
25 Rreshtat e Mirës/ Për herë të parë në New York kam qenë në vitin 2023. E përmend vitin vetëm për të treguar kompleksin tim më të madh gjatë atij udhëtimi.
Ndërsa të gjithë nxirrnin telefonin dhe me një prekje paguanin, unë dukesha sikur vija nga një botë tjetër. Hapja zinxhirin e çantës, pastaj zinxhirin e portofolit, nxirrja kartën, vendosja kodin dhe prisja “Accepted”.
Nuk kishte rëndësi çfarë po blija, as çfarë kisha arritur të ndërtoja në jetë. Në atë moment ndihesha prapa.
Amerikanët nuk sillen sikur t’i vënë re këto gjëra. Janë mësuar me të ndryshmin, me tjetrin. Nuk ta shtojnë ndjesinë e sikletit. Por mua ajo ndjenjë më mbeti gjatë.
Para një muaji u gjenda në prezantimin e Jet Bank, bankës së parë online në Shqipëri. Nuk ka degë fizike. Mjafton një telefon në dorë.
Edhe pse e dëgjoja këtë, e gjeta veten duke pyetur: “Po kartë nuk ka? Nuk takon askënd?”
Ka kartë. Por është virtuale.
Ka bankë. Por mjafton të klikosh një link.
Unë kam një problem me linket. Jeta na është bërë link, link, link. Passworde, passworde, passworde.
Megjithatë, hyra nga kureshtja.
Dhe Jet Bank m’u duk gjëja më praktike që kam provuar prej kohësh. Është aq intuitiv saqë të jep ndjesinë e lehtësisë, dhe njëkohësisht edhe atë të privatësisë dhe të lirisë. Të bën të ndihesh qytetar i botës, jo më ajo gruaja që hap dy zinxhirë, kërkon portofolin, kartën, kodin dhe pret “Accepted”…
Teksa kaloja hapat një nga një, më erdhi ndër mend një periudhë e vështirë e jetës sime.
Analiza ime Oncotype DX bëhej vetëm në Itali. Rezultati kishte dalë, por për ta marrë duhej të konfirmohej pagesa. Çdo ditë bëja llogari sa do të duhej të prisja derisa pagesa të kalonte, ndërkohë që e dija se përgjigjja që mund të më ndryshonte jetën ishte aty.
Për fatin tim, doktori italian u tregua human. Ma dha rezultatin përpara procedurës. Nuk mendoi vetëm për rregulloren. Mendoi për njeriun.
Por unë e jetova stresin e atyre ditëve dhe pyetjen që më mundonte vazhdimisht: pse çdo gjë duhet ta kemi më të vështirë ne?!
Ndoshta po ta kisha pasur atëherë një zgjidhje si Jet Bank, nuk do ta kisha jetuar me aq ankth pritjen e një pagese që dukej sikur mbante peng edhe përgjigjen e analizës sime. Sot Jet Bank i kryen pagesat përmes SEPA-s dhe, për këdo që ka nevojë të paguajë jashtë, e kupton se sa shumë vlen kur teknologjia të kursen kohë, stres dhe pritje.
Prandaj, sa herë që shoh diçka që besoj se na çon përpara, dua t’i jap një dorë. Dua ta ndaj me komunitetin tim.
Sepse ka sipërmarrje që nuk shesin vetëm një shërbim. Ato e zhvillojnë Shqipërinë. U japin njerëzve ndjesinë se janë të barabartë me pjesën tjetër të botës.
Dhe këtë, besoj se e meritojmë.