Shtëpia që dua

4 rregulla për të pastruar shpejt dhe mirë shtëpinë

4 rregulla për të pastruar shpejt dhe mirë shtëpinë

Zbatoni një strategji pastrimi

Përpara se të filloni pastrimin, mblidhni objektet e shpërndara nëpër shtëpi dhe vendosni secilën në vendin e vet. Nëse keni të ftuar për darkë, filloni nga kuzhina dhe dhoma e ndenjes: lani enët, më pas pastroni lavamanin dhe sobën me një sfungjer të lagur në ujë dhe uthull. Lagni një leckë me alkool ose pastrues që përdorni zakonisht dhe fshini shpejt sipërfaqet e dollapëve të kuzhinës dhe tavolinës. Lërini enët të thahen mbi një peshqir çaji e vendosini në vend pas pastrimit.

Vendosni rregull

Kur koha është e kufizuar është mirë të synoni pamjen e përgjithshme dhe t'i kushtoni më pak rëndësi detajeve. Mos harroni se kur ka rregull dhe çdo gjë është në vendin e vet, efekti vizual përforcon një përshtypje harmonie. Ka lodrat kudo? Merrni ndonjë shportë ose enë të madhe vendoseni në dhomën e fëmijëve, dhe do ta keni më të lehtë të vendosni rregull.

Në 15 minuta fshini pluhurat. Mund të përdorni një spray të llojit që shitet në lavanderitë për të dezinfektuar dhe parfumuar jastëkët, gjë që do t'i japë dhomës një aromë të mirë e të pastër.

Si të arrini efektin e shkëlqimit?

Pas gatimit, pirgu i enëve duhet larë. Mjafton një pikë detergjenti ose një tretësirë me bikarbonat dhe limon, pastroni lavamanin dhe shpëlajeni mirë. Nëse doni të bëni çezmat të shkëlqejnë, fshijeni sipërfaqen e lavamanit me një leckë të lagur me alkool, ka efekt të garantuar.

Mos harroni të pastroni pasqyrat që keni në shtëpi dhe të ndërroni peshqirët. Mund t’ju duhen 20 minuta në total.

Ajrosni vendin

E keni rregulluar shtratin? Palosni dhe mblidhni çdo gjë që nuk është në vendin e vet. Në çdo dhomë, hapni dritaret dhe nxirrni tapetin në dritare. Në këtë mënyrë gjatë pastrimit kryhet një qarkullim i mirë ajri dhe në të njëjtën kohë çdo dhomë do të jetë gati për hapin e fundit: fshesën me korrent. Në 15 minuta mund të pastroni çdo dhomë duke i dhënë përparësi korridorit, kuzhinës dhe banjës, të cilat zakonisht priren të ndoten më shumë.

Nëse keni ende kohë, me ujë të vluar dhe uthull lani dyshemetë e shtëpisë, duke filluar me dhomën e gjumit dhe banjën, pastaj kuzhinën. Lëreni korridorin të fundit: derisa të thahet, mund të dilni dhe të hidhni mbeturinat. Vendosni një shportë frutash në tryezë ose një buqetë me lule të freskëta për ngjyra dhe gjallëri.