Shënime në Blog

Në Ballsh dhe përtej

Në Ballsh dhe përtej

Nga Erjon Uka/ Në një telekomedi shqiptare të pas viteve ’90 me protagonist Koço Devolen, tregohet në mënyrë therëse sfilitja e një njeriu që kërkon të rimarë pronat e tij. Të gjithë në atë situatë e dinë se ka të drejtë dhe se duhet t’i marrë, e quajnë milioner duke treguar zili të shtirur për jetën e luksit që e pret, por ndërkohë në restorant paratë në portofol i mjaftojnë për të porositur vetëm një shishe ujë. Pa gaz. Kalon vitet në kërkim të asaj që i takon, por në në fund ikën në botën tjetër pa marrë asgjë.

Nuk është thjesht një komedi, e dhimbshme, për shtresën e ish-pronarëve. Është për të gjithë ata të cilët jo vetëm nuk marrin dot atë që u takon për shkak të mungesës së drejtësisë e shtimit të burokracisë, por u duhet të përballen edhe me cinizmin dhe mediokritetin e zyrave shtetërore.

Nëse sot përdor fjalët kyçe për të kërkuar lajme lidhur me naftëtarët dhe minatorët në Shqipëri, rezultatet janë të njëjtat: detyrime të prapambetura, papunësi, marshime, protesta, greva, premtime për zgjidhje të problemit, rifillim të punës. Cikli përsëritet. Mund të vonojë të riaktivizohet, por nëse do të viheshin baste për këtë gjë, fitorja do të ishte e sigurt, pasi pavarësisht meremetimeve të çastit dhe shuarjes së konflikteve, problemi asnjëherë nuk është zgjidhur. Kjo, shndërrohet në zbrazëti kronike në xhepin e çdo naftëtari apo minatori: Është e vështirë sot të marrësh lekët e tua!

Prej gati një muaji, këtë vjeshtë jo të zakonshme, bashke me rritjen e infektimeve, problemeve të kufijve detarë me Greqinë, planit me 5 pika të PD-së, synimit për mandatin e tretë të PS-së dhe kërcënimeve të Presidentit, naftëtarët e Ballshit të cilëve tani u janë shtuar edhe gratë, ndodhen në grevë.

Situata e re lidhet me naftëtarët që kërkojnë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në rafineri. Janë rreth 900 punëtorë të uzinës së Ballshit e cila i përket kompanisë “Armo” me pronësi 15% të shtetit shqiptar dhe pjesa tjetër private. Por Armo është transformuar prej kohësh në një humbëtirë pa fund, të cilën Roger Penrose që u nderua me çmimin Nobel dy javë më parë për zbulimet në lidhje me funksionimin e vrimave të zeza, do ta kishte zili për nga fuqia thithëse dhe asimiluese. E zhytur në borxhe, në sekuestro nga kreditorët e saj, e bllokuar në aktivitet dhe me paga të prapambetura për punonjësit.

Është panoramë e njëjtë si me Armo, ashtu edhe me Bankers, me Ionian Refining, Anika Oil, TPD-Trading Petrol & Drilling etj., që kanë akumuluar miliona euro borxhe e detyrime të prapambetura te kreditorët dhe te shteti. Këto rafineri historikisht në emër të privatizimeve kanë kaluar dorë më dorë në kompani që kanë raportuar humbje të vazhdueshme.

Por pavarësisht kësaj, siç është deklaruar publikisht, qeveria ka larë duart duke e quajtur grevën e panevojshme e duke bërë thirrje për dialog. Po, e vërtetë që përgjegjësitë janë të akumuluara, por ky është gabim i dyfishtë: e para, greva nuk është akti i parë në rebelimin e naftëtarëve, por vjen i fundit pas shumë vitesh sorollatje dhe paraljmërimesh; së dyti, pavarësisht partive në pushtet që mund të ndërrohen, qeverisë në detyrë i bie për hise t’u ofrojë mbrojtje shtetasve të saj dhe nuk mund t’i trajtojë njësoj në thirrjen e ftohtë për dialog si kryeministrat e Ballkanit për krijimin e mini-Shengenit, ashtu edhe naftëtarët që kërkojnë pagën e tyre.

Por njëlloj si në rastin e telekomedisë, këtu ka një problem edhe më të madh se vetë rasti konkret: Si shpjegohet që zonat më të pasura në Shqipëri kanë banorët më të varfër? Pse pasuria nëntokësore nuk shndërrohet në mirëqenie dhe bollëk për ata që i kanë duart me kallo dhe thonjtë e nxirë nga puna në dhjetëra metra nëntokë apo në qindra gradë temperatura të larta? Pse të gjithë ia mbushin mendjen të gjithëve se kemi pasuri nëntokësore, ndërkohë që bilancet dalin me humbje?

Pandemia që po kalojmë tregoi se sa i brishtë ishte sektori i shërbimeve në ekonomi përballë një tronditjeje të paparashikuar. Kudo në botë, edhe në ekonomitë e avancuara, ata që rezistuan ishin punonjësit e prodhimit të fabrikave ushqimore, të prodhimit të materialeve, industritë nxjerrëse. Ishin velat shpëtimtare dhe busulla e barkave që lëkundeshin qorrazi pa ditur se ku do të përfundonin.

Kjo kategori specialistësh, përfaqëson në mënyrën më të qartë për sytë e të gjithëve, njeriun që punon në industri e në prodhim. Nëse këta njerëz, të cilët edhe statistikisht janë ndër kategoritë më produktive në punë krahasuar me ato të sektorëve të shërbimeve, të akomodimit apo sektorit ushqimor, do të vazhdojnë çdo vit të lëngojnë për të marrë mundin që u takon teksa qeveritë ikin e vijnë, çfarë mesazhi po japim për strukturën ekonomike dhe sociale të Shqipërisë?

Rritja ekonomike, i famshmi Prodhim i Brendshëm Bruto, është bazuar në konsum, në remitancat e emigrantëve dhe importe, me subvencionet dhe kreditë nga komunitetet e institucionet ndërkombëtare, por shumë pak në prodhim, investime dhe eksporte. A do të vazhdojmë në këtë mënyrë? Nëse ekonomia nuk nis të mbështetet në prodhim, do të mbetemi përgjithmonë peng i rritjeve me presje dhjetore në përqindjen e PBB-së, por me shumë pak përparim real. E lehtë nuk është, por as vullneti nuk duket kund.

Shpesh herë zgjidhjet mund të vijnë nga pengesa të mëdha. Studiuesi i Kembrixhit, Ha-Joon Chang në një prej librave të tij më të rëndësishëm ku çmonton disa prej miteve të ekonomisë liberale, thotë se politika e mirë ekonomike nuk kërkon domosdoshmërisht ekonomistë të mirë. Gjatë viteve të mrekullisë, ekonomitë e Japonisë dhe të Koresë u drejtuan nga juristët, ato të Kinës dhe Tajvanit nga inxhinierët sepse nevojiten lloje të ndryshme ekonomiksi, përtej thjesht e vetëm ekonomiksit të tregut të lirë. Siç u pa, vetëm privatizimet nuk mjaftojnë.

Çështja e naftëtarëve duhet të zgjidhet, sipas kërkesave të tyre. Janë ata që duhet të kishin jetuar në mbrothësi, por që enden rrugëve në kërkim të pagesës për punën që kanë bërë. A nuk mjafton kaq, që çdokush të skuqet para tyre? Sot, nëse duam realisht të bëjmë “Punë”, nuk duhet të zgjidhim vetëm problemin e Ballshit, por duhet shkuar përtej: të vlerësojmë prodhimin.