Showbiz

Si e rigjeti 'Motivin' Alban Skënderaj

Si e rigjeti 'Motivin' Alban Skënderaj

Ka pasur një moment, jo shumë larg, kur dukej sikur koha e Alban Skënderajt po zbehej. Muzika shqiptare po identifikohej nga emra kryesisht te repit dhe hip hop.

Si e rigjeti 'Motivin' Alban Skënderaj

Ata dominonin klubet, listat e klikimeve, YouTube-in. Ishin edhe më të paguarit. Ritmet urbane, bashkëpunimet komerciale dhe hiti i shpejtë dukeshin se kishin marrë frenat.


Por Albani nuk u tundua.
Ndërsa shumë të tjerë ndryshonin stil, identitet, madje edhe veten për t’u përshtatur me trendin e momentit, ai zgjodhi rrugën më të vështirë: të mbetej vetvetja. Te mos ndryshonte identitet.
Të vazhdonte qetë, pa zhurmë, duke bërë muzikën e tij. Nuk u përpoq të bëhej një tjetër njeri dhe të nxirrte produkte tregu.
Priti.

Ndoshta kishte një plan. Ndoshta thjesht besoi tek koha.


Dhe sot, Alban Skënderaj është prova më e mirë se trendet shkojnë e vijnë, por artisti i mirë mbetet. Dhe sidomos se vetvetja nuk duhet këmbyer me asgjë.


Rikthimi i Alban Skënderaj vitet e fundit është i jashtëzakonshëm. Jo me skandale, jo me marketing agresiv, por me atë që di të bëjë më mirë: thjesht me muzikë dhe emocione. Me publik!

Koncerte “sold out” kudo ku shkel: Shtutgart, Londër, Athinë, Milano, Prishtinë, Stadiume të mbushura plot, publiku burra-gra, pa dallime moshe, që këndon çdo varg përmendësh.


Një turne i ditëve të sotme, por i frymëzuar nga dita zero e Albanit, nga kënga e tij e parë në vitin 2004. Nuk është rastësi që koncertin e ka quajtur pikërisht: “Motiv i jetës time.” Sepse motivi i tij nuk ndryshoi kurrë.

I ka qëndruar besnik muzikës së tij, publikut të tij dhe mbi të gjitha dashurisë së tij, Miriamit me të cilën ndan dhe skenën.

Në këtë rast morali i fabulës është se kur je i vërtetë, koha gjithmonë të rikthen aty ku të takon.