Shënime në Blog

Tregoje injorancën tënde

Tregoje injorancën tënde

Erjon Uka/ Kam parë mjaftueshëm lajme këto ditë, sa të kuptoj se videot e një gjyqtareje janë bërë tema kryesore e diskutimit kudo. Çdo ditë publikohen “fakte”, që në këtë rast janë video banale në TikTok, të jetës virtuale të gjyqtares, e cila në mënyrë qesharake dështon të luajë edhe rolin e vajzës së keqe me këngët anti-sistem.

A përbëjnë videot e gjyqtares njollën më të madhe në drejtësinë shqiptare, apo ato u kthyen thjesht në një englendisje për të mbushur studiot televizive dhe artikujt e portaleve ku shfryhej gjithë mllefi i akumuluar ndaj drejtësisë? Është komplet e qartë. Ama krahasimet relativizuese nuk duhet të zhbëjnë nevojën që çdo problem të meritojë një reagim.

Natyrisht që çdonjëri prej nesh ka jetën e vetë private dhe atë publike. Ndonjëherë ato mund të përzihen, gabimisht ose qëllimisht. Por kostot duhen marrë gjithmonë përsipër. E kjo nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes. As nuk është një strategji komunikimi publik. Nuk ka të bëjë as me nostalgjinë që mund të ndihet për kohët e vjetra të sfilimit në pasarela apo adoleshencën e lavdishme. Në realitete të reja, duhet jetuar në kontekste të reja. Nëse thyhen, barra e përgjegjësisë bëhet e pashmangshme, sidomos kur rrëshket drejt sjelljeve injorante.

Dhe injorancë sigurisht që ka shumë. Shumicën e kohës ballafaqohemi personalisht me të, herë të tjera e shohim me zë e figurë. Por a është budallallëku dhe injoranca e treguar më e keqe se ajo e kamufluar? Ndoshta duhet menduar pak.

Injoranca është e shtrirë kudo, e kjo nuk ka vetëm të bëjë me njohuritë edhe me mungesën e arsimimit. Ekziston edhe ajo sindromë që quhet “injoranca e të shkolluarve”, të cilët heqin dorë nga mendimi i tyre, duke u kthyer në citues të mendimeve të të tjerëve, edhe kur situata është krejt e pavend. William Hazlitt shkruante se këta njerëz të shkolluar që preken nga kjo sindromë, praktikisht vrasin imagjinatën sepse gjithmonë mendojnë në termat e librave që kanë lexuar; vuajnë nga fiziku, sepse dinë shumë mirë se si duhet të jetë një trup i shëndetshëm, por nuk i vënë në lëvizje trupat e tyre për të qenë të tillë; kanë vështirësi të kuptojnë se çfarë është e moralshme, sepse i referohen gjithmonë atyre që lexojnë, e jo eksperiencave vetjake.

Ama ku ta gjeje të kishe vetëm injorantë të tillë! Shumë zyra, poste, funksione drejtuese, zihen nga injorantë që alergjinë nga dija dhe ndërtimi i mendimit e kanë ndër më të rrezikshmet e sëmundjeve që mund t’i zërë. Këta mund të quhen injorantë kokëfortë dhe krenarë. Librat në zyrat e tyre luajnë rolin e suvenireve dhe sfondeve perfekte për kamerat dhe aparatët fotografikë. Kontakti me kulturën është sporadik. Bisedat e tyre rrotullohen gjithmonë drejt emrave të përveçëm, e jo nga idetë. Injoranca e kamufluar, e gërryen nga brenda sistemin organizativ të institucioneve ku bartësit e saj vegjetojnë. Dëmtojnë të renë dhe demoralizojnë inovacionin, nuk e pranojnë ndryshimin në favor të gjendjes së stabilizuar për interesat meskine. Kërkojnë izolimin, përkundrejt integrimit. E këtë e bëjnë çdo ditë, heshturazi, na takime të vogla dhe në marrëdhënie ballë për ballë.

Por ndodh edhe tjetra, që injoranca e budallallëku të marrë zë publik. Të promovohet, të ketë qindra e mijëra ndjekës. Të shitet si vlerë dhe të frymëzojë modele të tjera suksesi. Të ftohet në studio televizive, të japë edhe intervista në portale. Por edhe të grupohet, siç Carlo Cipolla i shihte budallenjtë si një strukturë shoqërore shumë më të madhe se sa organizatat më të fuqishme, të paorganizuar dhe pa rregulla, por që arrin të operojë me koordinim dhe efikasitet çuditës. Ka plot raste të tilla, e kjo është një prej arsyeve që gjithmonë përpiqem të përzgjedh kujdesshëm se cilat emisione të shoh e cilat media të lexoj. Jo gjithmonë kam sukses, shpesh dështoj, por ama përpiqem.

Kështu që, cila është më e rrezikshme, injoranca dhe budallallëku që fshihet, apo që tregohet haptazi me mburrje? Secili mund ta zgjedhë vetë, por me paralajmërimin që t’i ruhet të dyjave. Gjithsesi, nëse nuk do të ishte ky rast ku peshores difektoze të drejtësisë t’i prishej ingranazhi edhe nga videot e TikTok-ut, me shumë gjasa nuk do të flisnim fare për këtë temë. Më e pakta që mund të bëhet është që injorancës, gjithmonë e pavarësisht formës, t’i jepet përgjigja e merituar. Ose të paktën na shërben të njohim vetveten, përmes reagimit apo letargjisë.