JK Rowling e quan Emma Watson “injorante” pas debatit për të drejtat e transgjinorëve

JK Rowling ka kritikuar ashpër aktoren Emma Watson për qëndrimet e saj mbi të drejtat e transgjinorëve.
Watson tha pak ditë më parë se ende e do autoren e “Harry Potter” dhe nuk dëshiron ta “fshijë” nga jeta e saj, pavarësisht dallimeve që kanë.
Por Rowling u përgjigj duke thënë se ndjenjat e saj ndaj “ish-mikeshës” kanë ndryshuar, sepse sipas saj Watson “i hodhi benzinë zjarrit” në kulmin e debatit dhe kërcënimeve ndaj saj.
Në një postim në X, Rowling shkroi:
“Emma ka kaq pak përvojë me jetën reale, sa nuk e kupton as vetë sa injorante është.”
Emma Watson, 35 vjeç, luajti rolin e Hermione Granger në tetë filmat e bazuar mbi librat e Rowling mes viteve 2001–2011. Ajo dhe Daniel Radcliffe janë distancuar nga autorja, e cila është kritikuar për deklaratat e saj kundër aktivizmit trans. Rowling ka mohuar akuzat për transfobi, duke thënë se shqetësimi i saj lidhet me të drejtat e grave në hapësira vetëm për femra.