Mos harxhoni para duke shkuar në Francë për të kërkuar azil!
Janë 110 shqiptarë të cilët janë kthyer vullnetarisht nga Metz i Francës për shkak se kishin hyrë në kufi ilegalisht dhe nuk arritën dot të përfitonin azil. Në njoftimin e bërë publik, Policia e Shtetit u bën sërish thirrje qytetarëve që të mos harxhojnë para duke shkuar në Francë me shpresën se do të përftojnë azilin, dhe as mos të bien pre e mashtrime të kontrabanduesve pasi shanset janë zero. Kjo për shkak se Shqiëpria është në listën e vendeve të sigurta.
Njoftimin e plotë e gjeni këtu:
Vijojnë operacionet e riatdhesimit dhe të kthimit vullnetar të shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.
Mbasditen e somte, në Rinas, u riatdhesuan nga Metz, Francë, me charter, 110 shtetas shqiptarë, me qëndrim të paligjshëm në Francë dhe në zonën Schengen, të cilët u kthyen vullnetarisht.
Operacionet e riatdhesimit u realizuan në bashkëpunim me Frontex-in dhe Zyrën Franceze për Emigracionin.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në një nga vendet e zonës Schengen, që të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil dhe të mos bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t'u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ.
Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët, do vijojë operacionet e riatdhesimit dhe do forcojë masat duke shtuar patrullimet në kufirin jeshil.