Chiara Ferragni thyen heshtjen pas “Pandoro Gate”: Fedez më braktisi në momentin më të vështirë

Pas vendimit të gjykatës që e shpalli të pafajshme nga akuzat për mashtrim në çështjen e njohur si “Pandoro Gate”, Chiara Ferragni ka vendosur të flasë publikisht. Megjithatë, sipërmarrësja italiane thekson se fitorja ligjore nuk ka qenë shqetësimi i saj i vetëm, pasi paralelisht po përjetonte edhe shembjen e martesës së saj.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Ferragni flet hapur për ndarjen nga Fedez, të cilën e përshkruan si një tradhti njerëzore në momentin më të vështirë të jetës së saj. “Ka pasur një ndarje publike pikërisht në të vetmin moment kur kisha më shumë nevojë. U ndjeva plotësisht e braktisur. Kam vuajtur jashtëzakonisht shumë”, shprehet ajo.
Ferragni kujton me emocione çastin kur gjyqtari shpalli vendimin e pafajësisë: “Sapo dëgjova ‘neni 531’, përqafova Giuseppe Iannaccone, avokatin tim, dhe shpërtheva në lot, qaja pa pushim.”
Influencerja pranon se ka qenë “shumë naive” në menaxhimin e komunikimit lidhur me iniciativat bamirëse. “Pse do të bënim diçka të parregullt për një operacion të vogël nga i cili nuk do të fitonim asnjë euro më shumë? Kemi bërë gabime, por në mirëbesim. Problemi ishte se nuk kuptuam rreziqet që mund të kishte një çështje e tillë nëse nuk menaxhohej siç duhet”, shpjegon ajo.
Sipas Ferragnit, goditja më e madhe ka qenë dëmtimi i imazhit të saj publik: “Kur thanë se kisha mashtruar fëmijë të sëmurë, çfarë mund të ishte më e rëndë se kaq?”.