Shënime në Blog

Të punosh më pak jo detyrimisht është “tangping”

Teksa prisnim që në këtë shekull të kishim më shumë kohë të lirë sipas parashikimeve shumë optimiste që bënte Keynes në vitet ‘30, kemi përfunduar në nivele më të larta stresi dhe pasigurie.

Të punosh më pak jo detyrimisht është “tangping”

Erjon Uka/ Tangping. Kuptohet lehtësisht që është një fjalë kineze dhe ka qenë ndër lajmet më interesante që kam lexuar këtë javë. E bërë virale nga një djalë i ri kinez, kjo fjalë do të thotë “të qëndrosh shtrirë” dhe lindi si kundërshtim ndaj hiperaktivitetit. Koha e pandemisë në Kinë ngjan e tejkaluar, ndërsa ritmet e prodhimit e kanë të vështirë të njohin limite. I riu kinez e postoi për herë të parë këtë term në një forum online, duke shpjeguar se prej dy vitesh kishte ndërruar stilin e jetës: punonte pak muaj në vit, nuk kishte një punë fikse, ishte detoksifikuar nga konsumerizmi i skajshëm dhe kohën ia kushton më shumë qetësisë fizike e shpirtërore, shtrirë duke lexuar libra të mirë dhe duke bërë një jetë më humane.

Siç mund të mendohet, kjo filozofi jete pozicionohet në pol krejt të kundërt me ambicien e Kinës, që kërkon të prodhojë e të konsumojë sa më shumë. Një prirje e tillë që i thur lavde shplodhjes shihet rrezikshmërisht si degjeneruese për të rinjtë kinezë, prandaj më shpejt nga ç’vepruan për të izoluar virusin rreth një vit e gjysmë më parë, autoritetet ishin më efektivë në neutralizimin e këtij hashtag-u.

Lajmi i dytë që hasa ishte iniciativa e Spanjës për të pilotuar në disa kompani private javën e re të punës me katër ditë, në një kohë që paga për punonjësit nuk do të preket nga ky ndryshim. E nëse dikush pyet se përse qenka e nevojshme diçka e tillë, përveç kënaqësisë për të pasur një fundjavë më të gjatë, gjithçka nis nga problemi i thjeshtë se teksa prisnim që në këtë shekull të kishim më shumë kohë të lirë sipas parashikimeve shumë optimiste që bënte Keynes në vitet ‘30, kemi përfunduar në nivele më të larta stresi dhe pasigurie.

Kundërshtuesit e kësaj ideje mund ta konsiderojnë debatin dhe iniciativën për një javë me katër ditë punë si “tangping”, ku nevoja për të kaluar më shumë kohë cilësore për t’iu përkushtuar pasioneve bëhet sinonim i përtacisë, mungesës së zellit për të bërë progres apo i çrrënjosjes së egos njerëzore. Por nuk është kështu.

Kur shpërndava në Instagram një fragment nga libri “Utopia për realistët” i holandezit Rutger Bregman, fillimisht u habita nga reagimet e shumta dhe nga mbështetja që mori konstatimi i tij. Në këtë fragment, Bregman fliste për një studim të Shkollës së Biznesit në Harvard që tregonte se falë teknologjisë moderne, menaxherët dhe profesionistët në Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut shpenzojnë tetëdhjetë deri në nëntëdhjetë orë në javë duke punuar ose duke monitoruar punën. Ndërsa sipas studimeve koreane, punonjësit që mund të veprojnë përmes telefonave të tyre inteligjentë, praktikisht punojnë 11 orë më shumë në javë. Prandaj çudia nga reagimet zgjati pak, sepse është e kuptueshme që për shkak të kudondodhësisë “falë” pajisjeve që mbajmë në xhep a te koka e krevatit, jemi kurdoherë të lidhur me punën dhe të gatshëm për të vepruar, me orë që kurrë nuk llogariten si punë zyrtare.

Normalisht për ata që ky diskutim u duket i pavend, nuk duhet të harrojnë se një shekull më parë puna varionte nga një minimun dhjetë deri në tetëmbëdhjetë orë në ditë, ndërsa shfrytëzimi i fëmijëve ishte diçka mëse normale që nuk bënte shumë çudi. Henry Ford u quajt po ashtu i krisur kur mori vendimin që dita e punonjësve të “Ford Motor” të reduktohej në tetë orë duke dyfishuar pagën në 5 dollarë në ditë (afro 130 dollarë me vlerën e sotme të parasë). Dhe ndryshe nga sa mund të mendohet, as punonjësit dhe as kompania nuk ranë pre e “tangping”, por përkundrazi fitimet u dyfishuan.

Ndryshimi nuk është i lehtë, aq më tepër kur ato që preken mund të jenë interesat e lobeve të ndryshme industriale. Por teksa kemi arritur një kulm të të mirave materiale që mund të zotërojmë, aq sa edhe kohën që duhet për t’u emocionuar e konsiderojmë të tepërt, duhet pasur qetësinë e duhur për të kuptuar se pasuria dhe mirëqenia nuk shkojnë domosdoshmërisht në të njëjtin kah. Me vetëdijen se në një kohë kur stresi vret më shumë se lufta, koha e lirë nuk mund të jetë më një luks i utopive futuriste.

Nëse Kina arriti ta censurojë hashtag-un, projekti pilot në Spanjë për javën me 32 orë është hapi i parë drejt realizimit të një prej ideve më tronditëse të shekullit XXI. Duhet të jemi gati.

tiranapost.al