Çorapet e ndryshme dhe filmat e ndaluar nga Disney
Nga Erjon Uka/ Dita e çorapeve të ndryshme “festohet” çdo 5 shkurt në Itali. Është një nismë e ndërmarrë gati një dekadë më parë nga një mësuese në Udine, me qëllim përhapjen e frymës së miqësisë dhe të mikpritjes te të rinjtë. Si një mënyrë origjinale për të thënë se “ndryshe” nuk është sinomim i së keqes, i negativitetit, i frikës a talljes.
Ideja prej nga lindi kjo ditë ishte demonstrimi me një gjest të thjeshtë se ndryshimet nuk e zhbëjnë thelbin e gjësë. Mund të vishen dy çorape të ndryshme, për shkak se i kemi ngatërruar a ndonjëra prej tyre ka humbur pas larjes (gjëra që ndodhin!). Fundja mund të jenë edhe në madhësi të ndryshme, në ngjyra të ndryshme po e po, por ato e kryejnë funksionin bazë. E madje kohët e fundit, nëse i besojmë trendeve të modës, kombinime të tilla janë kthyer edhe në stil.
Është një ditë simbolike, që përmban humor në emër dhe në koncept, edhe sepse po t’i besojmë Amos Ozit, vaksina për të luftuar fanatizmat, e në këtë rast fanatizmin ndaj së ndryshmes, është pikërisht humori. Me një shije humori duhen trajtuar dallimet dhe mosdakordësitë, duhen pranuar dhe duhet luajtur me to. Në këtë mënyrë ndoshta kemi më pak mundësi të biem pre e trajtave të ekstremizmave, racizmit dhe fanatizmit.
Nëse ka një gjë që e kujtoj me shumë dëshirë nga fëmijëria, janë filmat e Disney-t. Ndoshta edhe pse transmetimi dhe mundësitë për t’i parë ishin si ujët e pakët, pra vetëm në televizor ose maksimumi që mund të bëjë ishte të blije një video-kasetë. Kanë qenë realizime të cilat na mbushnin ditët dhe na bënin të ëndërronim: larmi temash, dialogje mes kafshëve, njerëz me fuqi të mbinatyrshme, histori me princër e princesha dhe mbi të gjitha ngjyra, shumë ngjyra. Kishim etje për ngjyrat në atë kohë.
Sot, rastësisht në lajmet online, lexova se ka një debat të fortë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi përmbajtjen e filmave të Disney-t, të prodhuar dekada më parë. Dhe paskan rënë dakord që disa prej filmave përmbajnë elementë diskriminues dhe racorë. Ndaj qenka vendosur që pak filma të ndalohen për fëmijët nën 7 vjeç dhe të shoqërohen me një shpjegim përkatës.
Ky është një rrezik ndaj së cilit janë të ekspozuara të gjitha veprat, sepse ndryshimi është i pashmangshëm. Çfarë është sot normale, nesër mund të mos jetë më, çfarë ishte e ligjshme një shekull më parë, sot është e dënueshme, çfarë ka qenë e pëlqyeshme për brezin e viteve ’90 mund të jetë krejtësisht e tejkaluar tani.
Por a mos vallë duke dashur të korrigjojmë pafundësisht çdo gjë, po bëhemi më puritanë duke u përpjekur të vizatojmë një botë uniforme dhe të njëtrajtshme, e cila nuk ekziston? Dhe ky është një rrezik po aq i madh sa shfaqja e hapur e racizmave, sepse po nxitet krijimi i një mjedisi që do të ketë goxha probleme me diversitetin.
Nuk më duket se te filmi vizatimor “The AristoCats” një mace aziatike me sytë pak të tërhequr dhe me dhëmbët më të mëdhenj qenka një shenjë racizmi ndaj aziatikëve. Apo që sorrat të simbolizojnë skllevërit afrikanë te “Dumbo”. Sfida jonë nuk është t’i bëjmë të gjithë njësoj, por është t’i pranojmë të tjetër siç janë, që tek tiparet fizike deri te sfondi historik i ngjarjeve që shënjojnë identitetin e tyre. Sepse njerëzit janë të tillë: të ndryshëm. Aziatikët me sytë e tyre të tërhequr, anglezët me faqet e kuqe, senegalezët me buzët e trasha, skandinavët me mungesën e pigmentit në lëkurë, italianët me gjestikulacionet e tepruara e plot e plot të tjera. Dhe kjo është e bukura e kësaj bote ku jetojmë.
Nëse ne duam të krijojmë një botë jo fanatike dhe jo diskriminuese, duhet të fillojmë të pranojmë të vërtetat e saj dhe t’i paraqesim siç janë. Në këtë formë edhe fëmijët do ta kenë të lehtë të kuptojnë se sa të ndryshëm mund të jemi, por sa lehtësisht mund të bashkëjetojmë dhe të argëtohemi së bashku. Ndryshimi nuk është një problem.
Një botë ku mbahen qëndrime dhe kërkohet vazhdimisht të përmirësohen gjërat do të jetë një botë më e mirë nesër. Por nëse krijojmë një puritanizëm fals, një realitet të kulluar (ç)njerëzor, e gjitha do të jetë si një skenë teatri ku po luhet një shfaqje e bukur, por që mund të shembet në çdo moment sepse prapaskena është e gjitha e kalbur. Jo, në botë paragjykohet, do të doja shumë të mos ishte kështu, por sociologjikisht dhe psikologjikisht është e shpjegueshme pse njerëzit krijojnë stereotipe, pse kërkojnë të dominojnë ndaj më të dobëtit, pse ekziston racizmi, dhuna, nënshtrimi.
Zgjidhja nuk është të krijojmë një botë imagjinare pa këto, por ajo që na nevojitet është njohja dhe pastaj pranimi i gjërave siç kanë ndodhur, njohja e tjetrit dhe empatia. Duke kuptuar tjetrin, duke imagjinuar se si tjetri ndihet e po jeton, arrijmë të ndërtojmë në mënyrë natyrale një sjellje realisht të respektueshme ndaj të ndryshmit. Mbyllja e syve nuk na i zhbën problemet dhe tentativa për të krijuar realitete false me forcë as na bën më të mirë me një të rënë të shkopit magjik siç bënte magjistari Merlin.
tiranapost.al