Të ndrojturit, ose qëndrestarët e heshtur të shoqërisë së spektaklit
Nga Tahar Ben Jelloun/ Ndrojtja nuk është sëmundje. Është një sjellje që dikush thjesht mund ta ketë, qartësisht e pavullnetshme, e cila meriton të merret në konsideratë dhe të respektohet. E përjetuar me kujdes, ndrojtja mund të përfaqësojë një vlerë për t’u adhuruar, si ngadalësia e shoqëruar prej heshtjes. Ama, hera-herës, ky qëndrim na jep përshtypjen e falsifikimit të së vërtetës.
Nëse idetë tona bëhen të varura nga emocionet dhe rrjedhimisht nga mënyra në të cilën trupi ynë reagon, në fakt, e vërteta largohet ose bëhet e errët.
I ndrojturi është i fiksuar pas idesë së së vërtetës, me idenë e të qenit gjithmonë i dukshëm nën rrezet e diellit, nën vështrimin e të tjerëve. Ai ndjen se është përballë një publiku që pret informacion prej tij, ose performancë (si në sport) ose ushtrime virtuoziteti (si një pianist apo violinçelist).
Tek i ndrojturi banon frika. Frika për gjithçka. Kjo është dobësia e tij, problemi i tij. Ai e njeh kurajën. Për ta vërtetuar, del në skenë për të folur. Dhe guximin e përkufizon si frikë për të pasur frikë. E tejkalon vazhdimisht frikën. E lufton dhe stërvitet për ta reduktuar në hiç.
Ne jetojmë gjithnjë e më shumë të zhytur në një botë spektakli, siç tha Guy Debord në vitin 1967. Kjo ese pati një ndikim të madh në lëvizjen revolucionare të majit '68 në Francë. I ndrojturi është ai që e refuzon shoqërinë e spektaklit. Në të vërtetë, ai i njeh shumë mirë mekanizmat e shoqërisë së spektaklit dhe mashtrimin, e di se si funksionojnë dhe rreziqet. Do të donte t'i raportonte, por diçka më e fortë se vetja e pengon të shprehet. Që të flasë apo jo, ajo varet nga ju. “Spektakli – na thotë Guy Debord – është ushqim me të cilin ushqehet shoqëria; ajo përfundon duke besuar se ky është mjedisi i saj natyror.”
Gjithçka është përfaqësim. Pas saj, ka një logjikë tregu. Bëhet fjalë për materializimin e së njëjtës ideologji. Vlera e tregut lufton për vetveten. Imponohet kudo sikur të ishte unike.
Epo, ndrojtja është pikërisht qëndrimi i atyre që e kanë kuptuar se nuk duan të marrin pjesë në këtë spektakël. Hezitojnë, skuqen, belbëzojnë, pastaj largohen nga skena. Duke vendosur të largohen, e kuptojnë vetminë e tyre dhe janë të kënaqur me të. Të ndrojturit nuk ankohen.
Në vend se ta shohim këtë si një sjellje prej dështakësh, është më mirë të analizojmë çfarë presupozon dhe ç’do të thotë kjo sjellje.
I ndrojturi e urren politikën kështu siç është shndërruar ajo. Me mediat, me shpejtësinë e frikshme të komunikimit, njeriu i ndrojtur ndihet sikur është në mërgim. Përballë vërshimit të informacionit, i vërtetë apo i rremë, i bukur apo i shëmtuar, madhështor apo patetik, njeriu është i pambrojtur: gjithçka është studiuar për të qenë një element i rëndësishëm i realizimit të shfaqjes. Nëse të gjithë do të vendosnin të ndalonin së ndjekuri vazhdimisht programet televizive, nëse të gjithë do t'i hiqnin sytë nga cirku që i rrethon, aktorët e shoqërisë së spektaklit do të reduktoheshin shpejt në qenie të hutuara dhe të papuna.
Shoqëria e spektaklit është makineria e krijuar për të luftuar dhe për të rrëmbyer demokracinë. Të gjitha përpjekjet e saj synojnë të rrënjosin te njerëzit një lloj pranimi natyral të gjërave, siguri dhe mbi të gjitha mungesën aq të dëshiruar të dyshimeve. Etienne de La Boétie (1530-1563), një mik i famshëm i Montaigne, dikur tha: “Të gjitha gjërat bëhen të natyrshme për njeriun kur ai mësohet me to. Arsyeja e parë e skllavërisë vullnetare është zakoni”.
Pikërisht këtë ka kuptuar regjisori i shoqërisë së spektaklit: të kufizojë në mënyrë të padrejtë lirinë, duke e bërë njeriun të besojë se është zgjedhja e tij e vullnetshme, liria e tij. Ky është një mekanizëm pervers.
I ndrojturi është qëndrestar. Nietzsche thotë “Ubi nihil vales , ibi nihil velis”, pra vullneti im nuk duhet të shtrihet përtej fuqisë sime.
Njeriu i ndrotjur ka forcën e vullnetit, e refuzon faktin që ta detyrojnë; përparon ngadalë, shpesh herë duke dyshuar tek gjithçka e kudo, siç këshillon edhe Descartes. Nuk është dobësi, është respekt për të vërtetën. Duhet të themi të vërtetën dhe ta jetojmë atë pa bujë. Ky është vullneti i të ndrojturve.
Por ka një zonë ku ndrojtja kthehet në problem. Dashuria. Roland Barthes e ka përcaktuar më mirë se kushdo tjetër këtë. Ai vetë ishte shumë i turpshëm dhe vuajti në jetën e tij të dashurisë plot hezitime dhe dështime nga frika e deklarimit, e rrëfimit të dashurisë. Dyshimi i vazhdueshëm e shkatërron aventurën e dashurisë. Të jesh i dashuruar, na thotë Roland Barthes, do të thotë të presësh. Kaloni kohën tuaj duke pritur për një shenjë nga tjetri, një telefonatë, një letër të shkurtër, diçka që ngushëllon pritshmëritë e atyre që presin.
Pastaj është heshtja, armikja e të ndrojturve. Heshtja është ankth, po aq sa zhurma dhe spektakli. Kështu, heshtja e personit të dashur dhe të shumëpritur është një vrasje pa zhurmë, një krim pa gjurmë, pa gjak. Ne vdesim sepse kemi pritur dhe për faktin se jemi harruar, jemi lënë pas dore, padashur, domethënë nuk jemi njohur në qenien tonë më të thellë. I ndojturi është ai që vuan në heshtje. Vihet në provë shkalla e tij e njerëzillëkut. Ai ka nevojë për dikë që t'i japë një dorë, t'i thotë një fjalë miqësie, mikpritjeje, mirëseardhjeje. Kjo do t’ia lehtësojë fjalët dhe veprimet.
Thuhet se gjatë luftës ishin të ndrojturit ata që silleshin si heronj. E mposhtën frikën dhe e përballuan rrezikun me guxim, edhe nëse kjo do të thoshte vdekje. Ata që bërtasin, që janë arrogantë dhe flasin shumë, shpesh janë frikacakë. Përballë veprimeve, tërhiqen dhe gjejnë ndonjë justifikim për të mos dalë përpara.
Ndrojtja heziton dhe nuk i beson si qartësisë ashtu edhe turpit të situatave të caktuara në botë.
Dhe këtu vjen turpi. Personi i ndrojtur e njeh mirë, e frekuenton dhe e nënshtron turpin. Por ai nuk ka pse të ketë turp për asgjë. Pra, i ndrotjuri është ai që ka turp edhe pse nuk ka bërë asnjë paudhësi. E gjithë puna qëndron në çlirimin e tij nga kontrolli i turpit, i cili nuk ka arsye të ekzistojë. Ta heqë, të lirohet. Dhe pasi është i lirë, ai është në gjendje të lëvizë malet. Unë di diçka rreth kësaj gjëje.
Unë jam një ish i ndrojtur.
*Tahar Ben Jelloun është shkrimtar marokeno-francez, autor i shumë romaneve dhe librave eseistikë. Gjatë krijimtarisë së tij është nderuar me disa çmime letrare si Prix Goncourt dhe Prix Ulysse, ndërsa ka qenë disa herë pjesë e listës së shkrimtarëve kandidatë për Çmimin Nobel. Kjo pjesë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.