Marshoi për Palestinën dhe u pushua nga agjencia në Hollivud. Susan Sarandon tani bën filma të vegjël në Europë

Susan Sarandon ka folur së fundmi për gjendjen aktuale të karrierës së saj në Hollywood dhe arsyen pse ka punuar më pak vitet e fundit.
Aktorja fituese e “Oscar”-it, e cila u la pa agjenci përfaqësimi në nëntor 2023 pas deklaratave të saj për luftën Izrael–Gaza, tha në një diskutim publik se këto qëndrime i kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta profesionale. Sipas saj, pas pjesëmarrjes në një protestë ku kërkoi armëpushim në Gaza, ajo u përjashtua nga agjencia dhe u bë më e vështirë për të të punonte në projekte të mëdha në SHBA.
Sarandon shtoi se më pas ka gjetur mundësi pune në Evropë, veçanërisht në Angli dhe Itali, ku ka marrë pjesë në filma dhe shfaqje teatrore, kryesisht me produksione më të vogla dhe regjisorë të rinj.
Ajo theksoi gjithashtu se është prekur nga mbështetja që ka parë në vende si Spanja dhe Irlanda për çështjen e Gazës, duke e krahasuar me atë që, sipas saj, ndodh në SHBA, ku ndjen më shumë kufizim në debat publik dhe media.