Shënime në Blog

Përralla e Krishtlindjes

Dy burra, një misionar i krishterë dhe një eremit mysliman takohen në shkretëtirën ngjitur me qytetin e Marrakeshit. Kështu fillon përralla e Krishtlindjes e shkrimtarit më të lexuar brazilian.
Përralla e Krishtlindjes

Nga Paulo Coelho/ Sapo arriti në Marrakesh, misionari vendosi që t’i kalonte gjithë mëngjeset në shkretëtirën që shtrihej në kufi të qytetit. Në shëtitjen e tij të parë, dalloi një burrë të shtrirë, që përkëdhelte dheun me dorë dhe e mbante veshin të puthitur me tokën.
“Është i çmendur”, tha vetmevete.

Por e njëjta skenë u përsërit çdo ditë dhe pas një muaji, kureshtar nga ajo sjellje e çuditshme, misionari vendosi t’i afrohej të huajit. Me shumë vështirësi – për shkak të arabishtes së tij ende të çalë – u gjunjëzua pranë tij dhe e pyeti:

- Çfarë po bën?

- I bëj shoqëri shkretëtirës dhe e ngushëlloj për vetminë dhe lotët e saj.

- Nuk e dija se shkretëtira mund të qante.

- Qan përditë, sepse ëndrra e saj është t’i bëhet e dobishme njeriut dhe të shndërrohet në një kopsht të pamatë, ku të gjithë mund të mbjellin lule e drithëra dhe të rrisin bagëtitë e tyre.

- Epo thuaji shkretëtirës se e ka përmbushur misionin e saj – komentoi misionari. Sa herë që vij këtu, arrij ta kuptoj përmasën e vërtetë të qenies njerëzore, sepse kjo pafundësi më lejon të shoh se sa të vegjël jemi përpara Zotit.

“Kur shoh rërën e shkretëtirës, ndërmend miliona njerëzit nëpër botë, që janë rritur njësoj, edhe pse jo gjithmonë bota është e drejtë përballë tyre. Malet më ndihmojnë të meditoj. Dhe vështrimi i Diellit që lind në horizont, më mbush me gëzim. Kështu afrohem me Krijuesin.”

Misionari përshëndoshi burrin dhe iu kthye halleve të përditshme. Për të nuk ishte më habi që të nesërmen e gjeti prapë aty, në të njëjtin pozicion.

- Ia tregove shkretëtirës ato që të thashë? – e pyeti.

Burri tundi kokën.

- E megjithatë shkretëtira vazhdon të qajë?

- Mund të ndjej çdo ngashërim të saj. Tani qan sepse ka kaluar mijëra vjet duke menduar se ishte krejtësisht e panevojshme dhe e ka çuar kohën dëm duke mallkuar Zotin dhe fatin e saj.

- Atëherë thuaji shkretëtirës se, megjithëse njeriu ka një jetë goxha më të shkurtër, gjithsesi kalon shumë ditë duke menduar se është i padobishëm. Rrallë e kupton ç’arsye ka pas fatit të tij dhe është i bindur se Zoti ka qenë i padrejtë me të. Kur më në fund ndodh diçka që i tregon arsyen përse ka lindur, mendon se tashmë është tepër vonë për të ndryshuar jetën e tij dhe vazhdon e vuan. Ashtu si shkretëtira, ndihet në faj për kohën e çuar dëm.

- Nuk e di nëse do të më dëgjojë shkretëtira – tha burri. Tashmë është mësuar të vuajë dhe nuk arrin t’i shohë ndryshe gjërat.

- Atëherë do të bëjmë atë që unë bëj gjithmonë kur ndjej se njerëzit e kanë humbur shpresën. Do të lutemi.

U gjunjëzuan të dy dhe nisën të luteshin, njeri i drejtohej Mekës sepse ishte mysliman, tjetri me duart e lidhura në lutje, sepse ishte katolik. Kështu iu lutën Zotit të tyre, sepse gjithmonë ka qenë i njëjti Zot, pavarësisht se njerëzit i kanë vënë emra të ndryshëm.

Të nesërmen, kur misionari po bënte shëtitjen e tij mëngjesore, burri nuk ndodhej më aty. Në vendin ku ai dikur përqafonte rërën, toka dukej e lagur, pasi ishte krijuar një burim i vogël. Në muajt që kaluan, ky burim u bë më i madh dhe banorët e qytetit ndërtuan një pus në të.

Atë vend, beduinët e quanin “Pusi i lotëve të shkretëtirës”. Thuhet se çdokush që pi ujë prej aty, do të arrijë ta shndërrojë vuajtjen e tij në një arsye gëzimi. Dhe përfundimisht do të gjejë fatin e tij të vërtetë.

*Paulo Coelho është ndër shkrimtarët më të njohur brazilianë. Çdo fundvit ai boton një histori në vigjilje të Krishtlindjes. U përkthye në shqip nga Erjon Uka.