshta mendon se mund të rregullojë çdo gjë në një kohë të shkurtër.
Pa hyrë në spekulime psikologjike, mund ta imagjinoj evolucionin e kësaj fryme autoritare, për të cilën demokracitë perëndimore janë dekadente dhe që ngurtëson gjithnjë e më shumë regjimin ushtarako-policor në Rusi sesa në të kaluarën, për shembull rreth vitit 2001, në kohën e simpatisë së ndërsjellë me Bushin, kur ai kishte besuar se Shtetet e Bashkuara do ta trajtonin vendin e tij të madh me mirësi. Putini kërkon të mos marrë parasysh faktin se luftërat në Çeçeni, ndërhyrjet e tij në Gjeorgji dhe së fundi në Ukrainë në vitin 2014 e kanë alarmuar Amerikën dhe Europën. Putini, fillimisht i kujdesshëm dhe mendjemprehtë, në vitin 2014 u tregua agresiv dhe tani ka rënë pré e një zemërimi të tmerrshëm dhe të papërmbajtshëm.
Gjithashtu duhet pasur parasysh se ndërkohë që trupat ruse po përqendrohen në kufirin ukrainas, më 1 mars të këtij viti Biden mbajti një fjalim pa kompromis, por gjithashtu shtoi fjalët vendimtare: "Ne nuk do të marrim pjesë në një luftë tjetër", fjali e cila në mënyrë legjitime çekuilibron Shtetet e Bashkuara në balancat e fuqisë. Për më tepër, asnjë popull, asnjë qeveri në Europë nuk e ka çuar nëpër mend të luftojë për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Presidentit Zelenski dhe përpjekjeve të shpeshta e të vogla të Macron për të negociuar me Putinin.
Vështirësia për të luftuar me Luftën
Rezistenca heroike e Presidentit Zelensky, qeverisë së tij, rezistenca e popullit ukrainas padyshim që duhet ta kenë habitur Putinin, ashtu siç ngjall admirim të madh edhe te ne. Putini madje ka shkuar aq larg sa e ka braktisur gënjeshtrën e tij të madhe për procesin e denazifikimit dhe tani ai flet vetëm për nacionalistët ukrainas. Pa dyshim, ka ndihmuar në përbashkimin e Ukrainës demokratike.
Në po të njëjtën mënyrë, Putini përbashkoi Europën në reagimet e saj, qoftë edhe për pak. Perëndimi po përpiqet të bëjë çdo gjë që është e mundur, pa atë thelbësoren, pra pa luftën, që do të ishte një katastrofë totale duke e future Ukrainën, Europën dhe Amerikën në një konflikt të tmerrshëm botëror.
Është kjo arsyeja që qëndron në themel të përgjigjeve ekonomike, përbërë nga sanksione të shumta të përgjithësuara (personalisht unë sprapsem nga ato sanksione që prekin kulturën, muzikën, teatrin dhe artet); më pas përgjigja u zgjerua me ndihmat ekonomike, e më pas tek materialet luftarake të dërguara në Ukrainë, për t’u organizuar më pas pritjet e refugjatëve. Së fundi, një legjion vullnetarësh është i gatshëm për të luftuar për Ukrainën. Tragjedia ndodh kur nuk mund t’ia lejosh vetes as të jesh i dobët, e as i fortë, duke u detyruar kështu të ecësh përpara në mëdyshjen mes dy opsioneve. Kjo premisë vlen për të kuptuar se sanksionet dëmtojnë edhe ato vende që i krijojnë. Prandaj e sigurt që Europa do të përballet me rrezikun e mungesës së gazit dhe produkteve të tjera.
Lufta ekonomike do të jetë efikase në afatgjatë, por nga tani gjer atëherë, Ukraina do të gjunjëzohet. Mund të ketë pasoja më të mëdha në Rusi, të varfërojë popullsinë, të ngjallë një opozitë të fortë (lajmet e vërteta tashmë po arrijnë përmes mijëra kanaleve private në qytetet ruse), të forcojë, ose të përmbysë regjimin autoritar të Putinit.
Cili është dhe ku ndodhet kufiri mes luftës ekonomike, ndihmave në formën e armëve, ndërhyrjes së vullnetarëve dhe luftës së vërtetë? Bombardimet, shkatërrimet, të vdekurit, eksodi që larg nesh i përkiste vetëm Sirisë, Irakut, Libisë, Afganistanit, tani po ndodhin këtej nga anët tona. E po ashtu vijnë edhe kërcënimet, të përsëritura disa herë nga Putini, për një armë të pakontrollueshme kundër atyre që do të sulmojnë Rusinë: “Do të bëheni të gjithë hi”. Në një valë marrëzie, a do të ishte vërtetë i gatshëm për kaq shumë Putini? Cilado qoftë lëvizja drejt një lufte që për nga mizoria do t'ia kalonte të dy luftërave të mëparshme botërore, nuk është e pamundur. Gjithçka është e pasigurt. Gjithçka është e rrezikshme.
Në çastet që shkruaj, Kievi ende nuk ka rënë. Macron ka bërë edhe një përpjekje tjetër të lavdërueshme me Putinin, por pa rezultat. Një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, duke parë diversitetin e saj etnik dhe fetar, do të ishte një Ukrainë neutrale dhe shtet federativ. Por kjo zgjidhje, të paktën për momentin, nuk duket e arritshme. Një rregullim paqësor i luftës mund t’i hapte rrugë negociatave mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Europës. Nuk e di nëse do ta ketë jetën e gjatë ky Bashkim Europian që po lind gjatë kësaj krize. Ama një element i ri do të rezistojë: riarmatosja e Gjermanisë, që do t’i japë asaj një hegjemoni e cila s’do të jetë më vetëm ekonomike.
Duke pritur një zgjidhje hipotetike, ekziston një rrezik. Si të gjejmë rrugën ku duhet të ecim, mes fajit të pafuqisë dhe ndërhyrjes së papërgjegjshme? Sido që të jetë, shpesh kemi parë se pasojat e ndërhyrjeve të armatosura kanë shkuar kundër synimeve dhe vendimeve, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.
*Edgar Morin është filozof dhe sociolog francez, i lindur në Paris më 1921. Vepra e tij voluminoze përbëhet kryesisht nga analiza e fenomeneve kulturore në marrëdhënie me mjetet e komunikimit masiv dhe nga epistemologjia e shkencave humane, që ka kulmuar me veprën “Metoda”. Së fundi ka shkruar librin “Të ndryshojmë rrugë” kushtuar koronavirusit. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.