Shënime në Blog

Varfëria nuk krijohet nga të varfrit, por nga sistemi

Me mikrokredinë ai shpëtoi një miliardë njerëz nga varfëria. Tani idetë e tij funksionojnë edhe në Shtetet e Bashkuara. Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen flet për utopinë e tij.

Varfëria nuk krijohet nga të varfrit, por nga sistemi

Muhammad Yunus, fituesi i çmimit Nobel për Paqe, njeriu që ndryshoi jetën e një miliardë qenieve njerëzore, shpreson për një sistem ekonomik të bazuar në aftësinë e sipërmarrjes së individëve. Që nga viti 1976, kur Muhamedi i dha huanë e tij të parë një gruaje të uritur në skajin e kampusit të kolegjit të tij, mbi një miliardë njerëz kanë përfituar nga sistemi më inovativ i kreditimit të epokës moderne: Mikrokredia.

Ju shpikët mikrokredinë. Sot, miliarda njerëz janë në gjendje të mbijetojnë vetëm falë këtij sistemi që lindi jashtë sistemit tradicional bankar. Çfarë mbetet nga kjo trashëgimi? Dhe cili mund të jetë evolucioni?
Po përpiqemi të kuptojmë se si të ndryshojmë të gjithë sistemin financiar sepse mendojmë se financa është çelësi për zgjidhjen e problemeve të varfërisë. Varfëria nuk krijohet nga të varfërit, krijohet nga sistemi. Pra, një nga ndryshimet kryesore që duhet të bëjmë ka të bëjë me sistemin financiar, i cili sot bazohet në parimin që sa më shumë të kesh, aq më shumë mund të marrësh. Kjo do të thotë që nëse keni pak, nuk mund të merrni financim. Është ky një prej shkaqeve kryesore të varfërisë në botë. Ajo që bëmë ishte krijimi i një “kundër-sistemi” financiar duke thënë: ju bekojmë. Ju jeni tërheqës. Ne duam të takohemi me ju. Prandaj ju ofrojmë shërbime. Sistemi financiar sot u drejtohet burrave dhe jo grave, jo grave të varfra. Sot sistemi financiar bazohet në garanci, ndërsa ne thamë se nuk kemi nevojë për kolateral. Fakti që jemi të gjithë qenie njerëzore, mjafton për një pikënisje. Në sistemin tonë nuk ka avokatë. Kemi ndryshuar gjithçka që bëjnë bankat konvencionale dhe kemi krijuar Mikrokredinë, siç krijuam edhe Bankën Grameen duke arritur te miliona e miliona gra në mbarë botën dhe duke ndryshuar jetën e tyre, sepse ato u bënë sipërmarrëse. Financat janë oksigjeni i sipërmarrjes. Kështu i furnizuam me oksigjen dhe ato erdhën në jetë.


Ju e imagjinoni të ardhmen me “tre zero”: zero varfëri, zero papunësi, zero ndotje. A është një projekt i realizueshëm dhe nëse po, si? Apo bëhet fjalë thjesht e vetëm për utopi? Kush apo çfarë mund t’ju ndihmojë ta realizoni këtë objektiv? Për cilët aleatë keni nevojë?
Më pëlqen që përmendët fjalën utopi. Utopia është imagjinatë. Dhe gjithmonë them se për të filluar diçka të madhe na duhet imagjinata. Ne po e shkatërrojmë planetin me ngrohjen globale, me forma ekstreme të përqendrimit të pasurisë dhe duke krijuar norma të larta papunësie. E gjitha kjo duhet përmbysur. Duhet të imagjinojmë një botë ku këto gjëra nuk ekzistojnë, dhe më pas të fillojmë të krijojmë institucione, politika dhe struktura për ta materializuar këtë botë. Vizioni ynë është i qartë. Këto janë "tre zerot": zero papunësi, zero varfëri dhe zero ngrohje globale. Këto janë tre gjërat që duhet të bëjmë për të krijuar një qytetërim të ri.


Në Itali vitet e fundit hendeku social është rritur. Të pasurit po pasurohen dhe të varfërit po varfërohen. Pagat kanë ngrirë dhe shumë të rinj preferojnë të shkojnë jashtë vendit. Çfarë masash mund të mendohen për të zvogëluar këtë hendek? Ju ndër të tjera jeni kundërshtar i pagës minimale. Pse?
Nuk është vetëm një problem italian. Është problem i çdo vendi, i çdo komuniteti. Kjo sepse kemi përdorur të njëjtin kuadër ekonomik për sa i përket maksimizimit të fitimit. Ne përdorim të gjithë talentin tonë, gjithë krijimtarinë tonë, për të marrë pasuri nga njerëzit dhe për ta blerë atë përmes bizneseve. Dhe ky biznes nuk është domosdoshmërisht për të mirën e planetit, nuk është domosdoshmërisht për të mirën e njerëzve. Pra, nëse shikoni Italinë, do të shihni se e gjithë pasuria kombëtare po shkon në duart e pak njerëzve që qëndrojnë në krye. Sot, dhjetë vendet më të pasura të botës nxjerrin të gjithë pasurinë e botës për vete, ndërsa është pjesa tjetër e botës që po u siguron atyre atë pasuri. Është e gabuar ideja sipas së cilës duhet t’ia nisim nga puna. Nuk duhet të kërkojmë punë, duhet ta ndërtojmë punën. Lindim sipërmarrës, pra duhet të krijojmë një shoqëri në të cilën të nxitet aftësia sipërmarrëse. Ju folët për pagën minimale. Unë s’jam kundër pagës minimale. Ama jam kundër një sistemi të mirëqenies, sepse ai i heq njerëzve iniciativën. Nëse qeveria premton: "Po nuk patët të ardhura, unë do t'ju jap para që të mbijetoni", ky është një sistem i mirëqenies. Ndërkohë, qeveria duhet t’ju ndihmojë për diçka tjetër, duhet t’ju ndihmojë për t’u bërë sipërmarrës.


Papa Françesku thotë se po përballemi me ndryshime që do të prekin njerëzimin në shekujt e ardhshëm. Ne duhet të ripërcaktojmë atë që është njerëzore dhe ta mbrojmë përpara se të jetë tepër vonë. Muajin e kaluar, gjatë samitit botëror për vëllazërinë njerëzore nga Selia e Shenjtë, ju u takuat me Papa Françeskun. A keni folur për të? Ju u takuat gjithashtu me Presidentin Sergio Mattarella. Çfarë i thatë njëri-tjetrit?
Ndihem vërtet me fat që pata mundësinë të ftohesha nga Papa Françesku. Jo vetëm këtë herë. Disa herë në të kaluarën dhe gjithashtu kohët e fundit jam ftuar për të adresuar një pyetje shumë të rëndësishme: si të krijojmë një strukturë e re sociale globale. Si t'i bëjmë njerëzit të jetojnë së bashku në paqe dhe harmoni. Ky është apeli prej nga donim t’ia nisnim. Dhe ai më zgjodhi mua për të përfaqësuar të gjithë fituesit e çmimit Nobel të ftuar. Presidenti Mattarella ishte shumë i sjellshëm me mua. Sa herë vij në Itali, më fton ta takoj. Është një njeri i mrekullueshëm dhe shkojmë shumë mirë. Ai ka të njëjtat shqetësime si unë, ndajmë ide dhe qëllime të përbashkëta.

Në janar, në mes të fushatës zgjedhore, një gjykatë ju dënoi me gjashtë muaj burg; Pak ditë më parë ju hodhën pas hekurave duke ju akuzuar për evazion fiskal dhe mashtrim. Më shumë se 200 liderë nga e gjithë bota nga Barack Obama te Romano Prodi, nga Shtëpia e Bardhë në Gana, nga Franca në Brazil, po bëjnë thirrje për t'i dhënë fund persekutimit tuaj. Si ndihet një lider i vlerësuar nga të gjithë, por i persekutuar në vendin e vet?
Kryeministri i vendit tim më urren, nuk e shpjegojmë dot arsyen. Ai del me breshëri akuzash të rreme ndaj meje: falsifikim, përvetësim, pastrim parash. Akuza të çmendura dhe imagjinare. Unë çdo ditë tërhiqem zvarrë në gjykatë dhe më duhet të qëndroj brenda një kafazi hekuri ndërkohë që proceset gjyqësore vazhdojnë. Nuk e kuptoj pse, thonë se ky është zakoni në Bangladesh. Është e tmerrshme, çnjerëzon gjithçka. Unë ende nuk jam shpallur fajtor. Nëse fajësia nuk provohet, prezumohet pafajësia. Edhe pse Amnesty International apo Fondacioni Clooney dhe shumë organizata të të drejtave të njeriut sikundër edhe Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se ky është një shfrytëzim gjyqësor, ai sërish vazhdon. Kështu që unë paraqitem në sallën e gjyqit dy herë në muaj e kështu vazhdon. Kjo ma bën jetën shumë të vështirë.


Disa argumentojnë se demokracitë mund të kërcënohen nga një sërë faktorësh, duke përfshirë erozionin e institucioneve demokratike, manipulimin e opinionit publik përmes dezinformimit dhe përdorimit të teknologjisë, paqëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale, ngritjen e autoritarizmit etj. Si munden demokracitë e mëdha të botës të përshtaten dhe t'u rezistojnë sfidave me të cilat përballemi?
Ju përmendët një problem të përhapur: autoritarizmi është në rritje, siç u pa edhe në zgjedhjet e fundit të Bashkimit Europian. Partitë e krahut të djathtë, Donald Trump, Marine Le Pen po rriten. Demokracia, të drejtat e njeriut, liria e fjalës, të gjitha vlerat e dashura, janë në rrezik dhe ndoshta në të ardhmen nuk do të ekzistojnë më. Maksimizimi i fitimit është thelbi i këtij qytetërimi dhe kjo është ajo që po e vret. Kjo është arsyeja pse biznesi social bëhet kaq i rëndësishëm për të gjithë. Nuk është diçka që bëhet për të varfërit, bëhet për të gjithë. Kjo është gjëja më humane që mund të mendoni, sepse njeriu shndërrohet në fuqi krijuese. Emocionohemi për zgjidhjen e problemeve që nuk janë zgjidhur kurrë më parë duke krijuar ndërmarrje sociale. Jo për t'u pasuruar dhe mbi-pasuruar.


*Muhammad Yunus është sipërmarrës social, bankier, ekonomist dhe udhëheqës i shoqërisë civile i cili është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen për themelimin e Grameen Bank dhe për fillesat e koncepteve të mikrokreditit dhe mikrofinancës. Në shqip është botuar libri i tij “Ndërtimi i biznesit social”. Intervista për Emilio Carelli u përkthye nga Erjon Uka.