Postera kundër dasmës së Dua Lipës në Palermo, banorët protestojnë për mbylljen e hapësirave publike

Dasma 3-ditore e këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, në Palermo të Siçilisë ka ngjallur reagime nga një pjesë e banorëve vendas, të cilët kanë vendosur postera proteste në qytet.
Sipas raportimeve, kundërshtimet lidhen me faktin se disa zona në qendër të Palermos janë kufizuar për shkak të organizimit të ceremonisë, e cila po zhvillohet në Palazzo Gangi. Në zonë është raportuar edhe prani e shtuar e forcave të policisë.
Në posterat e vendosur në qytet shkruhet: “Palermo nuk jepet me qira”, “Sheshi ynë nuk është dhoma juaj e ndenjjes” dhe “Palermo nuk është për të pasurit”.
Protestuesit theksojnë se reagimi i tyre nuk është domosdoshmërisht kundër Dua Lipës, por kundër kufizimit të hapësirave publike dhe ndikimit që evente të tilla private mund të kenë në jetën e përditshme të banorëve. Sipas tyre, qyteti duhet të mbetet i aksesueshëm për të gjithë, pavarësisht organizimit të aktiviteteve private.