Njihuni me maturanten shqiptare që doli e para për Informatikë në Universitetin e Athinës
Maturantja shqiptare 18 vjeçe është renditur e para në degën e Informatikës në Universitetin ekonomik të Athinës. Ajo quhet Albiona Manço dhe në provimet shtetërore ka marrë pikët më të larta, 18,750 duke shënuar një rekord të ri.
Ajo ka lindur në Greqi si vajzë e vetme pasi dy prindërit emigruan para shumë vitesh ndërsa tregon se nuk ka ndjekur kurset privat si shoqet dhe shokët e klasës.
‘Nuk pranova kurrë të shkoj në kurse private pas shkollës. E njoh mirë veten time, e di sa kohë më duhet të përvetësoj një lëndë, koha dhe mundimi që duhet të investoj, kurset private thjesht do më privonin nga aktivitetet e tjera jashtëshkollore, që për mua janë njësoj të rëndësishme’.
Mes të tjerash, 18 vjeçarja ka treguar se ishte e vetmja nxënëse e huaj në fillore dhe disa herë është ndjerë ndryshe: 'Nuk ishte e lehtë si fëmijë emigrantësh, duke u rritur, në gjimnaz e lice u qetësova se kishte dhe fëmijë të tjerë të huaj. Si përfundim, diskriminimi sado i kufizuar që përjetova, më forcoi, më bëri më të përgatitur e të matur'.