50 shqiptarë të bllokuar në Kapshticë që nga e premtja: Mes tyre ka gra dhe të moshuar të sëmurë
Kanë më shumë se 24 orë që po qëndrojnë të bllokuar në kufi, në pikën doganore të Kapshticës. Bëhet fjalë për rreth 50 shqiptarë të cilët kanë kaluar natën në të ftohtë jashtë. Ata nuk janë lejuar të kthehen për shkak se nuk kanë autorizimin përkatës.
Por mes tyre janë gra, fëmjë dhe të moshuar që e kanë shumë të vështirë të qëndrojnë në mes të kufirit dhe mes reshjeve të shiut dhe dëborës.
Pala greke i ka lejuar të kalojnë kufirin, por nuk po gjendet zgjidhja nga pala shqiptare. Që nga momenti i largimit nga toka greke, ata nuk mund të kthehen më dhe për këtë arsye kanë mbetur në kufi. Shqiptarët nuk kanë marrë autorizimin për të kaluar kufirin, por disa prej tyre kanë thënë se nuk kanë marrë përgjigje as nga ambasada as nga Konsullata shqiptare në Greqi.
Ende nuk ka një deklaratë nga ministria e Jashtme se çfarë do bëhet me to, por në deklaratat e mëparshme është thënë se vetëm rastet emergjente do lejohen.
Në kushtet kur kemi të moshuar të sëmurë, gra dhe fëmijë që flenë jashtë, çfarë emergjente tjetër mund të ketë?