Rriten divorcet gri: 60-vjeçarët po ndahen për të nisur një jetë të re

Në vitin 2023, në Itali janë regjistruar 9,913 divorce mes personave mbi 60 vjeç, sipas të dhënave të fundit të ISTAT, trefishi i numrit të vitit 2013. Sot, një në pesë divorce përfshin çifte mbi 50 vjeç.
Rasti më i fundit dhe më i bujshëm është ai i Nicole Kidman dhe Keith Urban: aktorja dhe kantautori, në prag të të 60-ave dhe pas gati 20 vitesh martesë, kanë njoftuar ndarjen.
Por nuk janë të vetmit. Bill dhe Melinda Gates, pas 27 vjetësh bashkë, i dhanë fund martesës në moshën 69 dhe 61 vjeç. Në Itali, Francesca Neri (61) dhe Claudio Amendola (62) u ndanë dy vite më parë pas një bashkëjetese 25-vjeçare. Po ashtu, Paolo Bonolis (64) dhe Sonia Bruganelli (51) zgjodhën ndarjen me mirëkuptim në vitin 2023, pas 21 vitesh martesë.
Këta janë shembuj të atyre që quhen “divorce gri”, ndarje pas dekadash bashkëjetese, të zakonshme dikur vetëm në SHBA apo Europën e Veriut, por tashmë gjithnjë e më të pranishme edhe në Itali, një vend tradicionalisht më i rezervuar ndaj ndarjeve martesore.
Sipas të dhënave të ISTAT, në dhjetë vitet e fundit divorce-t pas moshës 60 vjeç janë pothuajse trefishuar: nga 3,692 në vitin 2014 në 9,913 në 2023. Po ashtu, më shumë se 20% e divorceve ndodhin midis çifteve mbi 50 vjeç, në një moshë kur gjithçka supozohej të ishte e qëndrueshme, por shumë zgjedhin të fillojnë nga e para.
Fëmijët janë rritur, shtëpia bosh
“Rreth moshës 60 vjeç, fëmijët janë zakonisht jashtë shtëpisë dhe çiftet që mund të kenë qëndruar bashkë vetëm për hir të tyre, nisin të rishikojnë marrëdhënien”, shpjegon psikoterapeuti Duccio Baroni, autor i librit "Arti për të riparuar një zemër."
“Sot janë shpesh gratë ato që kërkojnë divorcin, falë ndryshimeve kulturore dhe rrugëve të zhvillimit personal që i shtyjnë të vendosin mirëqenien e tyre në plan të parë dhe të mos pranojnë më marrëdhënie të pakënaqshme.”
Një arsye tjetër është fakti se pesëdhjetë e gjashtëdhjetëvjeçarët e sotëm nuk janë më ata të gjysmës së shekullit më parë.
“Sot, një grua 50-vjeçare ka mesatarisht edhe 36 vjet jetë përpara (burrat rreth 33), dhe një 60-vjeçare edhe 27 vjet, prej të cilëve rreth 20 me shëndet të mirë,” shpjegon Letizia Mencarini, demografe në Universitetin Bocconi. “Është e natyrshme që shumë të mos duan t’i kalojnë këto vite në një marrëdhënie ku nuk ndihen mirë.”
Në të kaluarën, jetëgjatësia më e shkurtër e grave apo e burrave shpesh “shkurtonte” martesat.
Në pension, rreziku i ndarjes është më i lartë
“Kërkesat për divorc janë më të shumta mes atyre që janë në pension sesa mes atyre që ende punojnë,” shton Mencarini. “Ndërsa prania e fëmijëve apo nipërve mbetet faktor stabiliteti.”
Brezi i baby-boomers
“Kjo ndodh veçanërisht tek baby-boomers (të lindur mes viteve 1946–1964), të cilët sot, në moshën 60–65 vjeç, po përjetojnë një dritare të re mundësish,” shpjegon ajo.
Ky brez ka parë hyrjen masive të grave në punë, më shumë pavarësi financiare, si dhe pranimin social të divorcit. Janë gjithashtu më të pasur dhe më të shëndetshëm se brezat e mëparshëm dhe mund të dalin në pension më herët dhe të jetojnë aktivisht për dekada të tjera.
Por divorci, edhe kur është i zgjedhur me mirëkuptim, nuk është pa pasoja.
“Gratë humbasin shpesh status ekonomik,” thotë Mencarini. “Burrat, në anën tjetër, humbasin jetën shoqërore. Edhe sot, pas ndarjes, nënat ruajnë lidhje shumë më të forta me fëmijët sesa etërit dhe mbeten qendra emocionale e familjes.”
Psikologu Baroni shton: “Pas ndarjes, burrat janë më të prirur ndaj izolimit dhe depresioneve të rënda. Sigurisht, nëse një marrëdhënie është e dëmshme, është më mirë të ndahesh. Por duhet mbajtur parasysh se as pas qoshes nuk të pret gjithmonë diçka më e mirë: marrëdhëniet kërkojnë përkujdesje dhe përkushtim për të funksionuar.”