Për shqiptarët të bllokuar në Kroaci: Nuk do penalizohen, por ku duhet të kontaktojnë?
Prej ditësh minsitria e Jashtme ka dhënë njoftime me rëndësi për shtetasit shqiptarë që janë bllokuar në vendet e BE-së dhe më gjerë për shkak të koronavirusit.
Në njoftimin e sotëm, në fokus janë shqiptarët që ndodhen në Kroaci. Nuk do të penalizohen edhe nëse kanë tejkaluar periudhën e lejimit të qëndrimit në hapësirën Schengen, por ata duhet të kontaktojnë vetëm me telefon Rajonin e Policisë kroate për ti njoftuar rreth pamundësisë së kthimit në Shqipëri, për të shmangur edhe problemet që shkaktohen në pikat kufitare.
Më poshtë keni njoftimin e plotë:
Informacion për qytetarët shqiptarë që ndodhen në Kroaci.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Kroaci dhe që janë të detyruar të tejkalojnë periudhën e lejuar të qëndrimit në hapësirën Schengen për shkak të situatës së Covid-19, se nuk do të penalizohen.
Megjithatë, autoritetet kroate udhëzojnë shtetasit e huaj që të kontaktojnë (vetëm) me telefon Rajonin e Policisë, në zonën e tyre të rezidencës, për t’i njoftuar ata rreth pamundesisë për tu larguar nga territori kroat. Në këtë mënyrë do të shmangen probleme të mundshme në pikat kufitare në momentin kur shtetasit e huaj do të kthehen në vendet e tyre.